Mustafa: MSA-ja, për të ardhmen evropiane të Kosovës


-Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar orientimin e tyre proevropian, ata janë përcaktuar që vendi ynë është në Evropë-
Prishtinë, 2 nëntor ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u ratifikua Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka thënë se miratimi i MSA-së është një ditë shumë e madhe për Kosovën, pasi që kemi të bëjmë me një dokument tepër të rëndësishëm për vendin.
Kryeministri Mustafa tha se ky dokument për nga rëndësia është në piedestalin e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në, të ndërtimit të urave lidhëse dhe për përplotësimin e kushteve për anëtarësim në BE.
Kryeministri Mustafa ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar në këtë marrëveshje, BE-në dhe gjitha vendet e BE-së për përkrahjen dhe për angazhimin e tyre gjatë gjithë kësaj rruge, në sqarimin e të gjitha pikave të kësaj marrëveshje.
"Falënderoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, në radhe të parë Kuvendin e Kosovës në të gjitha mandatet, sepse janë deputetët ata që kanë përcjellë në mënyrë të vazhdueshme përmes vendimeve të tyre, ligjeve që i kanë aprovuar, progresin tonë në përplotësimin e kushteve që para nesh i ka shtruar BE-ja", theksoi kryeministri, duke falënderuar edhe qeverinë e Kosovës, Presidenten dhe të gjithë individët për angazhimin dhe përkushtimin në këtë proces.
"Ky proces është tepër i rëndësishëm për ne, në krijimin e shtetit ligjor, në krijimin e kushteve për zhvillim më të mirë ekonomik dhe të ndërlidhjeve ekonomike me vendet e BE-së, sepse kemi të bëjmë me një treg prej më shumë se 500 milionë banorëve, që është treg krejtësisht i ri, e që ofron cilësi krejtësisht tjera për ekonominë tonë dhe për mundësitë tona tregtare dhe ekonomike. Është një marrëveshje e cila na mundëson cilësi tjetër të demokratizimit të vendit dhe të kyçjes së të gjithë qytetarëve tanë, pa marrë parasysh etninë, pa marrë parasysh fenë, pa marrë parasysh orientimin e tyre politik, në një front të përbashkët të angazhimit tonë karshi Bashkimit Evropian dhe me Bashkimin Evropian", theksoi kryeministri Mustafa.
Më tutje, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se në këtë rast nuk shtrohet pyetja rreth relacionit të BE-së ndaj Kosovës. "Nuk shtrohet pyetja se cili është relacioni i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, sepse është shumë i qartë me këtë Marrëveshje për ne. Por shtrohet çështja që ne duhet t'i plotësojmë në të ardhmen të gjitha kriteret, të cilat i kemi pranuar me këtë marrëveshje si kontratë që po e bëjmë me Bashkimin Evropian. Është një kontratë shumë e rëndësishme për ne. Ne duhet të punojmë me të gjithë qytetarët tanë, duhet të punojmë me të gjitha institucionet tona, duhet të punojmë me ekonominë, duhet të punojmë me shoqërinë civile, sepse të gjithë së bashku e kemi vendin në realizimin e saj. Fryma e marrëveshjes është frymë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar orientimin e tyre proevropian, ata janë përcaktuar që vendi ynë është në Evropë, dhe kjo Marrëveshje siguron që ne ta sendërtojmë vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës", tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu bëri të ditur se pas kësaj Marrëveshje, Qeveria e Kosovës deri në fund të këtij viti do të fokusohet në dy çështje tepër të rëndësishme, "Së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, po punojmë shumë në anëtarësimin në UNESCO, që është një hap shumë i madh që duhet ta bëjmë dhe presim nga Bashkimi Evropian se do të caktohet data e liberalizimit të vizave, që mendoj se është një meritë e jona dhe do të jetë meritë edhe e Bashkimit Evropian", tha kryeministri Isa Mustafa, para deputetëve dhe të pranishmëve të tjerë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u miratua Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike./b.j/k.s/

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, “kalbja mediatike” e Tiranës infektoi Prishtinën