TIRANË- Që prej nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në Shqipëri ka pësuar një rritje gati me 29 lekë për litër. Në pikat e karburantit në Tiranë, nafta po tregtohet deri në 202 lekë, nga 173-175 lekë para luftës.
Përballë kësaj situate, Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë për ndërhyrje të menjëhershme, duke kërkuar ndërtimin dhe zbatimin e një pakete fiskale lehtësuese për të përballuar krizën e karburanteve.
Konfindustria propozon që paketa e parë antikrizë të mbështetet në dy shtylla kryesore. Së pari, kërkohet që e gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të karburanteve, krahasuar me periudhën para krizës, t’u rikthehet drejtpërdrejt qytetarëve dhe bizneseve përmes uljes së çmimit final.
Së dyti, kërkohet ulja e taksës së qarkullimit të automjeteve, deri në masën e rritjes së të ardhurave që buxheti ka përfituar nga TVSH-ja e karburanteve gjatë kësaj periudhe. Sipas Konfindustrisë, kjo do të ndihmonte në zbutjen e menjëhershme të barrës për konsumatorët.
“Konfindustria, duke marrë shkak nga thellimi dhe zgjatja e papërcaktuar në kohë e krizës së karburanteve për shkak të luftës në Gjirin Persik, kërkon nga qeveria ndërtimin dhe zbatimin e shpejtë të paketës fiskale lehtësuese të çmimeve në treg.
Konfindustria kërkon, që paketa e parë fiskale antikrizë të përfshijë të paktën dy shtylla: Së pari, gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga zbatimi i TVSH-së mbi çmimet e rritura të karburanteve krahësimisht me kohën e parakrizës, të rikthehet drejpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset në çmimin fundor. Së dyti, të ulet taksa e qarkullimit të automjeteve deri në masën e rritjes së të ardhurave absolute në buxhet nga TVSh-ja e karburanteve krahësimisht me çmimet në kohën parakrizë”, thotë Konfindustria.
Një masë e tretë, sipas Konfindustrisë është mekanizmi institucional për përcaktimin e çmimit tavan të shitjes me pakicë të karburanteve.
“Masa e tretë e domosdoshme shoqëruese e paketës është ndërtimi i mekanizmit institucional për përcaktimin e çmimit tavan të shitjes me pakicë të karburanteve me qëllim që ulja e peshës fiskale të mos përfundojë vetëm në shtimin e fitimeve për tregtarët oligopol.
Çmimet me pakicë në treg kanë kapur kufijtë e 200 lekë/litër dhe kahu është për rritje të mëtejshme, që mund të krijojë pasoja shkatërruese për ekonominë, industritë dhe qytetarët.
Shqipëria ka çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe rritja e mëtejshme do rrezikonte një krizë ekonomike të plotë dhe me pasoja të rënda shumëpërmasore, deri në qëndrueshmërinë politike dhe rendin kushtetues të vendit”, thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.
Konfindustria thotë se Shqipëria ka ndër çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe çdo rritje e mëtejshme mund të çojë në një krizë të thellë ekonomike.
Qeveria ka ngritur një Task-Forcë për monitorimin e tregut të hidrokarbureve me qëllim që të mos ketë abuzime me çmimet, por ekspertët thonë se kjo nuk është një masë e mjaftueshme, ndërsa sipas Konfindustrisë duhet të vendosen çmimet tavan për shitjen me pakicë. Një masë të tillë Shqipëria e zbatoi gjatë krizës së vitit 2022 kur nisi lufta në Ukrainë, ku përmes Bordit të Transparencës vendoseshin çmime tavan për tregtimin e naftës.
Komente












SA ME SHPEJT TE BEHET RAFINERIA NE BALLSH...NDRYSHE NA MORI LUMI...
Përgjigju