Mustafa Kruja: “Kur djali i Abdylit
i thoshte flamurit “lëvere e ndyrë”

Mustafa Kruja: “Kur djali i Abdylit<br />i thoshte flamurit “lëvere e ndyrë”
Kjo është një analizë e thellë, e kujdesme, mund të themi e pandikuar dhe e mbushur me fakte historike, e cila sjell në ditët tona, tablonë më të qartë të fillesës së politikës shqiptare, kahet e saj dhe lindjen e partive të para politike.

Duket gati e pabesueshme kur e mendojmë se kjo analizë fshihet brenda një letre, a më mirë të themi një kthim përgjigjeje, që Mustafa Kruja i dërgon profesorit (siç e thërret ai) Stavro Skëndit.. Por për ndjekësit e rregullt të epistolarit të Krujës ky është një fakt i njohur, pasi në letërkëmbimet e tij Mustafa Kruja ndodh që përfshin deri edhe studime të gjata mbi historinë apo gjuhën. Kjo analizë e gjatë mbi lëvizjet politike, formimin, dhe prijësit e tyre, që nga Lidhja e Prizrenit e deri në mesin e  viteve 1920,  zbërthen deri në hollësi ngjarje, personazhe, tradhëti, prapaskena, hile politike, qëndrime të kujdesshme e deri edhe ekstreme, në rrugëtimin politik, plot trazira të kësaj periudhe. Këtë letër (analizë) që Mustafa Kruja ia nis Stavro Skëndit në 2 nëntor 1953, pas letrës së këtij të fundit të 5 tetorit 1953, ne do tia sjellim lexuesit në katër numra të suplementit tonë duke nisur nga kjo e dielë. Pjesa e parë e analizës që sjellim në këtë numër trajton fillesën e temës që shtjellon Kruja, ngjarjet në prag të Pavarësisë, dhe intrigat  e prapaskenat pas formimit të qeverisë së Vlorës sikurse edhe ëndrrën e Esad Pashës për tu bërë princ...

Bashkë me të do të sjellim edhe letrën e Stavro Skëndit ku i parashtron Krujës pyetjet mbi këto çështje historike që i interesojnë atij për një libër që kishte nisur të shkruante atëkohë.

LETRA E STAVRO SKENDIT

949 West End Ave
Apt. 10 - 13
New York 25, N. Y.
5 Tetor 1953
I ndershmë zoti Kruja,


Letrën t’uaj të 29 Gushtit e mora kur isha édhe në Vinalhaven, Maine. Ju falem nderit për fjalët e bukura që më thoni për broshurën “Gjëndja e Shqipërisë sot dhe detyrat e shqiptarëvet” Librin t’uaj, “Abetari i të Mërguemit”, e gjeta kur u ktheva në Neë York. Kini bërë një punë të dobishme për shqiptarët që ndodhen jashtë dhe mendimet t’uaja për gjëndjen e gjuhës sonë më duken të sakta. Falënderimet për këtë libër.

Ndofta e dini se jam duke shkruar një libër që merret me rrymat politike shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Bile këtë vit s’kam për të dhënë mësime dhe do të merrem vetëm me këtë që t’a mbaroj. Titulli i librit anglisht, ashtu siç e mendonj tashti, është: “Albanian Political Trends.” Për të patur një ide më të saktë, po ju mbyll dhe një kopjo të pllanit.
E dij që ju jini marrë prej kohe dhe mjaft thellë me çështjet shqiptare. Kam kënduar mjaft nga artikujt t’uaj të botuara në “Hyllin e Dritës.” E dini vetë se sa e errët është e shkuara e jonë politike - s’ndodhen dokumenta. Në se është shkruar gjë, ja është e gabuar ose e shtrëmbëruar (shih Selenica), ja është e pamjaftueshme ose fare e cekët. Do t’ju bezdisnja atëherë, po të ishte e mundur, të më shpjegonit çështjen e partive në Shqipëri të periodës 1920 - 1924:
a) Ç’parti ka patur? Cilat ishin programet e tyre dhe si përpiqeshin t’i vinin në zbatim? Cilët kanë qënë kryetarët e tyre?
b) Ç’ka qënë “Bashkimi i Shenjtë”? Cilët e formuan dhe ç’ka patur për qëllim? Gjer në ç’pikë e arriti qëllimin?
c) Ç’roll lojti “Bashkimi” në kryengritjen e 24-ës dhe ç’rroll pas saj?
d) Si u organizua Kongresi i Lushnjës dhe cilët kanë qënë iniciatorët e tij të vërtetë?

