Naço: 1 muaj para zgjedhjeve, 350
leje shpërblyese për të burgosurit

Naço: 1 muaj para zgjedhjeve, 350<br />leje shpërblyese për të burgosurit
TIRANE- Nga janari deri në shtator të 2013, periudhë që i përkiste dhe fushatës elektorale dhe zgjedhjeve të 23 qershorit, janë dhënë 1300 leje shpërblyese e 250 leje të veçanta për të dënuarit në burgjet e Shqipërisë. Ndërkohë që në muajin maj, një muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit u dhanë 350 leje shpërblyese.
 
Shifrat janë bërë publike nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço në analizën 1-vjeçare të Drejtorisë së Burgjeve për vitin 2013. Vetëm në muajin maj janë dhënë 350 leje.
 
Naço foli për një sistem “të korruptuar, të keqmenaxhuar, të kalbur dhe jo profesional”, që ministria që i drejton është e vendosur ta luftojë.
 
“Gjetëm një sistem të burgjeve me keqmenaxhim të theksuar, sistem i kalbur, jo profesional. Ky vlerësim ngjalli mjaft debate por faktet janë të dukshme. Në periudhën Janar-Shtator 2013 janë dhënë lejet shpërblyese pa asnjë kriter ligjor. Janë dhënë 1300 leje shpërblyese e 250 leje të vecanta. Vetëm në muajin maj janë dhënë mbi 350 leje. Mbi 1000 celularë të ndaluar në këtë periudhë”, tha Naço duke shtuar se “Jemi të vendosur të luftojmë korrupsionin politik e eletkoral”. Lexoni fjalën e plotë të Ministrit Naço

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, u ndal në problemet dhe sektorët më të vështirë, siç janë ai i lejeve shpërblyese e të veçanta që i jepen të dënuarve, mbipopullimi si pasojë e mungesës së infrastrukturës në burgje, kushtet e jetesës, si dhe rritja e numrit të të sëmurëve mendorë në sistemin penitenciar në vendin tonë. Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve nënvizoi rëndësinë e ndërmarrjes së disa projekteve ambicioze në të ardhmen, të konceptuara si pjesë e strategjive afatmesme dhe afatgjata në DPB, me të cilat do të punohet në vazhdim. Konkretisht, ideja e privatizimit të disa sektorëve në burgje, siç janë shërbimet, nxitja e Shërbimit të Provës përmes rishikimit të marrëveshjes dy- palëshe, por edhe hapja e njësive tregtare të punimeve të të dënuarve, për tu siguruar atyre të ardhura, etj.

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, Clive Rumbold, në fjalën e tij u shpreh se sistemit penitenciar në Shqipëria i janë akorduar 60 milionë euro, nga të cilat 40 milionë për infrastrukturën në burgje dhe 20 milion për trajnimin e stafit dhe suportin teknik. “Megjithatë- tha ai- këto nuk kanë mundur të çojnë në një përmirësim të situatës, pasi për këtë duhet të kontribuojnë edhe aktorët e tjerë institucionalë. Duhet të luftohet korrupsioni nga brenda sistemit penitenciar dhe të vendoset ligji, pasi ky është edhe misioni i drejtësisë. Ne do të inkurajonim përdorimin e Shërbimit të Provës, që mund të jepte një ndihmë në përmirësimin e situatës së mbipopullimit në burgje.”- tha Rumbold.
 
Edhe Robert Wilton nga Prezenca e OSBE-së, ambasadori Cannon dhe ambasadori De la Beij theksuan se mbështetja e BE-së dhe vendeve të tyre përkatëse ka qenë e madhe ndaj sistemit penitenciar në Shqipëri dhe se do të vazhdojë të jepet asistencë në drejtim të përmirësimit të stafit, kushteve dhe trajtimit të të dënuarve, në mënyrë që të lehtësohet riintegrimi i tyre në shoqëri. “Jam i impresionuar nga angazhimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, nga energjia e tij dhe e stafit të tij për të bërë gjëra të mira. “- theksoi Ambasadori Cannon në fjalën e tij përshëndetëse në gjuhën shqipe. Edhe Përfaqësuesi i OSBE-së, Wilton, gjithashtu në shqip, përshëndeti me dashamirësi përpjekjet dhe planifikimet për sipërmarrjet e ardhshme që po bën DPB dhe progresin e bërë së fundmi në sistemin penitenciar në vendin tonë.

Avokati i Popullit, nga ana e tij, theksoi se vlerëson dëshirën dhe vullnetin për bashkëpunim që po gjen tek DPB dhe se rekomandimet e Avokatit të Popullit, si një mekanizëm për parandalimin e torturës dhe garantimin e të drejtave të njeriut, janë marrë parasysh nga kjo drejtori. Ndërsa dy përfaqësuesit e UNICEF dhe Save the Children thanë, se me rëndësi të veçantë është edhe dënimi i të miturve vetëm në rastet kur nuk mbetet asnjë alternativë tjetër dhe respektimi i afateve ligjore në mbajtjen e tyre në Paraburgim, pasi në shumë raste periudha e paraburgimit plotëson periudhën e dhënies së vendimit nga gjykata për veprat e tyre penale, gjë që është shkelje e të drejtave të njeriut. Ky është një shqetësim i ngritur vazhdimisht nga këto dy organizata ndërkombëtare, të cilat kanë në fokus të punës së tyre fëmijët, garantimin e të drejtave të tyre dhe bashkëpunimin me institucionet shtetërore për të monitoruar këtë aspekt.
 
Redaksia Online
(sg/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kryetarja e OSBE: Shqipëria, progres në luftën kundër korrupsionit

Kryetarja e OSBE: Shqipëria, progres në luftën kundër korrupsionit