Mustafa Kruja, letra surprizë
në vëllimin e tretë të epistolarit

Mustafa Kruja, letra surprizë<br />në vëllimin e tretë të epistolarit
TIRANE- “Kuvend letrash me miqtë”, një botim i veçantë, i tëri  epistolar, shënon botimin e vëllimit të tretë. Ai zbulon përmes letërkëmbimeve që ka pasur Mustafa Kruja me personalitetet më në zë të kohës  së tij, jo vetëm historitë, ndjenjat peronale, humbjet, triumfet, idealet dhe zhgënjimet e Krujes dhe miqve të tij, por edhe historinë e Shqipërisë dhe ngjarjet pikante të saj gjatë periudhës që shenjojnë këto letra.

Vëllimi i tretë i serisë “Kuvend letrash me miqtë”, është një mozaik i vogël i problematikës, ideve dhe argumentave të sagës shqiptare të mërgimit.Në qendër të letërkëmbimit edhe në këtë vëllim mbetet figura e Mustafa Krujës, që ruan lidhjet me shumë kolegë të politikës e të jetës kulturore. Bashkëbiseduesit e tij janë njerëz të respektuar të jetës shqiptare e të mërgatës së saj si: Mbretëresha Geraldinë, Eqerem Bej Vlora, Dhimitër Berati, Baba Rexhepi, Abaz Kupi, Tahir Kolgjini, Tahir Zajmi, Fan s.Noli, Kolë Bibë Mirakaj, Ago Agaj dhe Ismail Gorani.

Vëllimi hapet me një letërkëmbim të shkurtër me familjen Mbretërore. Krahas pak letrave, të firmuara kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë , janë vënë edhe disa dokumenta të hartuara nga M.Kruja me kërkesën e Mbretit, apo me autoritetet e Lëvizjes së Legalitetit, për të nxitur këtë të fundit në një ripërtëritje e modernizim të Partisë Monarkiste.

Janë prekëse dhe interesante shkëmbimet e letrave me Ekrem bej Vlorën dhe Dhimitër Beratin, me të cilët e lidhnin kujtimet e një jete politike të filluar heret, kur mendohej t’i hidheshin themelet e Shtetit shqiptar. I pari ishte biri i Syrja bej Vlorës, kushuri i Ismail Qemalit, i ngarkuar nga i ati të zbulonte mendimin e diplomacisë austro – hungareze në prag të Shpalljes së Pavarësisë. I dyti ishte delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, por edhe i Korçës në Kuvendin e Vlorës, së bashku me M.Krujën firmëtar i Dokumentit të Pavarësisë. Veç kësaj të dy kishin qenë ministra në Qeverinë Kruja, në të cilën u shquan për veprimtarinë e tyre nacionaliste.

Studiuesi Eugjen Merlika, njëkohësisht përgatitësi i kësaj serie botimesh, veçon nga ky botim letrat që Mustafa Kruja kishte marrë nga Teqeja Bektashiane e Detroitit, nga Baba Rexhepi.  “Figura e këtij mistiku të madh është një nga më të njohurat në historinë e klerit shqiptar, sidomos atij mysliman”, thotë Eugjen Merlika, ndërsa shton më tej se “me Abaz Kupin nuk kemi në dorë një letërkëmbim të gjatë, por në vëllim janë dy materiale: një letër e M.Krujës në të cilën, veç argumentave të tjera, ai kërkon ndihmë për dokumenta vetiake nëpërmjet Oborrit Mbretëror dhe në tjetrën janë “porositë” që ish kryeministri, në sajë të përvojës dhe disa viteve më shumë si moshë, i lejon vetes t’i përcjellë mikut  në lidhje me veprimtarinë  e tij në Lëvizjen e Legalitetitr e në Komitetin “Shqipëria e lirë”.

Është një shpalosje e opinioneve të tij mbi shumë pjesëmarrës në politikën shqiptare. Janë opinione vetiake, të diskutueshme, por kanë vlerën e tyre, sepse janë të sinqerta e i jepen një miku e bashkëpuntori prej shumë kohësh, edhe se jo gjithmonë rrugët e tyre politike kanë përkuar. Por edhe nëse drejtimet politike kanë shkuar herë herë në kahe të kundërta, stima dhe respekti i ndërsjelltë  nuk kanë munguar asnjëherë deri në vdekjen e tyre. Kështu psh. Abaz Kupi ka qenë i pranishëm në funeralin e mikut e bashkëqytetarit në Niagara Falls të Sh.B.A” shënon Eugjen Merlika, ndërsa vijon prezantimin e këtij vëllimi duke përmendur letërkëmbimet më të gjata të tij,  atë me Tahir Kolgjinin, me të cilin “Mustafa Krujën e lidhte një bashkëpunim  gjatë kohës së luftës e një respekt i veçantë i ndërsjelltë, edhe se si moshë i ndanin rreth 16 vjet”.

Nuk mund të mungonin në këtë vëllim letrat e kosovarëve që përfaqësohen nga Tahir Zajmi (1897 – 1971), ish skretari i Bajram Currit, thotë Eugjen Merlika, ndërsa përmend më tej edhe  katër letra të drejtuara Mustafa Krujës nga Kolë Bibë Mirakaj, që kanë më shumë karakter familjar të lidhjes së një krushqie mes djalit të Mustafait, Fatosit, dhe mbesës së Kolës, vajzës së madhe të Pashukut, Klorës, që u bë në Savër të Lushnjes, ku familjet ishin të internuara, por  që lidhen edhe me polemikat e vazhdueshme në gjirin e mërgatës shqiptare, polemika në të cilat Kola, ish ministër i partisë e i punëve të mbrendëshme në vitin 1943, dha një ndihmesë të jashtzakonëshme në pamfletin “Deri kur në shërbim t’anmikut?”.

Ishte një letër e hapur, drejtuar Prof. Abaz Ermenjit, ku shpjegoheshin arsyet e bashkëpunimit të krahut nacionalist me italianët dhe gjermanët e, njëkohësisht, të pjesës së Ballit Kombëtar e të Legalitetit me anglo-amerikanët dhe me lëvizjen nac.-çl. të drejtuar nga komunistët. “Besoj se është një nga dokumentat më të vlefshme për ata që duan të shkruajnë historinë e vërtetë të Shqipërisë, të trazirave e të tragjedisë së  saj në vitet e luftës së dytë botërore”, thotë Eugjen Merlika në shkrimin prezantues të këtij vëllimi.

Më tej ai përmend si mjaft të rëndësishme edhe një letër të Mustafa Krujës drejtuar Fan Nolit, letrat e Ago Agajt dhe Ismail Goranit…  Sipas Eugjen Merlikës, botimi i këtyre vëllimeve me letrat e tyre, hedh dritë jo vetëm mbi jetët e tyre vetiake, në pesëmbëdhjetë vitet e para të mërgimit, por ndihmon lexuesin e sotëm të njohë e të kuptojë një pjesë të botës shqiptare të së shkuarës jo shumë të largët.
 
 Shkrimi u publikua sot (10.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët