Muzeu i Skënderbeut ‘77, pse
u miratua varianti 2 milionësh

Muzeu i Skënderbeut ‘77, pse<br />u miratua varianti 2 milionësh
 Një ditë më parë sollëm për lexuesint tanë pjesën e parë të një dokumenti mjaft interesant që zbulonte gjithë prapaskenat e ndërtimti të muzeut të Skënderbeut në Krujë në 1977-1978.

Dokumenti prej afro 17 faqesh, i përgatitur në ministrinë e ndërtimit në vitin 1977 parashtronte projektidenë e ndërtimti të Muzeut të Skënderbeut në Krujë. Projekti madhor ishte urdhëruar nga vetë enver hoxha dhe mes grupit të punës ishte edhe arkitektja pranvera hoxha vajza e  diktatorit.

Pjesa e parë e dokumentit zbërthente linjat historike dhe përmbajtjene  e seicilit ambjent, duke theksuar se për jgithë konceptin historik e studimor ishin marr ëparasysh porositë e Enver Hoxhës.

Dokumenti i hartuar nga grupi i punës, prej 7 vetësh: Pirro Vaso, Panvera Hoxha, Gjon Kroqi, Ferit Stermasi, Kujtim Meka, Gjergj Çaçani dhe Luiza Goshi dhe i firmosur në fund nga arkitekti Sokrat Mosko, vijon sot me detaje në të gjithë pikat e projekt idesë ndërtimore të këtij muzeu.

 Në këtë pjesë të dokumentit zbulohen gjithë detajet dhe zgjidhjet arkitekturore, hapësirat  ambjenteve dhe kostot financiare të seicilit prej tre porjekteve fillestare. Më tej dokumenti zbulon se grupi i punës për nëj varg shkaqesh dhe pas disa diskutimesh në nivel ekspertësh kishin hartuar një projekt të katër ku kishin ndërthuar detaje nga të tre projektet e para. Më në detaje i sjellim në pjesnë e dytë të dokumentit shoqëruar edhe em skicat e projekteve. 
Ad.Pe.
 
Pjesa e dytë e dokumentit
 
B. Hartimi i projekt-idesë ndërtimore:

Për të zgjidhur këtë detyrë të rëndësishme, grupi i projektimit pati gjithmonë parasysh porositë e shokut Enver për Muzeun e Skënderbeut: “...për të bërë mirë dhe për ta shprehur si duhet kombëtaren në Muzeun e Krujës, arkitektët më parë duhet të bëjnë një punë kolosale përgatitore e studiuese. Ata duhet të njohin mirë historinë e Skënderbeut e të luftëtarëve të tij, të konsultojnë historianët specialistë me qëllim që të hyjnë mirë në jetën e ambientin e kohës.

Sepse nëse flasim për ndërtimin e një muzeu në territorin e kalasë, duhet pasur parasysh se kalaja përbën momentin kryesor. Asgjë, asnjë ndërtesë nuk duhet të dominojë mbi kalanë. Prandaj atje duhet ndërtuar diçka që të jetë pjesë përbërëse e kalasë, t’i ngjitet asaj dhe të duket si një ndërtesë e shekullit të 15-të, e mbi të tëra shqiptare.
... Për të bërë mirë këtë punë nevojitet një përgatitjet e gjithanshme. Duhen studiuar libra, gravura, albume kalash të vjetra të shekullit të 15-të, banesash që ka pasur brenda kalave etj. Sepse vetëm atëherë do të dimë si duhet të jetë pamja e këtij muzeu”.

Duke zbatuar këtë porosi të shokut Enver, grupi i projektimit bëri një punë të gjatë përgatitore, duke u thelluar në studimin e materialeve të Partisë e veprave të shokut Enver, të historisë së Shqipërisë e veçanërisht të historisë së periudhës së Skënderbeut. U studiuan monumentet e arkitekturës në Shqipëri, historia e arkitekturës evropiane, e veçanërisht ajo e vendeve fqinje e të pellgut të Mesdheut, gravurat e ndryshme që i takojnë periudhës së Skënderbeut, libra të ndryshëm të historisë e letërsisë me tema bashkëkohore të Skënderbeut etj.

