Pas rritjes me 15 lekë të çmimit të naftës në 24 orët e fundit, qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës, i cili cakton çmimet tavan. Po ashtu, qeveria në një mbledhje të zhvilluar mbrëmjen e 19 marsit ka vendosur edhe ndërhyrje në nivelin e akcizës, e cila do të reduktohet në 20%, si një masë që synon lehtësimin e barrës për qytetarët dhe reflektimin e drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve. Aktualisht akciza është 38.8 lekë për çdo litër naftë dhe me uljen prej 20% shkon në 31 lekë për çdo litër naftë. 

Bordi pritet të ngrihet javës tjetër me VKM, ndërsa burime për Report Tv thonë se qeveria ka përcaktuar marzhet e fitimit dhe mënyrën se si do të funksionojë Bordi i Transparencës. Konkretisht marzhi i fitimit pritet të jetë 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për tregtinë me pakicë. "Ky mekanizëm synon të garantojë transparencë dhe kontroll efektiv mbi çmimet, duke parandaluar çdo formë abuzimi", informoi Agjencia për Media dhe Informim. 

Deri më tani, qeveria e kishte parë si të arsyeshme të mos e rikthente Bordin e Transparencës me argumentin se që nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, rritja e çmimit të naftës, ka qenë e moderuar. 

Pas rritjes së çmimit të karburanteve qeveria fillimisht ngriti Task-Forcë për kontrollin e tregut të hidrokarbureve me qëllim shmangien e abuzimit me çmimet. Kërkesa për rishikimin e taksave është bërë dhe nga Konfidustria pasi në një litër naftë rëndojnë sot 4 taksa: akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit.

Bordi i Transparencës pritet të mblidhet në mënyrë periodike, sa herë që do të evidentohen luhatje të ndjeshme në çmimet e bursave ndërkombëtare, duke përcaktuar çmimet tavan mbi të cilat nuk do të lejohet tregtimi. Çdo shkelje e këtyre çmimeve nga ana e tregtarëve do të konsiderohet shkelje e rëndë administrative, e cila mund të çojë deri në pezullimin e licencës së aktivitetit. Bordi i Transparencës është një mekanizëm që qeveria e ka përdorur edhe gjatë krizës së luftës në Ukrainë në vitin 2022.