Më duket se ju kam vënë një barrë mjaft të rëndë. Por nuk dua hollësira të shumta. S’është nevoja të zgjateni. Dua vetëm pikat më me rëndësi, por i dua të sakta, më sa është e mundur. Do t’ju jem shumë mirënjohës po të m’i jepni këto shpjegime, të cilat s’mund t’i gjenj gjëkundi.
Mbetem me përshëndetje të sinqerta.
Stavro Skendi


PERGJIGJA E MUSTAFA KRUJES

I ndershmi z. Profesor,


E kam marrë me kohë letrën t’uaj me 5 të muajit të shkuar. Ju falem nderit për tê dhe me gzim do të përpiqem t’u përgjigjem pyetjeve t’Uaja me atë saktësí që don një vepër historike. Ndër punimet e mija gjatë këtij mërgimi ka dhe një kapitull të gjatë të titulluar Historija dhe parahistorija. Në qoftë se ka për të parë dritë ndonjë herë vepra që nis me këtë kapitull, atje keni për të parë edhe Ju se gjer në ç’pikë ekstreme e shpie un konceptin e së vërtetës historike. Po s’ësht vêndi as rasa këtu që të zgjatem mbi këtë themë.
           
Ju po më pyetni:
            a) Ç’partí ka pasur në Shqiprí gjatë perjodës 1920 – 1924? Cilat ishin programet e tyre dhe si përpiqeshin t’i vînin në zbatim? Cilët kanë qênë kryetarët e tyre?
            b)  Ç’ka qênë “Bashkim’i Shênjtë”? Cilët e formuan dhe ç’ka pasur për qëllim? Gjer në ç’pikë i a arriu qëllimit?
            c)  Ç’rol luajti “Bashkimi” në kryengritjen e 24-s dhe ç’rol pas saj?
            d) Si u organizua Kongres’i Lushnjës dhe cilët kanë qênë inicjatorët e tij të vërtetë?

   Përgjegjen po e nis me një pyetje. Besoni vërtet Ju që ka pasur e që mund të ketë partí, për shumë kohë edhe, në Shqiprinë t’onë, nëse fjalës i apim kuptimin që duhet të ketë? Pyetjet i keni formuluar sikur besoni, por fjala që keni përdorë anglisht në planin e veprës s’Uaj, trends, më ngushullon gjer diku. Sepse rryma mendimesh, prjerrje të lindura prej faktorësh historikë e gjeografikë të vêndit pa dyshim ka pasur, ka dhe do të ketë edhe në Shqiprí. Ato karikatura partishë t’organizuara, soi-disant  t’organizuara, që ka parë Shqiprija, atje brënda edhe komunizma gjersa nuk erdhën të huajt t’a organizojnë e t’i imponojnë një dishiplinë, ato ësht mëkat t’i quajsh partí!
 Po s’ka gjë. Un do të Ju tregoj faktet e Ju pastaj i gjykoni vetë.

  Shqiptari e ka ndier kurdoherë e thellsisht në shpirt kombsin’e tij: ësht e vetmja forcë e brêndshme që e ka ruajtur nga përshëmbullimi (asimilimi) nën sundimet e huaja që janë përshkuar mbi tê gjer në 1912; i vetmi faktor, i ndihmuar edhe prej ndienjës fetare myslimane, që ka krijuar lëvizjen e Lidhjes së Prizrenit. Po kurrë s’ka dijtur se kuj i thonë komb i organizuar, se ç’është një Shtet. Ësht gjêndur mirë me çdo sundim të huaj që s’e ka ngarë në këtë pikë të ndieshme, që s’e ka shtrënguar të këmbejë gjuhë e zakone; ësht përgjakur, s’e ka bërë për gjë jetën kundra kujdo që s’e ka kuptuar këtë afsh të tij. Neim Frashëri ka kënduar në Historin’e Skënderbeut e gjetkë ëndrrat e veta, Gjergj Fishta ka kënduar në Lahutën e Malcisë e në vepra tjera shpirtin e popullit shqiptar, që ësht gati të luftojë e të bëhet flí “për mbret e troje të veta”, “për mbret e të bardhën fé”, kundra “pashës turçelí” kundra “ipeshkvit jabanxhi”, kundra kuj të duash që ka frikë se i cenon gjuhë e zakone, por jo për lirinë kombtare. Në fund të fundit, ka vetëm ndienjën e racës, që më lart e quajta kombsí, por jo atê të kombit. Lirí kombtare për tê ësht lirija e fisevet e e krahinavet, të bashkuara vetëm në gjuhët e zakonet.

Kjo ndienjë e fortë racjale merr një fytyrë politike me kongresin e Lidhjen e Prizrenit nëpër pak burra të ndritur me Abdyl Frashërin në krye. Lëvizja fillon kundër shkjevet malazez, sërb e bullgarë në Veri e kundër Grekvet në Jugë. Rreziku i përbashkët bashkon për të parën herë në historinë shqiptare Veriun e Jugën. Bëhet për të parën herë një farë organizim i krijuar nga Shqiptarët vetë e i pështetur vetëm mbi forcat e tyre. Së pari bëhen dý organizime të veçanta, një në veri dhe një në Jugë. Abdyl Frashëri i bashkon këto e i bën një, së paku në kartë faqe botës, se në fakt mbeten gjithnjë të ndarë siç ishin. Vetëm se nga ky bashkim lind ideja kombtare, Juga merr vesh se ka një forcë shqiptare shumë të madhe në Veri dhe Veriu merr vesh se ka dhe në Jugë Shqiptarë gati të vdesin për projën e vêndit të tyre kundër një armiku tjetër.

Abdyl Frashëri mundi t’i bindë krerët e Veriut se rreziku i çasit mund të shfaqej prap më vonë, edhe si t’ishte kapërcyer një herë, e prandaj duhej bërë një punë që të vlente për gjithnjë: duhej siguruar autonomija e Shqiprisë me të katër vilajetet të bashkuara në një me një qeveritar të përgjithshëm e me nëpunës shqiptarë që mejtojnë për vêndin e tyre.

Mû n’ato kohra, lind dhe një abecé shqipe në Stamboll dhe nisin të shkruhen libra shqip nëpër kolonitë shqiptare përjashta. Këta erdhën gjithnjë tuke u shtuar. Por atje te shkruheshin atje edhe këndoheshin. Ndëkim’i tyre ndër Shqiptarët e brêndshëm ka qênë aq’i vogël sa mund të thomi se populli përgjithsisht as dije s’kishte për ta e për një shkrim të gjuhës shqipe. Shkolla e Korçës, hapur në perjodën e parë si liberale të regjimit t’Abdyl - Hamidit II, e pati jetën të shkurtër dhe u harrua.

Asnjë organizim për të qênë s’kishte nëpër kolonitë e aqë më pak në mes të tyre. Fytyra kulturore e politike të shquara s’kishte ndër ta. Ismail Kemali, kur u arratis e jetonte n’Evropë, zhvillonte një veprimtarí individuale e të pafrytshme për idenë kombtare. Faik Konicën e kishte krijuar Perëndija si mohim të çdo bashkëpunimi e organizimi. Dervish Hima s’kishte stofë për prinjës. Luigj Gurakuqi ishte i ri.

 Kështu na gjeti shpallja e kushtetisë othomane në 1908, që qe nji eveniment me pasoja të plotrëndsishme për mbretrinë dhe për popujt që e përbëjshin. Këta popuj e pritën me brohorí për shkak të lirivet që u siguronte për zhvillimin e tyre kombtar. Sa për ne Shqiptarët, mjafton të përmêndim se qe mbledhja e madhe e e armatosur e Ferizoviqit që e tronditi Sulltan Hamidin dhe i a theu çdo deshir e vullnet qëndrese kundra lëvizjes revolucjonare t’oficerave të Monastirit e të Selanikut. Qenë krerët intelektualë të Kosovës si Nexhib Draga që i mblodhën Kosovarët atje pa dijtur këta vetë se pse. Qe një ditë e lumtur ajo për Shqiptarët që kuptojshin: do të kishim lirí për të nxënë e mësuar ndër shkolla gjuhën t’onë, do të kishim shkollat t’ona, shtypin t’onë shqip, një kulturë kombtare, një shpërqëndrim administrativ; kombsija e jonë do të zhvillohej dalngadalë e methodisht pa pengime e një ditë do t’arrijshim në një autonomí administrative, më vonë edhe politike dhe më në funt, me ndihmën e Zotit e të rrethanave të volitshme të brêndshme e të jashtme, edhe në pamvarsinë t’onë si komb e si Shtet. Këto ishin ëndërrat që pat zgjuar ndër nacjonalistat shqiptarë, sidomos ndër ne të rijt, kushtetija othomane.

