/ATSH-B.Jashari/.- Kryeminsitri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot angazhimet për krijimin e perspektivës së qëndrueshme për të gjithë qytetarët, sidomos për të rinjtë në Kosovë, duke u shprehur se ky shtet është themeluar për qytetarët e saj dhe për mirëqenien e tyre.

"Në kushtet e globalizimit, lëvizje të njerëzve do të ketë gjithmonë, por ato duhet të jenë në parametra realë. Prandaj, jam i bindur se liberalizimi i vizave dhe hapja e mundësive që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm sikurse edhe njerëzit e tjerë të këtij kontinenti do të ndikonte që shkuarja e njerëzve tanë në vendet evropiane të mos ketë ikje e as mërgim, por të jetë një vajtje për kthim në Kosovë, ashtu siç ndodh edhe në vendet e tjera", theksoi Mustafa.

Kryeministri Mustafa foli në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, që po mbahet në Prishtinë nën drejtimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku po merr pjesë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian e Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.