Myrshit Vorpsi: Kërkojmë 30
miliardë euro kompensime

Myrshit Vorpsi: Kërkojmë 30<br />miliardë euro kompensime
TIRANE- Myrshit Vorpsi anëtar i shoqatës së pronarëve “Pronësi me Drejtësi” deklaron se ka qënë politika ajo që ka bllokuar çështjen e pronave për intereat e vete. Ndërsa e ka cilësuar procesin të dështuar, ai tha se fatura është 30 miliardë euro.
 
Anëtari i kryesisë së shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se politika ka bllokuar kthimin dhe kompensimin e pronave, duke i përdorur për qëllimet e saj. Ai ka nënvizuar faktin se që në ligj është gabimi, pasi është përcaktuar kompensimi dhe askund kthimi i pronave tek pronarët. Për Vorpsin janë 50 mijë hektarë tokë bujqësore dhe 7300 hektarë tokë truall, me një faturë prej 30 miliardë euro, detyrimi që shteti shqiptar ka ndaj pronarëve. Duke shprehur besimin te qeveria e re e drejtuar nga Rama, Vorpsi thotë se duhet të shmanget penalizimi i shtetit nga Strasburgu, që ka lënë afat deri më 17 qershor 2014.
 
Problemi i pronave është një problem i pazgjidhur për 23 vite me radhë, pavarësisht se kanë kaluar disa qeveri të majta dhe të djathta. Aktualisht çfarë prisni nga qeveria e re?

Nga qeveria e re mbi të gjitha pritet një gjë e thjeshtë fare, që çështjen e pronave ta pranojë si një çështje të se drejtës dhe jo si një çështje të vullnetit politik, siç ka ndodhur deri më sot. Dhe për hir të politikave populiste, e drejta e pronës është trajtuar tamam si çështje politike: “dua unë t’jua kthej pronën ua kthej, s’dua nuk bëhet”. Kështu ka funksionuar.

Gjithë legjislacioni i pronës ka qënë një legjislacion që nuk ka pasur kthimin e pronës në themelin e vet, por gjithnjë ka pasur kompensimin e pronarëve. Faktikisht është ndarë gjithë toka bujqësore dhe asnjëri nga pronarët s’ka marrë gjë ose kanë marrë me pikatore. Pas vitit 2006 ka pasur ndonjë kthim prone, pikërisht ajo që mund të ketë mbetur pas ndarjes së tokës me ligjin 7501.
 
Ju po thoni që është proces i pambyllur...?

Realiteti është ky, që për një proces të pambyllur akoma, sepse i kthimi i pronës nuk është mbyllur, qeveria shqiptare dhe shteti shqiptar ka një faturë të pabërë publike por që ekziston, prej 50 mijë hektarësh tokë bujqësore. Kjo është situata me tokën bujqësore. Ndërkohë, me sipërfaqen e tokës truall, sipas të dhënave të papublikuara është kompensuar dhe kthyer rreth 30 përqind e kësaj sipërfaqeje.

Sipas zonave të kërkuara sipërfaqja e tokave që shteti i detyrohet pronarëve për t’i kompensuar është 7300 hektarë truall. Ndërsa për sipërfaqen tjetër prej 2900 hektarë tokë truall komisionet ia kanë njohur pronarëve por nuk janë shprehur as për ta kthyer e as për t’ia kompensuar pronarëve këtë sipërfaqe toke truall. Fatura e 7300 hektarëve tokë truall e 50 mijë hektarëve tokë bujqësore janë as më shumë as më pak por ai detyrim që shteti shqiptar ka sot ndaj ish-pronarëve.
 
Ju jeni ankuar dhe në Gjykatën e Strasburgut...?

Gjykata e Strasburgut, të gjithë vemdimarrjet e saj deri më sot i ka vendimmarrje që kanë të bëjnë në vendimet që kanë marrë Komisionet për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Eshtë një proces kompensimi, që në harkun e këtyre 20 vitveve nuk është mbyllur akoma, por dhe aty ku është marrë vendimi nuk është zbatuar. Dhe meqënëse ka një vendim për kompensimin e pronarëve që nga ’93, dhe Gjykata e Strasburgut vendimmarjen e saj e ka mbi vendimet e këtyre komisioneve të pazbatuara as sot e kësaj dite.
Sipas vendimmarrjes së Gjykatës së Stasburgut, një vendim i komisionit që është marrë për kompensimin e pronarit, nëse ka kaluar një periudhë 10 vjeçare e s’është zbatuar është një titull ekzekutiv dhe i barabartë me një vendim gjykate të ekzekutueshëm.
 
Çfarë prisni më konkretisht nga qeveria e re...?

Kësaj qeverie i takon ta trajtojë çështjen e pronës si çështje të drejtësisë. E ka këtë detyrim të sotëm, ligjor dhe shtetëror, qoftë të Kushtetutës por dhe të Gjykatës së Strasburgut. Patjetër kjo qeveri duhet ta zbatojë deri më 17 qershor të vitit 2014, datë në të cilën mbyllet periudha 18 mujore që Strasburgu i ka vënë si detyrim shtetit shqiptar që të adresojë drejt çështjen e këtyre shifrave të zgjidhjes së pronës, që t’u japë një zgjidhje këtyre vendimmarjeve për 50 mijë hektarë tokë bujqësore dhe 7300 hektarë tokë truall.

Por është një proces i pambyllur akoma, pasi janë të pashqyrtuara dhe afërsisht 7 mijë dosje të pronarëve shqiptarë nga AKKP, dosje që kanë ngelur pa u shqyrtuar minimalisht që nga 2009. Në këtë mënyrë del si detyrë urgjente mbyllja e problemeve me dosjet e pashqyrtuara që janë evidente për shtetin shqiptar, për t’i dhënë zgjidhje kompensimit të këtyre sipërfaqeve të tokës bujqësore dhe truall për pronarët.
 
Po merren një sërë vendimesh për anulimin e ndërtimeve pa leje, në toka në bregdet, por dhe në qytetet të ndryshme të vendit përfshirë dhe Tiranën, por dhe legalizim falas. Mendoni se këto prona duhet të përdoren për kompensimin fizik të ish-pronarëve?

Shteti fatkeqësisht deri më sot është shpallur pronar de fakto, pra i vetëshpallur i gjithë tokave brenda 28 mijë kilometra katrorë që ka vendi. Kjo është falë Kushtetutës së vitit 1976. Në kohën e Zogut, shteti shqiptar kishte pronësitë e veta. Ashtu sikurse kishin titujt e pronësive të veta qoftë komunitetet fetare qoftë dhe personat privatë. Sot shteti shqiptar mbështetur në Kushtetutën e ‘76 i ka dhënë vetes të drejtën të vetëquhet pronar pa u deklaruar si e ka fituar titullin e pronësisë dhe mbi këtë bazë i ka dhënë të drejtën vetes që pronarëve shqiptarë, të cilët patjetër që kanë barrën e provës sipas legjislacionit në fuqi, t’i komepnsojë dhe jo t’ju kthejë pronën e vet.

Dhe brenda kësaj të drejtë që i ka dhënë vetes, duke u vetëquajtur pronar, i ka dhënë të drejtë vetes dhe të legalizojë ndërtimet pa leje, dhe për një sipërfaqe toke prej 10 mijë hektarësh të shpronësojë pronarët që kanë tituj pronësie të ligjshëm dhe të fituar pas viti ’90, e këto sipërfaqe t’ia kalojë më mirë të themi në pronësi dhe pa shpërblim, sa kohë që ata paguajnë një çmim qesharak e minimal, atyre që janë pushtues të këtyre tokave. Kjo është situata ku ndodhemi. Patjetër që kësaj situate qeveria duhet t’i japë zgjidhje. Prandaj thashë që çështja e pronës më tepër se kurdoherë duhet të trajtohet si një çështje e së drejtës e jo si një çështje e vullnetesh politike. Urojmë dhe besojmë që kjo qeveri e re do t’i japë një zgjidhje brenda këtij kuadri kësaj çështjeje, jo duke e trajtuar si çështje vullnetesh politike siç e kanë trajtuar deri më sot.
 
Ju kërkoni që ligji për pronat të jetë për kthimin fizik të tyre, por nëse mbetemi te kompensimi, sa është fatura financiare...?

Kompensimi financiar i pronarëve ka qënë totalisht një strategji e dështuar. Kështu rezulton të ketë ndodhur gjatë gjithë periudhës e deri më sot. Për një periudhë 8-vjeçare 2005-2013 ku është zbatuar kompensimi financiar i pronarëve, shteti shqiptar ka përdorur 4.6 miliardë lekë të reja dhe kjo ka shërbyer për të kompensuar tokë truall më pak se 15 hektarë. Prandaj është një strategji e dështuar. Nëse do të kthenim në pikëpamje financiare tërësisht këtë që thashë, detyrimi i shtetit shqiptar shkon afër 30 miliardë euro.
 
Për vetë kushtet duket se do shkojë gjatë koha e shlyerjes...?

E njëjta situatë mund të paraqitet dhe për legalizimin e rreth 10 mijë hektarë tokë që janë në titull pronësie dhe që sipas ligjit do të shpronësohen për efekt të legalizimit. Ajo që mund të themi është që deri më sot shteti shqiptar në kuadrin e legalizimit ka nxjerrë vendime të Këshillit të Ministrave për shpronësimin e pronarëve për efekt legalizimi për një sipërfaqe rreth 57 hektarësh, që sipas po këtyre vendimeve të qeverisë janë vlerësuar me një çmim prej 9.2 miliardë lekë të reja. Deri më sot nga ky 9.2 miliardë lekësh të reja, megjithëse ka mbi 4 vjet që vendimi ka dalë, pretendohet që likujdimi të jetë diku rreth 47%. Logjika është e thjeshtë.

Për 60 hektarë s’është dhënë as gjysma e shumës së përcaktuar sipas vendimeve të qeverisë për mbi katër vjet. Dhe kur themi se kur do mbarojë me këtë filozofi kompensimi i 10 mijë hektarëve, të gjithë e kemi të pamundur që të japim një përgjigjie për të gjetur logjikën e metodologjisë së përdorur deri më sot për kompensimin. Prandaj vijoj të përsëris se me lagalizimin ashtu si dhe me pronat është bërë politikë, për një periudhë kohe më se 10 vjeçare.
 
Fatura

“Fatura e 7300 hektarëve tokë truall e 50 mijë hektarëve tokë bujqësore janë as më shumë as më pak por ai detyrim që shteti shqiptar ka sot ndaj ish-pronarëve. Nëse do kthenim në pikëpamje financiare tërësisht këtë që thashë, detyrimi i shtetit shqiptar shkon afër 30 miliardë euro”.
 
Pronësia
“Shteti fatkeqësisht deri më sot është shpallur pronar de fakto, pra i vetëshpallur i gjithë tokave brenda 28 mijë kilometra katrorë që ka vendi. Kjo është falë Kushtetutës së vitit 1976. Në kohën e Zogut, shteti shqiptar kishte pronësitë e veta”.

Shkrimi u publikua sot (10.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Mario Balotelli mezi qëndron në këmbë, sulmuesi filmohet i dehur dhe i shtrirë në rrugë

VIDEO/ Mario Balotelli mezi qëndron në këmbë, sulmuesi filmohet i dehur dhe i shtrirë në rrugë