Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministri për Komunitete dhe Kthim (MKK) Dalibor Jevtiq, bashkë me disa ministra të tjerë, vizituan sot komunën e Novobërdës, ku folën për investimet e ardhshme në infrastrukturën e këtij qyteti, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe gjendjen e sigurisë.
Kryeministri Mustafa tha se, në Novobërdë ka ardhur për të dëgjuar se me cilat probleme ballafaqohet komuna dhe se për këtë arsye janë këtu edhe ministrat, për të dëgjuar për këto probleme dhe të marrin në konsideratë mundësitë për ndihmë.
Ministri Jevtiq tha se, ministria në komunën e Novobërdës ka investuar edhe gjatë mandatit të tij të mëparshëm, ndërsa theksoi se, mbështetja dhe investimet në këtë komunë nuk do të mungojnë.
"Ju e dini që në Novobërdë në të kaluarën kemi realizuar një numër të konsiderueshëm të projekteve, dhe ne besojmë se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Kjo nuk do të jetë rasti vetëm me komunën e Novobërdës, por në të gjitha vendet ku ka nevojë për të ndihmuar komunitetet atje ku janë jo-shumicë dhe në përputhje me mundësitë tona. Unë gjithashtu pres mbështetje më të madhe nga Qeveria e Kosovës, kur është fjala për projektet e kthimit dhe stabilizimit", tha Jevtiq.
Kryetari i Novobërdës, Svetislav Ivanoviq, duke falënderuar mysafirët, ka thënë se kjo vizitë është shumë e rëndësishme dhe është shprehur se beson se do të jetë efektive./atsh/