KUKES-   Familjarët e Begzim Isës, nga fshati Orgjos i Kukësit, mohojnë që djali i tyre të ketë lidhje me trafik të miturish. Ata ndodhen përpara gjykatës së Kukësit dhe denoncojnë se mbi 20 vjeçarin dhe vëllanë e tij Albioni, 17 vjeç, edhe ky i arrestuar është ushtruar dhunë.

Policia arrestoi të shtunën vonë Begzim Isën pasi dyshohej se kishte mashtruar 8-vjeçarin me iniciale A.F me qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës.

“Begzimi nuk ka gisht në asnjë trafik fëmijësh. Policia erdhi dhe ma mori djalin në shtrat duke fjetur. Begzimi s'ka marrë asnjë fëmijë, aq më pak nipin e tij. Arrestimi i tim biri është inskenim i policisë së Kukësit ’- ka thënë Shpresa Isa për korrespondentin tonë në Kukës Bekim Lekica. Së bashku dhe me disa familjarë të tjerë ata po protestojnë përpara gjykatës së Kukësit ku pritet të dalë për vlerësimin e masës së sigurisë 20 vjeçari.

Shpresa zbulon dhe një detaj tjetër se në komisariatin e policisë së Kukësit është shoqëruar edhe djali tjetër i saj Albioni, 17 vjeç, ndaj të cilit, sipas saj është ushtruar dhunë fizike.

ARRESTIMI TE SHTUNEN
Mësohet se 20-vjeçari Begzim Isa ka mashtruar 8-vjeçarin me iniciale A.F e ka marrë me vete dhe më pas ka tentuar të largohet me atë jashtë vendit.  Familjarët e të miturit të shqetësuar nga mos mbërritja e të birit në kohë në shtëpi kanë njoftuar menjëherë policinë e cila ka shkuar në vendngjarje dhe në rrugë operative ka arritur të identifikojë 20-vjeçarin si rrëmbyesin e të miturit. Gjithashtu në banesën e të riut policia ka gjetur fëmijën e rrëmbyer duke e kthyer atë pranë familjes, ndërsa ka vënë në pranga edhe rrëmbyesin.

Burime pranë policisë bëjnë të ditur së në momentin e gjetjes nga policia, fëmija ka shfaqur probleme psikologjike dhe ka treguar se 20-vjeçari e ka kërcënuar me pistoletë që të mos tregojë asgjë për ngjarjen.

(sg/shqiptarja.com)