TIRANE-Sali Lushaj dhe Avdyl Gjokmakaj kanë paditur në gjykatë për shpifje kryetarin e grupit të PS, Taulant Balla pas akuzave në kuadër të dosjes Babale, videos së dytë të Fredi Alizotit.

Lushaj shprehet se padinë e mbështet te një deklaratë e Taulant Ballës në ‘Opinion’ në datë 11 tetor, që sipas tij ka thënë se  janë pjesë e ‘bandës së Berishës’.

Pas depozitimit të padisë, ku kërkon nga Balla 2 milionë lekë, Lushaj në një prononcim për mediat ka thënë se “Ne nuk jemi banda e Berishës, unë me Gjokmakajn jemi pishtarë të demokracisë.

Kam derdhur gjak për këtë demokraci, vëllain e kam dëshmor të demokracisë. Bashkë me Avdyl Gjomakaj, të dy jemi përmendur me datë 11 në Opinion. Zoti Balla të vijë në gjykatë"tha Sali Lushaj

Padia e Sali Lushajt per Taulant Ballen

Por si doli në skenë Sali Lushaj?
Emri i Sali Lushajt përmendet në përgjimet e Prokurorisë në dosjen Babale, nga komunikimet telefonike të Fredi Alizotit dhe Albert Veliut. Një person i thotë Fredi Alizotit që të shkojë dhe të kalojë natën te Saliu (Lushaj) nëse nuk ka ku të flejë.

Ndërkohë që gazetari i Report Tv, Artan Hoxha publikoi dy foto, ku babai i Stresit, dukej në një lokal në shoqërinë e kunatit të "Babales" dhe në një foto tjetër me vetë Albert Veliun dhe dy persona të tjerë.

Pas fotove, ish-truproja i Sali Berishës Sali Lushaj reagoi pak ditë më parë duke sqaruar se ‘ishin të trembur dhe pa bukë'. Ai thotë gjithashtu se do t'i ndihmonte ata "edhe nëse do të ishin socialistë".