PRISHTINË, 12 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot në mbledhjen e qeverisë, para rapotimit në seancën plenare të Kuvendit, e cila po vazhdon, ka njohur kabinetin qeveritar me dialogun e ndërmjetësuar nga BE në Bruksel dhe nënshkrimin e marrëveshjes për drejtësinë në orët e para të së martës me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç.
"Marrëveshja është arritur me një punë të madhe të delegacionit kosovar, që ka qëndruar në Bruksel dhe ajo ruan sistemin unik të drejtësisë në Kosovë; aplikon legjislacionin kosovar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës; ruan autoritetin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas ligjeve dhe institucioneve të Kosovës. Marrëveshja nuk ndërhyn dhe nuk është në kundërshtim me asnjë akt ligjor të Republikës së Kosovës dhe siguron integrimin e komuniteteve në veri të vendit në sistemin e drejtësisë së Kosovës", theksoi kryeministri Mustafa.
Ai e njohu kabinetin qeveritar edhe për pjesëmarrjen në konferencën për siguri në Munih të Gjermanisë dhe takimet që ka zhvilluar, si dhe për vizitën në selinë e NATO-s dhe takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kryeministri vlerësoi se në takime u shpreh gatishmëria e bashkëpunimit dhe u shprehën pozitivisht për proceset dhe menaxhimin e tyre në vend.
"Jam takuar me zëvendëspresidentin Joe Biden, i cili ka shprehur përkushtimin për Kosovën dhe për proceset që po zhvillohen në Kosovë. Kam marrë ftesë që të vizitoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të përgatisim bashkërisht një program të vizitës", tha kryeministri kosovar.
Mustafa ka veçuar takimin e zhvilluar me ministren e Landit të Bajernit për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale, Beate Merk. Ai tha se "takimi ka qenë i fokusuar në temën e migracionit ilegal nga Kosovë, ku Landi i Bajernit është i atakuar nga ky migrim". "Kemi dhënë zotimet tona që ne jemi në gjendje që ta përballojmë kthimin e njerëzve tanë, që kanë migruar dhe nuk ka asnjë arsye që ky proces i migrimit të shfrytëzohet, që të tregohet se Kosova nuk është e qëndrueshme, apo se njerëzit nuk kanë siguri të plotë në Kosovë", tha kryeministri Mustafa.
"Ne do t'iu ofrojmë sigurinë e plotë, por ne nuk mund ta zgjidhim problemin e punësimit dhe problemet e tjera për një periudhë të shkurtër kohore. Programi ynë qeveritar, të cilin do ta aprovojmë javën e ardhshme, si dhe masat të cilat ne kemi përcaktuar t'i marrim për nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera, mundësojnë që ne në mënyrë të qëndrueshme të sigurojmë kushtet, që njerëzit të jetojnë këtu, të kenë perspektivë këtu dhe me vendet e BE-së të ndërtojmë partneritet afatgjatë", tha Mustafa.
Kryeministri Mustafa u shpreh se në të gjitha takimet e zhvilluara u theksua nevoja për përkrahjen e vendeve të BE-së për nënshkrimin e kontratave për punësim sezonal dhe Kosova ka nevojë përkohësisht që t'i zgjidh këto probleme përmes një partneriteti të tillë, e jo përmes migrimit të parregullt.
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot paradite mbledhjen e saj të trembëdhjetë, të rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe politika të fushave të saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore./k.s/