Pra, për të arritur kërkesat e shtruara për Muzeun e Skënderbeut në Krujë, jemi përpjekur që ky objekt, meqë do të ndërtohet brenda në Kalanë e Krujës, të jetë në frymën e kalasë, të bëhet pjesë përbërëse organike e saj. Për këtë kemi menduar që muzeu të ndërtohet në frymën e ndërtimeve të asaj kohe.

Ndërtimet që trashëgojmë nga ajo kohë, për vetë faktin e robërisë shekullore dhe shkatërrimit barbar që ka pësuar vendi ynë, janë shumë të pakta e të varfra, prandaj jemi mbështetur edhe në stilin e ndërtimeve që arriti ajo periudhë, në stilin romanik të vendeve të pellgut të Mesdheut, duke pasqyruar edhe disa nga veçoritë tona kombëtare, të shprehura në ndërtimet tona të periudhave të mëvonshme.

Arkitektura e stilit romanik karakterizohet nga përdorimi masiv i gurit, nga thjeshtësia, brenda dhe jashtë, nga përdorimi i harkut gjysmë rrethor, muret e saj janë tepër solide dhe pa shumë hapje, dritaret janë të rralla etj. Disa nga këto karakteristika jemi përpjekur t’i përshtatim edhe në godinën e Muzeut të Skënderbeut, duke folur me gjuhën e gurtë të Kalasë së Krujës.

Arritja në këtë përfundim, për trajtimin arkitektonik të muzeut, nuk është e rastit. Kjo gjë është arritur si rezultat i të gjitha studimeve të lartpërmendura. Monumentet arkitektonike të asaj kohe, vërtet që nuk kanë arritur në mesën e duhur deri në ditët tona por ato janë ndërtuar nga duart e mjeshtërve tanë, ato kanë ekzistuar, ato nuk mund të mos kenë shoqëruar atë kulturë shpirtërore të nivelit të lartë që ishte arritur në vendin tonë në atë kohë, të barabartë për nga gjerësia dhe thellësia me kulturën e vendeve të tjera evropiane.

Përdorimi në masë i gurit, i punuar ashpër në eksterier me teknikën e ndërtimeve origjinale të kalasë, më i ngrohtën interier në muret, kolonat dhe harqet, në shtrimin e dyshemesë do të shoqërohet edhe me përdorimin e drurit në gjendje natyrore, në veshje, dysheme, mobilie etj., si dhe me përdorimin e hekurit të rrahur në grila, skarë, parapete, detaje portash, shandanë të punuar artistikisht etj.

Një faktor i rëndësishëm në arritjen e karakterit që kërkohet për këtë vepër, është padyshim sinteza e arkitekturës me artet e aplikuara. Kjo gjë, sigurisht, është menduar të bëhet në rrymën e asaj kohe, duke përdorur kryesisht pikturën murale ose afreskun si dhe relievin në gur apo metal. Kjo gjë do të konkretizohet edhe më mirë me grupin e artistëve, që u caktuan tani së fundi, për të bashkëpunuar në projektimin e këtij muzeu, me qëllim që të arrihet një vepër me mendim unik, si në drejtim të kriterit historik, ashtu edhe të realizimit artistik.

Gjithashtu krahas përpjekjeve për t’iu përgjigjur kriterit historik që kërkohet nga platforma ideore, jemi munduar që ambientet përbërëse të kësaj godine të jenë ambiente muzeu, lehtësisht të vizitueshme nga ana funksionale, duke evituar sa të jetë e mundur më shumë përplasjet ose pikat e konfliktit në qarkullimin e vizitorëve.

Të gjithë këta faktorë që përmendëm më sipër, do të ndihmojnë në atë që, duke ndërtuar një vepër monumentale, Muzeun e Skënderbeut, tërësia arkitektonike e tij të pasqyrojë dëshirën e madhe dhe të flaktë të popullit shqiptar për liri, të këtij populli që lindi Skënderbeun, luftoi me të në krye, në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, luftoi për shekuj me radhë me emrin dhe figurën e tij flamur dhe që sot përkujtimi e nderimi i këtij heroi legjendar bëhet në majat ku na ka ngjitur Partia.

Prandaj për të projektuar një vepër sa më të denjë për historinë që ai do të pasqyrojë, jemi munduar të kuptojmë dhe të përvetësojmë thellësisht orientimet e Partisë dhe të shokut Enver për Muzeun e Skënderbeut si dhe të zbërthejmë në mënyrë sa më të plotë programin ideor të hartuar nga grupi i punës i Akademisë së Shkencave.
Fillimisht u hartuan 3 variante të projekt-idesë së Muzeut të Skënderbeut në Krujë, brenda territorit të Kalasë.

Varianti 1:
Ky variant është vendosur në vendin midis Muzeut të sotëm të Skënderbeut dhe atij etnografik. Gjatë zgjidhjes së këtij varianti janë bërë ndryshime nga platforma ideore dhe programi i projektimit, duke bashkuar në një sallë të vetme 3 tema. Sipas këtij varianti, muzeu ka këto ambiente:

Holli i hyrjes – 60 m2;
Salla e “Trashëgimit” – 70 m2;
Salla e “Invazionit osman” – 70 m2;
Salla e Skënderbeut (ku përfshihen temat “Bashkimi dhe Përballimi”, “Masat dhe udhëheqësit” dhe “Skënderbeu dhe bota”) – 230 m2;
Salla “Skënderbeu dhe populli shqiptar” – 140 m2;
Shkallë dhe ambiente shërbimi (drejtoria, depo dhe nyje sanitare) – 110 m2.
Sipërfaqja e përgjithshme e këtij varianti është 850 m2, kurse vëllimi 4.100 m3. Fondi i nevojshëm për ndërtimin e tij është 930.000 lekë.
 
Varianti 2:

Është i vendosur po në vendin e variantit 1. Në zgjidhjen e këtij varianti i është përmbajtur programit të projektimit. Ambientet e Muzeut, sipas këtij varianti, janë:
Holli i hyrjes – 90 m2;
Salla e “Trashëgimit” – 110 m2;
Salla e “Invazionit osman” – 90 m2;
Salla “Bashkimi dhe përballimi” së bashku me “Masat dhe udhëheqësit” – 200 m2;
Tema “Skënderbeu dhe bota” është trajtuar në 3 ambiente: pinakoteka, kancelaria dhe biblioteka, me sipërfaqe të përgjithshme – 210 m2;
Salla “Skënderbeu dhe populli shqiptar” – 185 m2;
Korridore dhe shkallë – 180 m2;

Ambientet e shërbimit (drejtoria, laboratori dhe arkiva, salla e leksioneve, dhomë për pritje e pushim, depo, nyje sanitare) – gjithsej 240 m2.
 
Sipërfaqja e përgjithshme e këtij varianti është 1.700 m2, kurse vëllimi 8.200 m3. Fondi i nevojshëm është 2.0 milionë lekë.
 
Varianti 3:

Ky variant është temë e projektit të një diplome dhe e vendos muzeun në njëmend të ri, në anën e majtë të kompleksit të hyrjes për në Kalanë e Krujës. Edhe ky variant i është përmbajtur programit të projektimit.
Ambientet:
Holli i hyrjes – 130 m2;
Salla e “Trashëgimit” – 120 m2;
Salla e “Invazionit osman” – 80 m2;
Salla “Bashkimi dhe përballimi” së bashku me “Masat dhe udhëheqësit” – 190 m2;
Ambientet e temës “Skënderbeu bota” (kancelaria dhe pinakoteka) – 260 m2;
Salla “Skënderbeu dhe populli shqiptar” – 340 m2;
Korridore dhe shkallë – 220 m2;

Ambientet e shërbimit (drejtoria, laboratori dhe arkiva, salla e leksioneve, dhomë për pritje e pushim, depo, nyje sanitare) – gjithsej 240 m2.
Sipërfaqja e përgjithshme e këtij varianti është 2.150 m2, kurse vëllimi 9.600 m3. Fondi i nevojshëm është 2,4 milionë lekë.
Të tre këto variante u shqyrtuan në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Teknik të ISP Nr. 1, që u zhvillua në qytetin e Krujës në muajin shtator 1977, me pjesëmarrjen e një numri të madh punonjësish të qytetit të Krujës. Mbledhja arriti në këto përfundime:
 
1. Vlerësoi si më të përshtatshëm vendin në hyrje të Kalasë në të majtë të saj (si në variantin 3).
2. Sugjeroi që projekt-ideja t’i përmbahet programit të projektimit, hartuar nga grupi i punës i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë (si në variantet 2 dhe 3).
3. Pëlqeu veçanërisht zgjidhjen e pamjes nga Kruja të variantit 3.
4. Duke qenë se varianti 3 nuk ka të arritura si duhet pamjet e tjera dhe ka një vëllim pak të tepërt, vendosi që të hartohet një variant i ri, në vendin në të majtë të hyrjes, me bazë variantin 3, i cili të ripunohet në drejtim të zgjidhjes funksionale e të vëllimit.
    
Mbi këto baza u hartua varianti 4 në të cilin janë pasqyruar anët më të mira të secilit variant.
    
Varianti 4:
    
a) Vendosja:
Ky variant është vendosur në të majtë të kompleksit të hyrjes për në Kalanë e Krujës, ashtu si edhe varianti 3.
Kjo vendosje, për të cilën kanë qenë edhe shumica dërrmuese e diskutimeve gjatë konsultave dhe mbledhjeve të këshillit teknik, arrin shumë më mirë kërkesat e platformës ideore se sa vendosja e varianteve 1 dhe 2.

Duke folur për rolin historik të Krujës, shoku Enver ka nënvizuar unitetin dialektik ndërmjet figurës së Skënderbeut dhe Krujës: “Kush thotë Skënderbej, thotë Krujë. Populli ynë me Skënderbeun në krye e bënë Shqipërinë dhe Krujën të famshme në historinë e njerëzimit”.

Pra vërtetësi historike, vlera jetësore, ky objekt mund të fitojë vetëm nëpërmjet një ndërthurjeje të harmonizuar me pjesët e Kalasë, bashkëkohëse të Skënderbeut. Hyrja e Kalasë është një nga objektet e rralla bashkëkohëse të Skënderbeut, prandaj duhet të shfrytëzohet patjetër atmosfera rreth saj, atmosferë që mban në gji akoma të gjallë jehonën e betejave të lavdishme të Skënderbeut.

Duhet pasur parasysh se vendosja e muzeut, e postuar në të majtë të hyrjes, nuk pengon restaurimin e saj dhe ruan vlerat historiko-ndërtimore që ajo ka.
- Vendosja e muzeut në siluetën e Kalasë së Krujës i krijon atij mundësi që të marrë pjesë dhe në hapësirën e qytetit të ri të Krujës. Ai dallohet njëkohësisht në qytetin e lashtë dhe në atë të ri, duke bërë kështu një lidhje organike midis dy Krujave për të krijuar vazhdimësinë historike të veprës së Skënderbeut.

- Duke e vendosur muzeun në këtë vend, silueta e Kalasë së Krujës do të pasurohej me një element të ri. Në Këtë mënyrë arrihet që në embrion, që në pamjen e parë të muzeut nga qyteti i Krujës, që ky muze i Skënderbeut është pjesë përbërëse e Kalasë së Krujës, ai lind dhe ngrihet nga kjo kala.

- I vendosur në perimetrin e Kalasë, në skajin veriperëndimor të saj, muzeu ka përpara një hapësirë të gjerë që shtrihet deri në Adriatik. Duke qëndruar në piedestalin madhështor natyror të shkëmbit të Kalasë së Krujës, ai sheh Krujën dhe fushën e gjerë, që shtrihet në këmbët e saj.

- Zgjidhja e muzeut duke kombinuar shtrirjen e tij horizontale funksionale me theksimin vertikal të një ndërtimi jetësor, tip kulle dhe vendosja e tij mbi hyrje, duke shfrytëzuar lartësinë natyrore të saj, i jep muzeut karakterin monumental të kërkuar, e bën atë me të vërtetë një ndërtim memorial.

Vijon...


skenderbeu

skenderbeu

Vijon.....

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak