Rritja e kostove të karburantit po shton presionin mbi transportin publik. Kështu pretendojnë operatorët të cilët sot përsëritën kërkesën që qeveria të skemën e  kompensimit për naftën, duke argumentuar se me çmimin aktual të karburantit dhe rënien e numrit të pasagjerëve e kanë të vështirë të mbajnë në funksion shërbimin me ritmet aktuale.

Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Bashkisë së Tiranës, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që kompensimi të vijojë edhe për muajt qershor, korrik dhe gusht 2026, si dhe për periudhën pasuese, deri në normalizimin e çmimit të karburantit.

"Karburanti përbën një nga zërat kryesorë dhe më të rëndësishëm të kostos së aktivitetit të transportit publik. Për shkak të volumit të lartë të konsumit ditor të mjeteve, çdo rritje apo qëndrueshmëri e çmimit të naftës në nivele të larta reflektohet drejtpërdrejt në kostot e operimit të operatorëve. Në kushtet kur tarifat e transportit publik mbeten të pandryshuara dhe operatorët duhet të garantojnë vijimësinë e shërbimit sipas linjave, frekuencave dhe kapaciteteve të përcaktuara, përballimi i kësaj kostoje është bërë gjithnjë e më i vështirë. Masat e kompensimit të ndërmarra deri më tani kanë qenë një mbështetje e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrit financiar dhe vijimësinë e shërbimit. Megjithatë, problematika që solli nevojën për këtë mbështetje nuk është tejkaluar. Çmimi i karburantit vazhdon të mbetet në nivele të larta dhe të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi kostot operative të shoqërive. Nëse kjo situatë vijon edhe gjatë muajit Gusht 2026 dhe muajve në vijim, pa u shoqëruar me një mekanizëm kompensimi financiar, operatorët do të përballen me vështirësi serioze për garantimin e shërbimit në nivelin aktual”, shkruhet në letër. 

Sipas shoqatës pamundësia për të përballuar në mënyrë të vazhdueshme kostot e karburantit dhe shpenzimet e tjera operative mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta, ndër të cilat:

  • Vështirësi në garantimin e vazhdimësisë normale të shërbimit të transportit publik;
  • Reduktim të numrit të mjeteve të vendosura në qarkullim;
  • Ulje të frekuencës së mjeteve në linjat përkatëse dhe rritje të intervaleve të pritjes për qytetarët;
  • Vështirësi në përmbushjen e detyrimeve financiare dhe operative të shoqërive;
  • Shtyrje të investimeve dhe të ndërhyrjeve të nevojshme për mirëmbajtjen e flotës;
  • Rrezik për përkeqësimin e cilësisë dhe standardeve të shërbimit të ofruar ndaj qytetarëve.

Operatorët argumentojnë se vijimi i mbështetjes financiare është i domosdoshëm për të ruajtur kapacitetet aktuale të transportit publik dhe për të shmangur ndikimin e kostove të larta të karburantit në cilësinë e shërbimit për qytetarët.

"“Vlerësojmë se vijimi i kompensimit është një masë e domosdoshme për të ruajtur kapacitetet aktuale të transportit publik, për të shmangur reduktimin e mjeteve dhe të frekuencave, si dhe për të garantuar që barra e kostove të jashtëzakonshme të karburantit të mos ndikojë negativisht në cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Kërkojmë angazhimin dhe ndërhyrjen tuaj institucionale për miratimin e vijimit të kompensimit financiar për muajin Qershor-Korrik-Gusht 2026 dhe për periudhën pasuese, deri në normalizimin e çmimit të karburantit dhe të kushteve ekonomike të ushtrimit të aktivitetit. Shoqata dhe operatorët që ajo përfaqëson mbeten të gatshëm për të vënë në dispozicion të institucioneve përgjegjëse çdo të dhënë ekonomike, financiare apo operative të nevojshme për të evidentuar ndikimin real që çmimi aktual i karburantit ka mbi funksionimin e shërbimit të transportit publik”, theksohet në letrën e operatorëve.

Sipas vendimit të miratuar më herët nga qeveria,  për sasinë e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj të këtij viti, operatorët përfituan kompensim prej 50 lekësh për litër karburant. Ata kërkojnë që kjo skemë të zgjatet edhe për katër muaj të tjerë, ndërsa çmimi i naftës në treg prej javësh ka kaluar 210 lekë për litër.

 

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë