Këtë të enjte, KLP pritet të zgjedhë kreun e ri të SPAK, të tretin në radhë që prej ngritjes së strukturës. Është një proces që gjatë gjithë ditës së mërkurë ka ngjallur interesin dhe vëmendjen e partnerëve ndërkombëtare, të cilët sot përgjatë gjithë ditës kanë folur në një gjuhë. Pas deklaratave të ambasadës britanike dhe asaj të BE, pak minuta para këtij shkrimi edhe ambasada e SHBA-ve në Tiranë publikoi vizitën e një zyrtari të lartë në DASH, duke vlerësuar punën e Altin Dumanit dhe bashkëpunimin me agjencitë amerikane.

Është e qartë që këto reagime nuk janë të rastësishme. Ndonëse në mungesë të një diplomacie amerikane si në kohën e Yuri Kim, vetë fakti që tre partnerë kyç kërkojnë një proces të drejtë e të paanshëm është një sinjal i qartë, duke dashur ta ruajnë procesin nga ndikimet e mundshme poltike dhe duke na treguar edhe një herë se një dështim i mundshëm i Reformës në Drejtësi, në fakt, është një dështim i ndërkombëtarëve dhe i shqiptarëve së bashku.

Vlen të theksohet se bilanci i SPAK nën drejtimin e Dumanit, me gjithë problemet, debatet dhe shkopinjtë ndër rrota, ka marrë vazhdimist vlerësime nga partnerët. Pavarësisht sulmeve dhe presioneve, SPAK ka treguar një imunitet institucional që Shqipëria rrallë e ka njohur më parë. Kjo është arsyeja pse, përtej kritikave të natyrshme dhe përtej debateve mbi ndryshimet ligjore, nuk mund t’i kërkohet SPAK-ut ajo që ligji nuk e parashikon.

Merita e Dumanit është e dukshme, por institucioni nuk duhet të personalizohet, sepse forca e SPAK-ut duhet të jetë vazhdimësia, jo varësia nga një emër i përveçëm.

Ndaj zgjedhja e drejtuesit të ri nuk duhet parë thjesht si një ndryshim emri he funksionesh, por, mbi të gjitha, duhet të dëshmoë se suksesi i Reformës në Drejtësi është ndërtuar mbi parime, jo mbi individë.

Nëse ka një investim institucional që duhet t’i mbijetojë kohës dhe politikës, ai duhet të jetë Prokuroria e Posaçme, e cila ka filluar të prodhojë rezultate, që ka fituar besimin e publikut dhe të partnerëve, që ka treguar me vepra konkrete se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht se ka operuar në një kontekst shoqëror, social dhe politik që nuk e kanë edhe aq qejf zbatueshmërinë e ligjit.