PRISHTINË, 3 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Ministri Jablanoviç nuk është  më pjesë e qeverisë së Kosovës", tha në një konferencë shtypi të martën pasdite kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
Deklarata u bë ndërkohë që opozita kosovare nis edhe muajin e dytë të 2015-tës me organizime protestash, të tretën në Prishtinë të mërkurën, pas organizimeve gjatë janarit edhe nëpër qytete tjera kosovare.
"Kjo protestë do të jetë edhe paqësore edhe masive", ka paralajmëruar lideri partisë më të madhe opozitare, Vetëvendosjes organizatore, Albin Kurti, i cili ka theksuar se "kërkesat mbesin të njëjta - shkarkimi i ministrit Jabllanoviç dhe mbrojtja e Trepçës përmes një ligji të veçantë, i cili e definon si ndërmarrje publike".
Protestat, sipas opozitës, janë, "si reagim ndaj deklaratave të ministrit serb në qeverinë e Kosovës Aleksandar Jabllanoviç,  i cili protestueset shqiptare në Gjakovë i ka quajtur 'egërsira'" dhe pas zhvillimeve rreth Trepçës kur "qeveria që vetë e sponsorizoi Ligjin dhe thirri seancën e jashtëzakonshme, e tërhoqi të njëjtin Ligj për ta rikthyer në Kuvend me ndryshime thelbësore".
/f.n/