Vetëm pak kohë më parë, Mentor Mustafaraj ishte arrestuar nën akuzën e dëshmisë së rreme. Ai kishte denoncuar për korrupsionin gjyqtarin e Vlorës Thoma Nika se i kishte rryshfet prej 30 mijë euro gjyqtarit, por nga verifikimet e prokurorisë u vërtetua se nuk ishin të vërteta dhe Mustafaraj përfundoi nën akuzën e kallëzimit të rremë. Për këtë akuzë Mustafaraj u dënua me 6 muaj burg për akuzën e "Kallëzimit të remë". Vendimi u mor nga gjykata e Fierit në vitin 2011 dhe pas dënimit Mustafaraj është lënë i lirë për shkak se koha e dënimit ishte shlyer nga periudha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpie.

PUSHOHEN HETIMET NDAJ GJYQTARIT, E DENONCOI MUSTAFARAJ
(lajmi u publikua në gazetën Panorama, 27 prill 2012)
Një qytetar, i cili ka denoncuar për korrupsion gjyqtarin e Vlorës, Thoma Nika, ka përfunduar nën akuzë për kallëzim të rremë. Sipas Prokurorisë, akuzat për ryshfet ndaj gjyqtarit kanë rezultuar të pavërteta, ndërsa padia i është kthyer kundër qytetarit. Shtetasi Mentor Mustafaraj e kishte akuzuar gjyqtarin për marrje ryshfeti në shumën 30 mijë euro, por sipas Prokurorisë, një gjë e tillë ka rezultuar e pavërtetë. Pasi ka vendosur pushimin e hetimeve ndaj gjyqtarit, Prokuroria ka ngritur akuzë për kallëzim të rremë për shtetasin Mustafaraj, me argumentin se padia e tij përmbante fakte të rreme. Pikërisht kjo padi ishte bërë shkak që Prokuroria të kërkonte heqjen e imunitetit të gjyqtarit të Vlorës, ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte vendosur t’i jepte Njësisë Task-Force Antikorrupsion autorizimin për fillimin e hetimeve. Sipas padisë së bërë nga Mentor Mustafaraj, në datën 14 shtator 2009, në një lokal në Tiranë, gjyqtari Thoma Nika ishte takuar me shtetasin me inicialet K. L., nga i cili ka marrë 30 mijë euro. Personi që ka dhënë paratë, sipas kallëzuesit Mustafaraj, i ka thënë gjyqtarit “mbylle këtë punë”. Në kallëzim thuhej se shtetasi K.L., shumën 30 mijë euro e kishte marrë nga një biznesmen ndërtimi, i cili kishte gjyq me Mustafarajn, ndërsa çështja shqyrtohej nga gjyqtari Thoma Nika. Së bashku me paditësin, rrethanat e kallëzimit ishin konfirmuar edhe nga familjarët e tij, por Prokuroria ka verifikuar edhe më tej. Të afërmit e Mustafarajt kishin bërë disa foto të takimit ku pretendohej se gjyqtari kishte marrë para, por, sipas Prokurorisë, nga hetimet janë ngritur dyshime se kallëzimi i shtetasit Mentor Mustafaraj nuk është i vërtetë, pasi nuk figuron në foto fakti i dhënies së parave të pretenduara. “Kjo gjë konfirmohet vetëm nga deklaruesit J. e L. Mustafaraj, si dhe shokët e djalit të kallëzuesit I. L. dhe D. Q. Nuk provohet prania e shtetasit H. C., pasi nga të dhënat e kompanisë celulare për vendndodhjen e këtij të fundit, ai rezulton të ketë qenë në rrugë tjetër në Tiranë, por vërtetohet prania e dy personave të tjerë, dhe jo e një personi të panjohur”, thekson Prokuroria në vendimin e saj për të akuzuar për kallëzim të rremë personin që denoncon gjyqtarin e Vlorës. Sipas Prokurorisë, aparati celular me të cilin janë realizuar fotot nuk i përket shtetasit J. M., i cili pretendonte se ishte autori i fotografimit të personave në lokal.

(sg/shqiptarja.com)