Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, të shtunën e 9 prillit, së bashku me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, drejtuan punimet për fushën e rinisë, inovacionit dhe fëmijëve, në Kongresin e Partisë Socialiste (PS).
Në fjalën hyrëse, Muzhaqi tha se, nga konsultimi që ka pasur me të rinjtë, ka evidentuar kërkesa të larta që lidhen me fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), përpos atyre për argëtim në fushat kulturore, sportive dhe hapësira të targetuara për të rinjtë.
“Shoqëria e dijes është vizioni ynë për Shqipërinë 2030”, ka deklaruar Muzhaqi, duke theksuar se kjo do të arrihet përmes krijimit të një̈ sistemi arsimor që i edukon, sfidon, frymëzon fëmijët, por edhe i përgatit ata për të qenë konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre në botë. Nga karrigia e moderatores, në panelin me të ftuar aktorë kryesor të teknologjisë dhe përfaqësues të ICTs Media, TUMO Center, SDA by Protik, Oficina dhe Coolab, ministrja e Shtetit ka ndarë me pjesëmarrësit dy lajme të mira. “Fillimi i vitit të ri akademik do të gjejë shumë fëmijë të klasave të para me një sistem krejt të ri të mësimit të teknologjisë, në laboratorë modernë të informatikës, me pajisje bashkëkohore si tabela interaktive, laptopë dhe mini-kompjutera të programueshëm”, tha ajo.
Gjithashtu, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët theksoi se, ky vizion do të aftësojë fëmijët në kodim që në klasën e parë dhe do të mbështesë të rinjtë që të bëhen koduesit e të ardhmes.
I dyti lajm ishte ai i programit jashtëshkollor, i cili do të ndahet në dy nivele dhe do të përfshijë artet dhe zejet tradicionale, kopshtet e gjelbra që do të ndërtohen në shkolla nga vetë nxënësit dhe pjesën e teknologjisë ku do të mësohen bazat e kodimit nëpërmjet mikro-kompjuterave të programueshëm.
Në përmbyllje, Muzhaqi tha se përgjatë këtij viti, për të rinjtë në fushën e TIK-ut që kanë nevojë për trajnime të mëtejshme për të thelluar njohuritë apo për ata të rinj që duan të ndryshojnë drejtimin e tyre në karrierë, do të ofrohen bursa për kurse intensive në fushat e teknologjisë. Në panelin e dytë, drejtuar nga kryebashkiaku i Tiranës, u diskutua më tepër rreth mundësive të punësimit në sektorin e teknologjisë për të rinjtë dhe fëmijët.
Lajmi kryesor: