Muzeu Arkeologjik i Durrësit po shkon drejt rihapjes për publikun, pas më shumë se tre vitesh punime. Godina, e dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019, ndodhet tani në fazën përfundimtare të procesit të muzealizimit. 

Lajmi u bë i ditur nga Ministri Blendi Gonxhe i cili ka ndarë pamje nga ambientet e muzeut në rrjete sociale, duke theksuar se puna po vazhdon çdo ditë dhe se rihapja është shumë afër për publikun.

"Muzeu Arkeologjik i Durrësit ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të procesit të muzealizimit. Punimet po vijojnë dhe çdo ditë jemi gjithnjë e më pranë momentit të rihapjes së tij për publikun' shkroi ai. 

Punimet nisën në nëntor 2022. Fillimisht ishte parashikuar që të përfundonin në shtator 2024, por procesi u zvarrit për shkak të problemeve me pronësinë e godinës, që vonuan investimin prej 3.5 milionë eurosh të programit të Bashkimit Europian EU4Culture.

Pas rihapjes, muzeu do të ofrojë një koncept të ri ekspozimi. Mbi 3 mijë artefakte do të shfaqen për vizitorët, duke treguar historinë dhe zhvillimin kulturor të Durrësit nga Antikiteti deri në Mesjetë.

Sipas planit të lajmëruar edhe nga kryeministri Rama ambientet do të kenë pavione moderne dhe kushte bashkëkohore, me synimin që Muzeu Arkeologjik i Durrësit të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.

U.D/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 15 Shkurt, 14:59

    Rama firmos ndryshimin ligjor që ndalon GJKKO të pezullojë ministrat, jeni dakord?