Me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat mbetet një nga destinacionet e preferuar për t'u vizituar nga vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale bën me dije se muzeu është vizituar nga 100 mijë vizitorë.

“Mirëmëngjes dhe me këtë lajm të bukur nga Berati, ku për të dytin vit radhazi, në vitin 2025, Muzeu Kombëtar i Ikonografisë Onufri ka kaluar shifrën domethënëse prej mbi 100 mijë vizitorësh, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.

Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.