PRISHTINË, 3 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.-Kryeministri kosovar Isa Mustafa në konferencën për shtyp sot pasdite theksoi angazhimet për stabilitet në rajon dhe për njohjen e Kosovës nga Serbia.
"Jemi shumë të interesuar që të bëjmë integrimin e veriut, që të krijojmë ura të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, veçmas me komunitetin serb, të vazhdojmë dialogun në Bruksel për të zgjidhur të gjitha problemet dhe çështjet që i konsiderojmë se janë të diskutueshme dhe të debatueshme me qeverinë serbe për të krijuar një stabilitet në rajon dhe për të ardhur deri te gjendja që Serbia do ta pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë në këtë aspekt", theksoi Mustafa.
"Do të punojmë me të gjitha komunitetet tona në mënyrë që të zgjidhim problemet e tyre dhe ato ta njohin dhe ta përjetojnë Kosovën si vendin e tyre, çdo pëllëmbë të Kosovës si vendin e tyre, por nuk do të lejojmë në asnjë moment që për territorin tonë, për pasurinë tonë, të debatojmë me të tjerët, sepse ato i konsiderojmë që janë të drejta të patjetërsueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe janë çështje e sovranitetit të Republikës së Kosovës", shtoi Mustafa.
Ne, vijoi ai, ditëve të fundit jemi ballafaquar me shumë protesta, me pakënaqësi, me greva të fushave të ndryshme, po ashtu me kërkesat e protestuesve, në dy protestat e kaluara sa i përket Trepçës dhe sa i përket ministrit Jabllanoviç.
"Unë mund t'iu njoftoj se nga sot ministri Jabllanoviç nuk është pjesë e kabinetit qeveritar", tha Mustafa.
Sa i përket Trepçës, mund të them se po të mbetej ashtu si ishte, me vendim të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, sot Trepça do të ishte në procesin e falimentimit. "Por, kjo Qeveri dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për ndryshimin e Ligjit mbi Organizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Aseteve të Tyre, dhe kemi pamundësuar që Trepça t'i nënshtrohet procesit të falimentimit", tha Msutafa.
Riorganizimi i mëtejshem i Trepçës dhe definimi i saj pronësor, vijoi ai, do të bëhet pasi të bëhet Strategjia për Trepçën, pasi të jenë konsultuar në mënyrë bazike ekspertët më të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, dhe në saje të kësaj dhe interesave tona për zhvillim ekonomik jo vetëm të shqiptarëve, por për interesa të të gjitha komuniteteve dhe gjithë qytetarëve tanë, do të vendosim se si do ta definojmë në pikëpamje pronësore Trepçën. /a.ke/









