Muzeu i Skënderbeut ’77, projekti 2
mln i vajzës së Hoxhës,  ja detajet 

Muzeu i Skënderbeut ’77, projekti 2<br />mln i vajzës së Hoxhës,  ja detajet 
Një përshkrim i imtësishëm i projektit fitues të muzeut  të Skënderbeut në Krujë… Ishte fundi i nëntorit 1977. Grupi projektues kishte arritur pas shumë konsultimesh të hartonin një projekt sipas kërkesave të numrit nji të regjimit.

Si do të ishin sallat, çfarë do të ekspozihej, si ishin menduar zgjidhjet arkitekturore, kostot e ndërtimit, etj…

Kjo është pjesa e fundit e dokumentit prej 17 faqesh, të vitit 1977, botimin e të cilit e kemi nisur para tre ditësh në Shqiptarja.com.
Dokumenti i plotë, dy pjesët e para të të cilit i botuam në numrin e të martës dhe të të mërkurës me 6 dhe 7 shtator, zbërthen gjithë detajet e parashtruar prej arkitektëve dhe historianëve për të ndërtuar këtë vepër që ishte nën vëmendjen e posaçme të Enver Hoxhës.

Pjesa e parë e dokumentit (botuar me 6 shtator) zbërthente linjat historike dhe përmbajtjen e seicilit ambjent, duke theksuar se për gjithë konceptin historik e studimor ishin marrë parasysh porositë e Enver Hoxhës.

Pjesa e dytë zbulonte gjithë detajet dhe zgjidhjet arkitekturore, hapësirat ambjenteve dhe kostot financiare të seicilit prej tre projekteve fillestare. Më tej zbulohej se pas disa diskutimesh në nivel ekspertësh kishin hartuar një projekt të katër ku kishin ndërthuar detaje nga të tre projektet e para dhe se projekti i katërt do të kishte një kosto 2 milion lekë. 

Sot sjellim pjesën e fundit të dokumentit, ku përshkruhet në detaje projekti fitues, pra projekti i katërt ku kishin ndërthurur idetë e tre projekteve të para. 
Dokumenti ishte hartuar në Ministrinë e Ndërtimit nga grupi i punës prej 7 vetësh, mes të cilëve edhe vajza e Enver Hoxhës. Grupi projektues ishin:  Pirro Vaso, Panvera Hoxha, Gjon Kroqi, Ferit Stermasi, Kujtim Meka, Gjergj Çaçani dhe Luiza Goshi dhe i firmosur në fund nga arkitekti Sokrat Mosko.

 
Pjesa e tretë dhe e fundit e dokumentit

Vijon nga numri i ditës së mërkurë

b) Zgjidhja funksionale arkitektonike:
Duke shfrytëzuar pjerrësinë e terrenit, hyrja për në muze bëhet me anën e disa shkallëve që të çojnë në harkun qendror të hyrjes, i cili së bashku me harqet anësore, të vendosura në plane të tjera, formon kompleksin e hyrjes së muzeut. Këtu spikat elementi vertikal duke synuar në rritjen e monumentalitetit të hyrjes dhe të vetë objektit. Harqet janë trajtuar në formë gjysmë rrethi në lartësinë e dy kateve të godinës.
Menjëherë sa hyn në holl të bie në sy figura qendrore e Skënderbeut me sfond mur guri në formë harku, holli do të jetë i shtruar me pllaka guri. Muri e çan soletën në formë rrethore dhe kështu krijohet një mexaminë që krijon mundësinë shikimit të figurës së Skënderbeut edhe nga sipër dhe i jep hollit lartësinë e dy kateve.
Si qarkullim, ambientet janë të vendosura në një sens zhvillimi në të djathtë, por brenda secilit ambient mund të ndiqet edhe sensi i lirë, në vartësi të organizimit të eksponateve.
Me anën e disa shkallëve shkëputesh nga holli dhe drejtohesh për në sallën e trashëgimisë. Përballë hyrjes së kësaj salle është menduar një vend për trajtimin në afresk të një beteje nga kryengritjet ilire të Romës, për të treguar se lufta e Skënderbeut është një vazhdim i luftës shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi, për mbrojtjen e kulturës së tij.
Salla e trashëgimisë është menduar të trajtohet me mure dhe kolona guri të stilit romanik të pellgut të Mesdheut. Prej kësaj salle, shikimi, duke kaluar nëpërmjet grilës së hekurit që e ndan këtë nga ambienti i invazionit, shkon e përqendrohet te momenti kryesor i muzeut që ndodhet në sallën e “Bashkimit dhe Përballimit”.
Pas sallës së trashëgimisë kalohet në ambientin e dytë, kushtuar invazionit osman. Ky ambient ndodhet në një kuotë më të ulët për të vënë në dukje që kjo është një nga periudhat më të errëta të historisë së popullit tonë dhe trajtohet si një korridor i errët.
Nga ambienti i errët i invazionit osman, me anën e një palë shkallëve që kurorëzohen me një hark, futesh në sallën kryesore të muzeut, në atë të “Bashkimit dhe Përballimit”. Kjo temë përbën një unitet me temën pasuese “Masat dhe udhëheqësit”, prandaj është trajtuar në një ambient me të. Menjëherë sa futesh në këtë sallë ke përballë momentin kryesor, qendrën e gravitetit të zhvillimit logjik të muzeut që përbëhet nga shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut me sfond flamurin e kuq të Kastriotëve, që u bë flamuri kombëtar. Ky moment kryesor është inkuadruar në një afresk të madh, me temë nga betejat fitimtare të shqiptarëve, nën udhëheqjen e Skënderbeut, kundër ushtrive turke. Ky afresk është menduar të realizohet në murin gjysmë rrethor dhe që mund të shikohet nga vizitori, kur ky arrin në fund të sallës.     
Kjo sallë është e ndarë në tri pjesë me anën e dy rreshtave me kolona, që mbarojnë me harqe në të dy drejtimet. Trajtimi gjatësor i sallës dhe vendosja e këtyre objekteve në krye të saj, i ngjall vizitorit emocione të mëdha. Gjithashtu është menduar që kjo sallë të ketë një thjeshtësi solemne dhe të mos jetë e ngarkuar me eksponentë të tepërt. Në këtë sallë do të përdoret mermeri i kuq i muhrit në dysheme dhe muret do të vishen me pllaka guri ose mermeri mat deri në lartësinë e fillimit të harqeve; pjesa tjetër do të jetë me suva.
Mermeri do të përdoret gjithashtu në brinjët e harqeve, në kornizat e dyerve etj.
Nga kjo sallë me anën e një palë shkallëve ngjitesh në hollin e katit të dytë ku ndodhet edhe një dhomë pushimi.
Pastaj vizita vazhdohet duke u ngjitur në katin e sipërm të kullës, ku ndodhet kancelaria e Skënderbeut që është një nga ambientet e temës “Skënderbeu dhe bota”. Në katin e poshtëm të saj ndodhet biblioteka dhe një ambient ku mund të zhvillohen biseda ose leksione për një numër jo të madh vizitorësh. Nga ky kat zbritet përsëri në hollin e katit të dytë dhe kalohet në ambientin e trajtuar si pinakotekë dhe që i takon temës së mësipërme.
Prej pinakotekës kalohet në sallën e fundit “Skënderbeu dhe populli shqiptar”. Hyrja për në këtë sallë bëhet duke pasur përballë kompozimin artistik që do të shërbejë si mbyllja e muzeut.
Dalja nga muzeu bëhet nga kjo sallë dhe menjëherë të dalin përballë mali, kështjella natyrore e Skënderbeut si dhe kulla e sahatit me një pjesë të mureve të Kalasë.
Në pjesën e bodrumit janë menduar ambientet ndihmëse të muzeut si drejtoria, arkivi, laboratori, depo si dhe grupi i ËC. Në projekt është menduar të lihet edhe vendi për një ashensor.
Në këtë variant mund të shfrytëzohen edhe tarracat, gjithashtu edhe kulla e hyrjes dhe burgu, pas restaurimit të tyre.
Trajtimi i jashtëm i objektit është bërë i tillë, që në pamjen nga qyteti i Krujës, të ketë një ndërthurje të formës së shtrirë horizontale të muzeut me pjesën vertikale të kullës, ndërsa në pamjen nga brenda kalasë të dominojnë elementet vertikale të pjesës së hyrjes.
Konsolat mund të realizohen me gurë konstruktivë duke u mbështetur në traditën e hershme të ndërtimit. Çatia është menduar e rrafshët, e mbuluar me pllaka guri dhe ka parapet, si ndërtimet bashkëkohëse të pellgut të Mesdheut.

c) Pjesa konstruktive:
Struktura vertikale mbajtëse në përgjithësi është prej muresh guri, pjesët në dukje të muraturës janë prej guri të gdhendur. Soletat e ndërkateve janë monolite për karakterin e veçantë që ka ky objekt. 
Kolonat e sallës së “Bashkimit dhe Përballimit” mbi të cilat mbështeten dhe harqet e gurit janë prej guri të gdhendur me zemër beton arme; kurse kolonat e tjera të rrumbullakëta po prej guri të gdhendur me vrimë në mes në të cilën kalon tubi metalik me diametër 16 cm.
Themelet në përgjithësi janë prej guri.
Muri i gurit në lartësi, do të pajiset me breza betoni të maskuar me veshje me pllaka guri, kur muri nuk suvatohet.
d) Ndriçimi:
Rolin kryesor në ndriçimin e muzeut të Skënderbeut do ta luajë ndriçimi artificial. Ndriçimi natyral do të ketë i pakët, për vetë hapjet e rralla që ka arkitektura e këtij objekti.
Ndriçimi artificial do të realizohet nga kombinimi i dritës luminishente me atë inkandeshente në mënyrë të tillë që t’i afrohet ndriçimit natyral. Ky ndriçim artificial do të arrihet me ndriçues të fshehur dhe do të jetë përqendruar në momentet kryesore të ekspozimit. Ndriçimi i brendshëm do të krijojë efektet e duhura, duke e drejtuar vëmendjen aty ku kërkohet. Aty ku ndriçuesit do të lihen në dukje, do të jenë të realizuar artistikisht me hekur të rrahur, duke iu përshtatur frymës së shekullit të 15-të. ….
Fondi i nevojshëm për këtë variant – 2 milionë lekë;
Kostoja për njësi të sipërfaqes – 1.150 lekë/m2
Kostoja për njësi të vëllimit – 270 lekë/m3.
Ky variant u miratua përfundimisht nga mbledhja e zgjeruar e këshillit teknik të ISP Nr. 1, më 15.11.1977 dhe i dërgohet për miratim Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës si investitor.
* * *
Para se të përfundojmë, dëshirojmë të vëmë në dukje edhe disa probleme, zgjidhja e të cilave do të ndikojë në realizimin më të shpejtë të projektit përfundimtar të Muzeut të Skënderbeut në Krujë:
1. Kryerja në një kohë sa më të shpejtë e punimeve arkeologjike, që duhet të ishin bërë në vendin e ndërtimit të muzeut. Nga rezultatet e këtyre punimeve varen edhe ndryshimet eventuale që mund të pësojë projekt-ideja e hartuar.
2. Kryerja në një kohë sa më të shpejtë e punimeve studiuese e restauruese në kompleksin e hyrjes së Kalasë së Krujës, gjë që do të ndikojë në përmirësimin e mëtejshëm të projektit të Muzeut të Skënderbeut në drejtim të arritjes së fizionomisë së arkitekturës së shekullit të 15-të në këtë vepër.
3. Kryerja e studimeve gjeologjike në vendin e ndërtimit të muzeut.
4. Në preventivin paraprak nuk është parashikuar sistemimi i ambientit rreth muzeut, që mendojmë të bëhet me fonde të mirëmbajtjes dhe sistemimit të kalasë.
5. Duke marrë parasysh se ende nuk janë bërë gjurmimet arkeologjike në vendin e ndërtimit, punën përgatitore që duhet të kryhet lidhur me restaurimin, me zgjedhjen e materialeve si dhe vështirësitë që paraqet projekti lidhur me interierët dhe hollësitë e tjera, do të sugjeronim që ndërtimi i objektit të planifikohet të fillojë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1978, duke përfunduar projektin e plotë të zbatimit në gjashtëmujorin e parë të atij viti.
6. Megjithëse për këtë objekt nuk është kërkuar ngrohje qendrore, mendojmë që ky muze të ketë ngrohje. Për këtë duhet një fond prej rreth 200.000 lekësh mbi atë të preventivit paraprak.
Së fundi, mendojmë që ndërtimi i këtij muzeu duhet të jetë pjesë përbërëse e sistemimit, rindërtimit dhe restaurimit të Kalasë së Krujës, të mureve të saj, në gjendjen origjinale të kompleksit të hyrjes, të kullës së sahatit, të kalldrëmeve, puseve dhe objekteve të tjera, që mund të zbulohen. Duke u bërë kjo punë paralelisht me ndërtimin e Muzeut të Skënderbeut, do të arrihet ajo që brenda monumentit më të madh, më të rëndësishëm, Kalasë së Krujës, të kemi një vepër me vlerë monumentale, përkujtimore dhe edukative instruktive, një vepër të denjë për emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

GRUPI I PROJEKTIMIT
Pirro Vaso 
Pranvera Hoxha 
Gjon Kroqi 
Ferit Stermasi
Kujtim Meka
Gjergj Çaçani
Luiza Goshi

DREJTORI
Ark. (Sokrat Mosko) (firma)

Tiranë, më 21.11.1977


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë