Shefja e infektivit, Najada Çomo ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes që e fitoi në zgjedhjet e 25 prill, duke zgjedhur të qëndrojë në krah të kolegëve të saj, në luftën kundër pandemisë së COVID.

Këtë e bëri me dije sot kryeministri Edi Rama ditën e sotme, gjatë një takimi me ministrat, në përmbyllje të mandatit të dytë qeverisës, duke e vlerësuar vendimin e Çomos si përgjegjësi të lartë profesionale.

Sipas Ramës, Çomo ishte kërkuar të qëndronte pranë ekipit të saj, në një kohë kur varianti Delta po përhapet masivisht në vend.

"Jam i prekur nga komunikimi me doktoreshën Najda Çomo, më kërkoi të pranoja tërheqjen e saj nga roli i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj fantastik, kur Delta nisi të mbushë shtretërit e terapisë intensive. Një shembull kuptimplotë i përgjegjësisë së lartë për detyrën. Lufta nuk ka mbaruar vjeshta  e dimri mund të jenë të vështirë, por falë mjekëve janë shpëtuar me mijëra jetë dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë", tha Rama.

Najada Çomo u bë simboli i luftës me pandeminë e COVID, ndërsa kandidimi i saj në zgjedhjet e 25 prillit u mirëprit. Ajo u rendit e dyta në listën e PS në Tiranë, duke fituar mandatin, por që tani pritet t'i kalojë Mimi Kodhelit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
Najada Çomo hoqi dorë nga mandati i deputetes, pritet ta marrë Mimi Kodheli

Najada Çomo hoqi dorë nga mandati i deputetes, ndërsa pritet që në vendin e saj në parlament, të zëvendësohet nga Mimi Kodheli. Kjo për shkak se sipas kodit të ri zgjedhor, nëse një deputet që i përket shtresës më pak të përfaqësuar në Parlament, në këtë rast gratë, lë mandatin, ky mandat i shkon një tjetër kandidati të po kësaj shtrese, në bazë të votave të mbledhura. 

"Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar", thuhet në Kodin Zgjedhor.

Kodheli renditej e 21 në listën e PS në Tiranë, që në total ka 36 mandate deputetësh, ndërsa mundi të marrë 5597 vota.

Dorëheqjen e Çomos nga mandati i deputetes e bëri me dije sot kryeministri Edi Rama, i cili tha se shefja e infektivit kishte kërkuar të jetë në krah të kolegëve të saj në luftën me COVID.