Mustafa në Bruksel do të kërkojë
liberalizim me kusht për Kosovën

Mustafa në Bruksel do të kërkojë<br />liberalizim me kusht për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet që të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, ku do prezantojë kërkesën e tij të re në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
 
Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
 
Mustafa, do të kërkojë që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të Demarkacionit, dhe nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbushë këtë kriter, asaj t’i merret sërish liberalizimi dhe t’i kthehet regjimi i vizave.

Kryeministri Mustafa ka deklaruar së fundmi se këtë çështje e ka diskutuar me Përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ku sipas tij, ministri gjerman ka premtuar se kërkesa do të merret parasysh.
 
Mirëpo, njohësit e integrimeve evropiane dhe ata të zhvillimeve politike konsiderojnë se një kërkesë e tillë nga ana e Kosovë është e vonuar.
 
Ata thonë se edhe në rast se një kërkese e tillë pranohet, ajo mund të vonojë shumë derisa të miratohet nga Brukseli.
 
Besa Shahini, njohëse e integrimeve evropiane tha se ka raste në të kaluarën kur Komisionit Evropian i janë drejtuar kërkesa që jo domosdoshmërish kanë qenë relevante për proceset integruese, dhe në disa raste, BE-ja ka pranuar t’i heq disa nga kriteret e përcaktuara.
 
Ajo ka përmendur si shembull rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës, kur në vitin 2011, BE-ja kishte kërkuar që ta ndryshonte mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
 
Megjithatë, në rastin e Kosovës Shahini thotë se ideja e kryeministrit Mustafa, në këtë moment, vështirë se mund të has në mirëkuptim, pasi që Komisioni Evropian dhe vendet anëtare e kanë vendosur gjithë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
 
"Nëse kryeministri kërkon një gjë të tillë kjo është e mirë, por kjo nuk do të thotë që Komisioni Evropian do të tërhiqet prej një kërkese edhe nëse nuk është kërkesë relevante për procesin e liberalizmit të vizave, siç nuk është ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
 
Edhe në këtë rast ata do të merrnin shumë kohë derisa të tërhiqeshin nga kërkesa e tyre, që do të thotë se prapë se prapë kanë për të kaluar shumë vite", tha Shahini. (REL)

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë