Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit arbëresh në Vatikan.
Gonxhja u bë pjesëmarrës së bashku me Ettore Bonanno, në podcast-in “Pop Arbëresh”.
Ai preku tema të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare siç është dosja e “Motit të Madh” në UNESCO, apo dhe Muzeu Arbëresh.
Ministri deklaroi se po bëhet gati dosja për të aplikuar për “Motin e Madh”, që është një ëndërr e rëndësishme e komunitetit arbëresh, ndërsa shtoi se do të hapet muze arbëresh në Vuno.
“Jam mirë, jam më shumë i ngarkuar se vetëm me kulturën, se mbuloj edhe turizmin, edhe sportin e Republikës së Shqipërisë, por edhe rininë. Kemi 4 portofole që janë shumë të rëndësishme për qeverisjen dhe ju faleminderit që jam këtu me ju. Ta fillojmë nga gjuha, unë e kam më kollaj ta kuptoj, kam jetuar deri në 13 vjeç në Gjirokastër. E kam më kollaj ta kuptoj se jam nga jugu. Jemi në ambientet e Vatikanit, është shumë domethënëse, jam i mrekulluar nga të qënurit këtu.
Kemi procedurën për të bërë gati dosjen për të aplikuar edhe për “Motin e Madh”, që është një ëndërr e rëndësishme e komunitetit arbëresh, por edhe detyrim i yni si Shqipëri, si shtet. Po punojmë shumë edhe për ‘Culturalb’, është një fondacion shtetëror që kemi ngritur, për të pasur një tjetër energji në diasporat tona, edhe ato të reja por edhe ato të lashta si arbëreshët, në mënyrë që të kemi një prezencë kulturore, sociale të qendrave tona në këto vende. Në Itali do kemi një shtëpi shqiptare, një qendër kulturore shqiptare, pastaj tjetër pjesa tjetër e programit që lidhet me muzeun arbëresh në Vuno. Ky do të jetë një muze i vogël, por shumë i dashur dhe shumë i rëndësishëm për historinë dhe dedikuar krejtësisht tregimit mbi arbëreshët.", theksoi ministri Gonxhja.
Komente










