/ATSH-Arbi Fortuzi/-.  Ministri i Drejtësisë Nasip Naço i ka ripërsëritur edhe njëherë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, kërkesën për përfshirjen në rendin e ditës në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të propozimit për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit të këtij këshilli.

Rreth një muaj pas kërkesës së mëparshme, Ministri Naço solli edhe njëherë në vëmendje nevojën emergjente për të përfshirë në rendin e ditës dhe për të shqyrtuar në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkesën për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke e lidhur ngushtësisht zvarritjen e këtij procesi me mungesën e efiçencës së këshillit, përpos detyrimit ligjor dhe kushtetues për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu, ditën e sotme Ministri Naço i është drejtuar edhe më një tjetër kërkesë Presidentit të Republikës, që lidhet me pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Qani Hasa.

Në shkresën drejtuar Nishanit, Ministri Naço sjell në vëmendje se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal dhe ka marrë në cilësinë e të pandehurit gjyqtarin Qani Hasa, duke e akuzuar atë për veprën penale të "Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim". Ministri Naço ka kërkuar që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjatë mbledhjes së tij të radhës, të vendosi mbi pezullimin e gjyqtarit Qani Hasa.