Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, reagoi sot ndaj paralajmërimit te Hashim Thaçit për zgjedhje te reja, duke thënë se ato mund te mbahen vetëm për PDK-në.

Në një postim në rrjetin social Facebbok, Mustafa, shprehet se "PDK, që me koalicionin pesëpartiak ka vetëm 36 vota në Kuvendin e Kosovës prej 120 votave, vështirë se mund të përcaktojë se çfarë duhet të bëhet në Kosovë dhe se kur vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Në zgjedhje nëse u shkohet mund të shkojnë vetëm ata, sepse ky Kuvend ka shumicë parlamentare".

"Kuvendi duhet të zhbllokohet nga mbajtja peng e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, duhet të zgjedhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Qeverinë do ta zgjedhë ai grupim që ka shumicën e votave, që është i gatshëm të sigurojë zhvillim, përfshirje të komuniteteve, luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe partneritet evropian.

Kushtetuta do të respektohet, do të veprohet edhe sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por një gjë është e qartë se Qeveria e këtij vendi zgjedhet me votat e shumicës së deputetëve dhe jo sipas renditjes të subjekteve politike nga zgjedhjet kombëtare", përfundon Mustafa.

ATSH