Interi dhe Manchester City luajnë nesër në 21:00 për finalen e Champions League. Dueli zhvillohet në stadiumin "Ataturk" në Stamboll, me të dyja skuadrat që kërkojnë trofeun me "veshë të gjata".
Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Interit, Simone Inzaghi. Italiani ka thënë se luajnë kundër skuadrës më të fortë në botë, por ndeshja është 11 kundër 11 lojtarëve dhe të tijtë kanë mundësi.
"Është një ndjenjë e mrekullueshme të jesh këtu, ne duam të luajmë në finale në mënyrën më të mirë të mundshme. E merituam finalen, do të duhet të jemi të qartë gjatë gjithë ndeshjes", tha fillimisht trajneri.
Inzaghi u shpreh se i njeh kundërshtarët në detaje dhe Interi ka mundësitë e veta.
"E dija që do të luanim shumë në pjesën e fundit të sezonit. Ne arsyetuam ditë pas dite, tani jemi qartësisht këtu dhe ne po shijojmë atë që kemi bërë. I njohim kundërshtarët, ata janë skuadra më e fortë në botë dhe e dëshmuan këtë me vetëm disa humbje që kanë pasur. Ne do të jemi 11 kundër 11, kemi pasur një ecuri fantastike dhe ne meritojmë të jemi këtu për të luajtur mundësitë tona", tha Inzaghi.
Zemër dhe mendje, këtë kërkon Inzaghi që dëshiron të motivojë të tijtë duke thënë se ka fatin të stërvisë futbollistë të mrekullueshëm.
"Kam fatin të stërvit shumë lojtarë që tashmë kanë kaluar në finale. Do të na duhet zemër dhe mendje, do të duhet të kemi mendje të kthjellët për të qëndruar gjithmonë në lojë sepse do të ketë momente vështirësie dhe ne e dimë këtë", tha trajneri i Interit mes të tjerash.