PRISHTINË, 27 Janar /ATSH/.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dolën bashkë në një konferencë për media, ku ritheksuan se qeveria  e Republikës së Kosovës e ka përcjellë me kujdes protestën e zhvilluar të martën në Prishtinë dhe dhunën e ushtruar gjatë saj.
 Kryeministri Mustafa tha se sot "thirrjet në protestë më së paku kanë qenë për Jabllanoviçin, kanë qenë thirre për rrëzimin e qeverisë së Kosovës".
Ndërsa zv/kryeministri Thaçi tha se, "ne nuk kemi nevojë t'i japim botës pamje të tilla të shtetit tonë të ri, që dikush këtë ta shfrytëzojë nesër e të thotë se ky vend nuk mund të funksionojë si shtet, sepse përdoret dhunë për të ardhur në pushtet".
"As mendjen s'e kemi të hapim dialog në Bruksel (me Serbinë) për Trepçën", tha Mustafa duke u pergjigjur në pyetjet e gazetarëve.
 Në një deklaratë më herët, Qeveria e Kosovës shprehu vullnetin e plotë që të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike, me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit për të adresuar të gjitha kërkesat e qytetarëve në rrugë ligjore dhe kushtetuese./b.j//a.ke/