Kishim qênë gënjyer me Tyrqit e Rij. Po dhe me veten t’onë. Tradhtija e Tyrqet mbë nj’anë dhe mosnjohja e vetvetes si racë, si komb dhe si individë në tjetrën, shumë prej nesh ndër të rijt, na bënë t’i a shtojmë dozën programës s’onë politike: të përpiqemi drejtpërdrejt për pamvarsinë t’onë. Kështu mendojshim na djelmrija, por ç’kishim në dorë veç fjalës aqë sa mund të na ecte? Populli s’ishte me ne. Krerët tradicjonalë të tij, më e shumta, s’ishin gati t’i bëjshin flí interesat e ambicjet e tyre. Le të mjaftojë vetëm një shêmbull typik: vetë i bir’i Abdyl Frashërit, që merrte një rrogë 30 lirash të verdha në muaj, shkruan në gazetën shqip që nxirte në Selanik me të hollat e Tyrqve të Rij, se Shqiprija s’ka pasur kurrë një flamur kombtar, se ai që ishte zënë në dorë të Dervish Himës tuke bërë nëpër qytetet e Shqiprisë propagandë për pamvarsí s’ishte veçse “një copë lëvere”.

Dhe kur e sulmojnë kolonitë shqiptare, ajo e Amerikës me “Diellin” dhe e Egjyptit me “Shkopin”, të dyja të themeluara nergut mun asohere, ai e shton dozën nga zëmrimi dhe shkruan në një artikull të dytë: “Po, një copë lëvere dhe lëvere e ndyrë”! Mundet fare mirë që Midat Frashëri të ketë pasur idera aqë patrijotike sa dhe Dervish Hima e një palë nesh tjerë, që ishim shumë më të rij e të papjekur se ai, dhe politikisht më të shëndosha e realiste; po s’pritej kurrë një sharje e tillë nga i biri Abdylit kundra flamurit të kombit. Më vjen keq që u shtrëngova t’a përmênd këtë fakt si shênj të një situate politike, e sikur të mos ishte i njohur prej gjithë nacjonalistave të brezit t’im dhe i botuar ndër fletoret shqipe t’asaj kohe, së paku emrin do t’a kisha shkuar në heshtje.

 Lufta e Tyrqe të Rij kundra nacjonalizmës shqiptare ka qênë e ashpër dhe pa kursyer asnjë mjet gjatë katër vjetsh. Veglat shqiptare s’u mëngojshin, këto i rekrutojshin n’ambicjet për kulltuqe, në lakmitë për rroga të majme e koncesjone kontratash për sipërmarrje të ndryshme, në fanatizmën myslimane. Populli ishte ai që ishte: i padijshëm e pa një ndërgjegje kombtare të pjekur. Në verën e 1912-s u bë në Shqiprí e vetmja kryengritje e përgjithëshme, ndonse e paorganizuar mirë dhe pa një programë me objektiva të caktuara. Epiqêndra e saj ishte Kosova. Kryengritsit e Kosovës kishin pushtuar Shkupin dhe bërë një armpushim me pushtetet tyrke. Do të mblidhej një kongres kombtar në Shkup për të caktuar kushtet e paqës me Stambollin. Un kisha vajtur si delegat i Krujës, e cila kishte marrë pjesë efektive n’atë kryengritje. Veç Shqiprisë së Mesme, kishin ardhur përfaqsonjës edhe nga Mirdita e Shkodra. Toskrija kishte emruar përfaqsonjës telegrafisht të ndjyerin Hasan Prishtinë.

Mirpo mjerisht kur arrimë na në Shkup kishin qênë marrë vesh me marshal Ibrahim Pashanë, ata n’emër të kryengritjes mbarë dhe ky si përfaqsonjës i qeverisë. Kështu, na u gjêndëm përpara një pune të mbaruar me 14 pikat e njohura... sa ato të Presidentit Ëilson në luftën e parë botore. Në një pjekje private që pata pasur me të ndjyerin Nexhib Draga në shtëpí të Rexhep Mitrovicës, ai më tfilloi se sikur të kishin pritur më shumë, që t’arrijshim edhe na në Shkup, kryengritja do të kishte falimentuar për faqe të zezë t’onën; sepse dhelpra e Stambollit kishte futur agjentat e saj në turmën e kryengritësvet kosovarë me premtime që qeverija do t’i lînte Shqiptarët të mbanin armë lirisht kudo që t’ishin dhe do t’i shkarkonte Kosovarët nga çdo farë pagesash të gjeratëhershme. E në këto dý koncesjone e te mbret’i Stambollit, më thotë Draga, përmblidhej i tërë ideal’i Kosovaret. Un po shtoj se, besa, jo vetëm i Kosovaret, po edhe i shumë krahinave tjera të Shqiprisë s’asaj kohe! Do të kisha edhe shumë hollsira tjera për të thënë, Z. Skëndi, rrotull ksaj theme, Juve që jeni përveshur të shkruani një aspekt të historisë s’onë kombtare. Po kaqë mjafton, e po shkojmë tutje.

  Pas pak kohe plasi lufta tyrko- balkanike. Tyrqit u thyen dhe Shqiprija nisi të mvatej (invadohej) prej Sërbsh. Ismail Kemali zbret në Durrës me një tog patrijotësh tjerë si kishte kaluar nëpër kryeqytetet e Rumanisë, Austro - Hungarisë e Italisë dhe ishte marrë vesh me qeverit’e tyre për një Shqiprí independente. Sërbt ishin larg edhe. Në Durrës ndodhej mytesarrif një Beratas renegat që kishte mjaft fuqí, t’a kapte Plakun me gjithë shokë e t’a burgoste. Por atje ishte dhe një bataljon reservistash të Shqiprisë së Mesme nën komandën e Hamid be Toptanit. E ky i fundit ishte nacjonalist e bataljoni i tij e ndëgjonte. Prandej Ismail Kemali me shokë ishin të siguruar.

Deshën t’a mbledhin Kuvêndin kombtar për shpalljen e pamvarsisë në Durrës. Mirpo në tër’atë prefekturë vetëm nënprefektur’e Krujës ishte e sigurtë për neve, Shjak, Kavajë e Tiranë ishin të helmatosura nga fanatizma e prandaj për kohë të gjatë e si projë e një kuvêndi kombtar as Hamid beu s’ishte i sigurtë nga bataljon’i tij, i rekrutuar prej atyre viseve. Në marrveshje edhe me Vjenën e Romën u zgjodh si selí e kuvêndit Vlora. Ftesat, me nënshkrimin e prinjsit e nën projën e bataljonit të Hamid Toptanit, u shpërndanë telegrafisht në gjithë Shqiprinë, të pashkelur edhe prej Sërbet, qy nga Durrsi. U nisëm (un si përfaqsonjës i Krujës) për Vlorë. Nga Lushnja na duallën para patrijotë për të na lajmuar që të mos shkojshim andej, se pushtetet administrative e ushtarake do të na kapshin. Hoqëm drejt, pa u shmêngur në Lushnjë dhe me ca masa rojet.

  Arrimë në Vlorë e s’mbaj mênd sa dit na u desh të presim gjersa u mblodh shumic’e delegatvet. Për historjanin janë tepër t’interesuarshme verbalet e atij kuvêndi të shkruar shkurtazi, se natyrisht pa stenograf. Po, ç’i do verbalet? Mjaftojnë edhe ato dý radhë të vëndimit, shkruar e përgatitur qy përpara shqip nga dor’e Luigj Gurakuqit dhe tyrqisht nga ajo e Ismail Kemalit, për të kuptuar se në ç’atmosferë kombtare u shpall independenca e jonë! I ka botuar edhe një gazetë shqipe përjashta vjet në rasën e të 40-tit 28 XI. Un çuditem se qysh s’i ka rënë ndër mênd ndonjë armiku t’ênë të përjashtëm t’i analysojë e komentojë ato dý radhë historike. Ju sigurisht do t’a keni këtë dokument. Gazeta e përmêndur ka qênë Shqipëria më duket.

 Do të formohej qeverij’e parë e Shqiprisë independente. I u la në dorë Kryetarit, natyrisht, zgjedhj’e ministravet. Kur i u paraqit prej tij lista, na të rijt shtêngëm fare, na u duk vetja para një kuvêndi Tyrqish: asnjë i krishtêrë brênda, vetëm një varg emra bejlerësh me ndonjë pasha brênda. Për të qênë më i përpikët, harrova se paraqitej n’atë listë vetëm një emër i të krishtêri, si nënkryetar: Dom Nikoll Kaçorri, një prift patrijot i shquar, pranë një hoxhe, Myftiut të Dibrës. Protestimet qenë të forta e të pahijshme para plakut të Vlorës e patrijotit të shquar. Po s’kishim si të bëjshim ndryshe, s’e përmbajtëm dot veten na të rijt, myslimanë e të krishterë, pa bërtitur: “Ç’bëjmë këtu, një Tyrqí të dytë?” E kuptoi menjëherë i gjori Ismail Be gabën e rëndë që kishte bërë, sigurisht nën ndëkimin e një mêndsije të formuar prej një trashigimi të gjatë politik e familjar, nga një anë, dhe nga tjetra n’atmosferën psykologjike që mbretronte aso kohe mbi popullin shqiptar.

Plaku e tërhoqi listën e tij dhe i u lut kuvêndit që t’i propononte ai vetë kandidatët për ministra. Kështu u vunë n’atë listë edhe tre patrijotë të mëdhaj si Luigj Gurakuqi, Lef Nosi dhe Pandeli Calja. Tashti Shqiprija ishte mbë vete, për të parën herë pas Skënderbegut flamur’i këtij fatosi valonte dit’e natë mbi selin’e qeverisë ndër syt’e patrijotve të mallëngjyer, ndër zêmrat e të cilvet nuk duhej të zênte vênd tjetër gjë veç dashurisë e vllazrisë me shoshoqin dhe kujdesit për atdheun e fituar. Por jo, afshet, mëritë, intrigat kundra kuj kishte zënë vêndin më të lartë se tjerët plasën siç nuk ishte parë kurrë nën sundimin e huaj. Ismail Kemali? “Tradhtor me vulë”! Janinën i a paskish shitur Greqisë, u shkrueka letra fshehurazi ushtarvet shqiptarë që luftojshin atje kundra Grekut për t’i ftuar që t’arratiseshin!... et. et. et. Natyrisht, shumica e dojshin, e nderojshin, e adhurojshin për punën që kishte bërë. Ishte e para herë që Shqiptarë po merrshin positë ndër dy ballëra të kundërt: Ismailistat mbë një anë, kundrështarët në tjetrën: kishte lindur systema e partivet shqiptare! Në perjodën e luftës katërvjeçore kundër Tyrqve të rij ishim ndarë ndër “shqiptarë” dhe “halldupër”, ndër antarë të shkrolavet latine dhe të shkrolavet arabe. Por për atë kohë mund të mendojë historjani se eksistonte një bazë mendimesh të ndryshme për t’ardhëshmen e Shqiprisë, një bazë ndienjash fetare që, të pakën, s’janë egoiste.

 Shteti shqiptar i porsalindur i kishte kufîjt edhe në Vjosë e në Llogará, e tërë Shqiprija, veç ksaj nënprefekture Shtet – si Shtetet e Heladës së vjetër – ishte e zënë prej ushtrisë sërbe. Gabova: kishim edhe kazan’e Beratit, sepse në Lushnjë kishte zënë vênd një pjesë e ushtrisë tyrke, Fieri ishte bërë qêndër e dërmive t’asaj ushtrije në pushim. Sido qoftë, në Londër një ditë caktim’i kufîjve të Shqiprisë merr fund dhe ushtrija sërbe nis të tërhiqet, një pjesë e madhe e tokës s’onë lirohet. Shkodra ishte edhe e rrethuar prej Sërbo – Malazezvet dhe luftonte nën komandën e Esad Pasha Toptanit. Po ja ku nji ditë arrijnë në Vlorë gazetat e Italisë me koxha tituj mbi tërë faqet e para: SHKODRA I U DORZUA MALIT TË ZI – ESAT PASHAI PRINCI I SHQIPRISË! U alarmuam të gjithe.

S’ishte aqë dorzim’i Shkodrës në vetvete që na alarmonte, se kufîjt e Shqiprisë, me Shkodrën brënda, ishin caktuar e s’na e merrte mëndja se Gjakova do të bëhej tërthorazi flí e atij dorzimi; por në princrin’e Esatit shihshim fillimin e një lufte civile në Shqiprí në mes të bejlervet feudalë për thronin e saj. Ismail Kemali thërret me nxitim Avdi Be Toptanin, ministrin e financavet në qeverin’e përkohëshme e kushririn e Esatit nga babai dhe nga nëna, edhe mua, që isha sekretar i kshillit ministror e bir i një familjeje tradicjonalisht mike po e atij pashai. Na urdhron që të vrapojshim të dy në Tiranë, te Esati, të merrshim vesh të vërtetën e, në rasë nevoje, t’a kshillojshim për së mbari. Vamë, u poqëm me Esatin dhe mjerisht konstatuam që Esatit i qe ngulë në trû irrévocablement   që të bëhej princ. Sa për kshilla le mua që si të ri dhe të birin e një qehajai të tij s’më përfilli fare, po as të kushririn jo. U kthyem në Vlorë të dy, të dëshpruar e armiq të tij për vdekje.

  Më vonë, Esati bëri një manovër për të gënjyer e çarmatosur kundrështarët e tij: u shti sikur kish hequr dorë nga planet e tija dhe kërkoi ministrin’e brêndshme në qeverin’e Vlorës. Manovra i shkoi për bukurí, u pranua me enthusjazëm si ministër i brêndshëm i Ismail Kemalit dhe me këtë cilsí vuri në krye t’administratës së shumë viseve partizanët e tij e pas nja 2 - 3 javësh u kthye prap në Durrës ku kish vëndosur të ngrihte selinë princore. Nuk do të zgjatem mbi këtë kapitull aqë të rëndsishëm të historisë së shtetit shqiptar, se po mbushen gjashtë faqe e jemi edhe larg themës së vërtetë, e se do t’isha i shtrënguar të flisja tepër për vete. Vetëm, mbasi ka lidhje me “partitë” shqiptare e leader-t e tyre, po Ju them se me t’u vëndosur Esati në Durrës, Midat Frashëri dha menjëherë dorheqjen nga ministrija që kishte në qeverin’e Vlorës dhe vajti t’i ofrojë atij bashkpunimin e vet. “Dhëmb’i qênit në misht të derrit” u thoshte atyre që e qërtojshin, kaqë i a kishte mbyllur sytë mërija kundra atij plaku, sa t’a quante “derr” atê dhe “qên” Esatin. Rreth Pashait të Durrsit u mblodhën pastaj edhe intelektualë e patrijotë tjerë: Mehdi Frashëri, Abdyl Ypi, Faik Konica, Dervish Hima më të njohurit. Shpalljen e qeverisë esadiste popullit e ka shkruar pênda e Faikut. Kur un isha drejtor i arsimit në prefekturën e Elbasanit, që njihte Vlorën, Midati pat ardhur atje bashkë me Abdylin që t’i mbushte mêndjen Aqif Pashait, i cili ishte prefekt, që të kthehej me qeverin’e Esatit. Por u shporrën të dëshpruar.

Jemi në 1913. Evropa po i përgatiste Shqiprisë një princ të huaj. Mundimet e guxim’i patrijotve të kthiellët kishte arrirë t’a bindte Esatin se po t’a shpallte princrin’e tij nuk do t’a kishte tërë Shqiprinë me vete. Qeverija separatiste e tij kishte mbetur me dý prefektura, Durrës e Dibër. Edhe këtu kishte të çara koke. Parsija e nënprefekturës së Krujës i a kishte kumtuar me shkrim se atças që ai të shpallte një princrí nën sundimin e vet, ajo do t’a kundrështonte e do të protestonte ndër konsullatat e huaja në Durrës. Por mb’anë tjetër edhe armiqt e Ismail Kemalit e miq t’Esatit si zotrijt që përmênda më lart, përjashta kishin bërë mjaft zhurmë në favor të këtij. Aqë sa, për paraqitjen e kurorës shqiptare Princit Ëilhem Ëied, në krye të komisjonit që do të përfaqsonte hajsmi (gjoja) popullin, u vu Esat Toptani edhe antarët e tjerë qenë të zgjedhur po prej atij vetë. Plaku i Vlorës qe lënë mbë nj’anë, i shtrënguar, pasi kish dorzuar edhe administratën që kishte vetë, ndër duart e Esatit ministër të brêndshëm e të luftës në qeverin’e princit gjerman, të vejë e të vdesë i varfër e i harruar në një qytet t’Evropës.
           
Shkrimi u publikua sot (20.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie