Mustafa Kruja,vjen vëllimi V i
letërkëmbimeve me Gurakuqin...

Mustafa Kruja,vjen vëllimi V i<br />letërkëmbimeve me Gurakuqin...<br>
Sapo ëhstë botuar këto ditë vëllimi i pestë dhe i fundit i letërkëmbimeve të Mustafa Krujës, një kolane shumë e rëndësishme sa i takon fakteve  që sjell për nj varg ngjarjesh historike të Shqipërisë.

Në vëllimin V të “Kuvend letrash me miqtë” janë përfshirë  korrespodenca e Krujës me Luigj Gurakuqin, Dom Lazër Shantonë, Anton Palucën, Miftar Spahinë, Hamdi Uruçin, Preng Grudën, Fiqret Jukën, Agim Karagjozin, Reshat Agajn, etj... Si një prezantim i këtij vëllimi do të vlente shumë fjala hyrëse e Mithat Gashit, të cilën e sjellim të plotë si më poshtë.  

Mithat Gashi

KUVENDI I KRUJЁS NЁ VЁLLIMIN E PESTЁ

Botës shqiptare i bjen në dorë vëllimi i pestë, “Kuvend Letrash me Miqtë”.  Letrat e Mustafa Krujës janë nji thesar, nji burim i pafund, i temave që kanë të bajnë me çashtje shqiptare. Mustafa Kruja asht nji ndër aktorët ma aktiv të çashtjeve shqiptare që na i ka lanë kujtimet dhe përshtypjet e tij në shkrime. 

Asht edhe ndër shqiptarët e vetëm me korrespondencën ma të madhe dhe substanciale.  Për kёtë arsye Miftar Spahija, nji ndër autorët e disa letrave të këtij vёllimi shpesh herë na tregonte porosinë e Ernest Koliqit: “Letrat e Mustafa Krujës duhet tё ruhen sepse kanё nji vlerë të madhe për historinë, gjuhën, dhe kulturёn t’onë kombtare.”

Letra e parë e këtij vëllimi mban datën 6 dhjetor 1919 dhe i drejtohet Luigj Gurakuqit, dhe letra e fundit mban datën 29 korrik 1958.  Letra që i dërgon Gurakuqit ka rreth 3700 fjalë dhe na jep informata mbi gjendjën e Shqipnisë në vitin 1919.

Nji pjesë e kësaj letre na kujton gjendjen e sotme në Shqipni, ku anëtarët e shtetit janë kriminalizue dhe bajnë simbiozë me kriminelë që merrën me droga, korrupsion, vrasje etj.

Populli i ndershëm, shkruen Kruja,“interesohet me gjith shpirt” për dŷ gjana: “Qetësí e Shqipní.” Mbi keto dŷ pika, Kruja i shkruen Gurakuqit, “Ndër njiqind vrasa a kapen a s’kapen dy fajtorë” dhe, “Sa për pikën e dytë, natyrisht, interesohen mâ tepër ata qi kuptojnë pak a shumë ndonji sênd.” Gjithashtu, mbi gjendjen politike në Shqipni, Kruja shkruen, “Na këtu, te paret e Miletit (!)...mblidhemi ditё pёr ditë dhe natyrisht ma shumë bajmë fjalë se punë.”

Në bashkagjegjen (letërkëmbimin) e Krujёs me personalitete të ndryshme hasim nё shumё tema me randësi. Disa nga temat që trajtohen në ketë vëllim janë: Përfaqёsimi i Shqipnisë në Lidhjen e Kombeve në Paris; gjuha shqipe; komunizmi; përpjekjet për rrëzimin e komunizmit; “çlirimi i popullit t’onë nga kobi komunist”; çashtje politike në emigracion; këshilla nga vetë Kruja që u jep miqve në lamina të ndryshme, si gjuhë, politikë, sociologji, psikologji, histori, metodologji, etj.

Tue krahasue letrën e parë të Mustafa Krujës në ketë vëllim me disa nga letrat e fundit të tij na bjen në sy menjiherё evoluimi i të shkruemes së shqipes. Nga viti 1919 dhe deri nё vitin 1958, Mustafa Kruja punoi pa ndalë në lavrimin e gjuhës shqipe. 

Ai pёrpiloi nji fjalor, dhe mbi kёtë, në letrën qe i shkruen Prof. Palucës, Kruja parashikon se fjalori e tij mund të jetë zhdukë nga komunistёt ose asht damtue prej pakujdesisë. Kruja i shkruen Palucës mbi fjalorin,“ndoshta deri tash e ka hangër i nâmuni komunist ase e kanë grîmë mijt a lagshtina.” Kush mban përgjegjësi pёr zhdukjen e këtij fjalori voluminoz? 

Nga këto letra vërejmë disa dukuni. E para, intelektualёt ma të kualifikuem tё kohnave të ndryshme kanë pasë korrepondonce me Krujën. Në vёllimin e pestë dallohen Luigj Gurakuqi, Dom Lazër Shantoja, Anton Paluca, Miftar Spahija, Hamdi Oruçi, etj.

E dyta, Mustafa Kruja ka pasë nji cilësi që i asht përgjegjë çdo kuj, dhe i ka vlerësue njerëzit pa dallim moshe apo niveli arsimor.

E treta, Kruja ka përdorë metodologjinë me shkëmbye mendime simbas interesave dhe niveleve që kanë njerëzit në fusha të ndryshme. Për shëmbull, me disa personalitete trajton çёshtje gjuhësore me randësi, si asht rasti me Dom Lazër Shantojën, Anton Palucën, Miftar Spahine, Preng Grudёn etj.  Me persona që nuk kanë njohuni apo interes për gjuhën trajton çashtje politike.

 E katërta, intelektualët që i shkruejnë,  e mbajnë Krujën në naltësinë intelektuale që ai kishte, dhe e respektojnë.

E pesta, Kruja këshillohet dhe jep këshilla, por nuk kursen aspak kritikën konstruktive. Dom Lazër Shantojës i shkruen: “Kujtoj se kur të jeshë i shtrënguem me hangër nji zânore në mes të fjalës, këtê s’duhet t’a dajsh me apostrof: p.sh. prej fjalës mbulue = mblue e jo mb’lue, etj. Kurse në krye e në fund duhet vûmë apostrofi.” Prof. Miftar Spahisë i shkruen, “Keni harrue në llogaritë t’ueja elementë të rândsishëm psikologjikë.”

E gjashta, Kruja asht largpamës. Miftar Spahisë  i shkruen kështu, “Ne, të gjithë duhet të kuptojmë tashmâ se bota politike ka ndërrue krejtësisht fytyrë aq sa, e krahasueme me atê të paraluftës, asht krejt tjetër: jemi n’epokën e mbizotnimit të masave dhe e ardhmja i përket vetëm atyne qi do të dijnë me i organizue e me i tërhequn këto të fundit.”

Dhe, për mbi guximin qytetar, i shkruen po Spahisë se ka prej njerëve “qi mendojnë se nuk i a vlen barra qiranë me ndërrue Duce, Führer a Caudillo o queje si të duesh. Ka shumë prej tyne, të cilëve u mungon guximi qytetar, ose, nëse doni, nji personalitet i veti apo nji gjykim i veti e pra, për të bâmun nji hap kanë nevojë për urdhna, madje të qarta e të sakta.

Këta përbâjnë shumicën e madhe. Por me dhânë nji urdhën të tillë, në disa rrethana, nuk asht gjâ e lehtë.”  Dr. Oruçit I shkruen, “Nji popull, tek i cili hov’i guximshëm i të riut nuk përkoret prej matunisë refleksive të plakut, ai popull âsht në rrezik me thyem qafën në ndonji greminë….” 

E shtata, Kruja Zogun e kishte kundërshtar politik për ma shum se dy dekada, por për çashtje kombëtare, jo veçse u pajtue, por sikur shkruen vetë, “Krejt fuqinë t’eme mendore, krejt përvojën t’eme në jetën politike e kam derdhun n’Aleksandrí…” aty ku shërbeu si këshilltar i afërt i Mbretit Zog.

E teta, teqja bektashjane ka pasë ndikim në formimin e hershëm të Krujës.  Ai i shkruen Oruçit “Para se me lânë çerdhen t’eme 15 vjetsh e gjymsë për me votun në gjymnaz të Janinës, kisha nxânë gati për mêndsh gjith veprat e Neim Frashërit ndër teqet bektashijane qi më kishin injektuem në gjak farën e shqiptarizmës (siç e quejshim aso kohe)”.

E teta, me formimin e tij, Kruja flijoi familjen për Shqipni. Mbi ketë, po Oruçit i shkruen, “Qyshse rashë në mênt e mija jetova për Shqipninë e për familjen, e gjithsa herë detyrat kundrejt njânës e tjetrës u gjindën në kundërshtim, un bâna flí të dytën për të parën.”

Gjithashtu, vërejmë që Kruja e shpreh besimin e tij në Zot në shum raste.  Dr. Hamdi Oruçit i shkruen, “Besoj verbnisht në Zotin, besoj se kurrgjâ s’bâhet pa dashun Ai; besoj se në shumë sende qi neve na duken të këqija Ai mund të ketë fshehun nji të mirë mâ të madhe qi na s’e shohim, besoj se edhe kur Ai përmeton të këqijat ka atje nji myster qi na s’e kuptojmë.” Anton Palucës i shkruen, “E mâ tepër lum kush mbërrîn me depërtuem nji grimë në mysteret hyjnore e me besuem në Zotin.”

Letrat e Mustafa Krujes janë dritare që na mundëson me u ballafaque me të kaluemen. Dokumente të burimit primar që studjohen nga historianёt jenë letra, ditare, gazeta, fjalime, intervista, kujtime, manifestime, raporte, pamflete, fletore, dokumente qeveritare ose lloje të tjera tekstesh. Historianët i përdorin burimet primare si dëshmi për të analizue dhe interpretue të kaluemen.

Artikujt shkencorë bazohen në burime primare. Letrat e Krujës janë burime historike të dorës së parë.  Këto letra kanë cilësi të veçantë sepse janë personale, intime, dhe me plot detaje. Letrat e shkrueme para 100 vjetësh e mundësojnë lexuesin me hy në realitetin e kohës, dhe me i pa ndodhinat nëpërmjet dimensioneve të ndryshme në kontekstin e kohës.

Ç’duhet të bajë bota shqiptare me letrat e Krujës?

Universitetet mund të ofrojnë kurse të veçantë për studimin e historisë shqiptare nëpërmjet letrave të Mustafa Krujës.   Landë të tilla nëpër shkolla, u hapë studentëve mundësinë me i pa nga afër letrat e Mustafa Krujёs në kontekstin historik dhe shoqnor.

Me anë të nji kursi të tillë, studentat mësojnё se si me përdorë letra në hulumtime akademike. Nxanësëve u jepet mundësia me analizue nji apo disa letra që kanë të bajnë me përpjekjet e hershme për lavrimin e gjuhës shqipe. Në nji kurs të tillë, studentët mund të përqendrohen në gjuhё, politikё, histori, etj. 

Gjithashtu, akademitë e shkencave në Tiranë e Prishtinë duhet të krijojnë nji udhëzues që ofron një pasqyrë të letrave të Mustafa Krujës si burime historike dhe gjuhësore.  Profesorët e universiteteve duhet t’i inkurajojnë studentat  që të marrin letrat e Krujës si temë dezertacioni.

Simbas kurjozitetit dhe interesit, studjuesat mund të përqendrohen në shqyrtimin e stilit expresiv të Krujës, në përdorimin dhe zhvillimin e gjuhёs shqipe, në interpretimin e historisë, në shtetformimin shqiptar,në studimin e jetës së shqiptarëve në diasporë të arratisun nga komunizmi, etj. 

Neë York 10 tetor 2017

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim