Kryeministri Rama u prit në audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Leone i XIV-të, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali Zaho.

Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik në Vatikan, ndërsa bisedimet u zhvilluan në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit me fokus tek situata në Ballkan dhe rruga drejt integrimit evropian të Shqipërisë.

Gjatë bisedimeve me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, siç shkruan Vatikan Neës, u vu në dukje gjithashtu marrëdhënia e mirë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë ndërsa u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile.

Më herët, Rama vizitoi Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku u prit në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore.

Ndërkohë, të mërkurën kryeministri përcolli lutje për popullin shqiptar në bazilikën ‘Regina di Albania’, ku gjendet shëmbëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë.

"O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut! Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar. Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne", thuhej në lutjen e Ramës. 

Vizita vijoi në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, ndërsa në përfundim Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij vizituan vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:23
Vizita në Vatikan/ Buqetë trëndafilash të bardhë për Papa Françeskun, kryeministri dhe familja e tij nderojnë atin e ndjerë

Gjatë vizitës zyrtare në Vatikan, kryeministri Rama është ndalur për homazhe te varri i Papa Françeskut në Santa Maria Maggiore. Së bashku me bashkëshorten, Lindën dhe djalin, Zahon, ata kanë lënë një buqetë trëndafilash të bardhë duke nderuar kujtimin e tij.

“Homazhi në varrin e Papa Françeskut, mik i paharruar i Shqipërisë dhe i familjes sonë, që nuk harronte kurrë të lutej për popullin tonë e të na dërgonte mesazhet e tij të miqësisë, ishte një çast i veçantë i vizitës në Selinë e Shenjtë”, shkruan Rama krah videos së ndarë në rrjetet sociale.

 

Ora 13:42
FOTOT/ Vizita zyrtare në Vatikan, kryeministri Rama pritet nga Papa Leone XIV në Pallatin Apostolik

Kryeministri Edi Rama është pritur sot nga Papa Leone XIV në Pallatin Apostolik.

Ndër temat që u diskutuan mes Atit të Shenjtë ishin situata në Ballkan dhe rruga drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Zyra e Shtypit të Selisë së Shenjtë bëjnë me dije se më pas, kryeministri u takua në Sekretariatin e Shtetit me Kardinalin Pietro Parolin dhe Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Ora 09:52
Dita e dytë e vizitës në Vatikan, kryeministri Rama mbrërrin në Pallatin Apostolik (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama po vijon vizitën e tij zyrtare në Vatikan.

Paraditen e kësaj të enjteje, Rama mbërriti në Pallatin Apostolik të Vatikanit.

Kreu i qeverisë shqiptare u prit nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.