Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka mbrojtur ndërhyrjen e efektivëve gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, duke deklaruar se përdorimi i forcës dhe gazit lotsjellës ka qenë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Sipas tij, 71 punonjës policie janë plagosur nga sulmet e protestuesve, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës ishte i domosdoshëm për shkak të sasisë së madhe të gurëve të hedhur ndaj efektivëve.

Skënder Hita: Proporcionaliteti i përdorimit të forcës ka qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat standarde. Janë mbi 21 punonjës të plagosur dhe kjo tregon se aty ka pasur dhunë të vazhdueshme ndaj policisë dhe institucioneve publike.

Policia ka vepruar sipas procedurave standarde dhe ka qenë e mirëorganizuar për t'iu përgjigjur veprimeve të shkelësve të ligjit. Duke qenë se protestuesit kanë kryer akte vandale dhe dhune, ne jemi përgjigjur dhe kemi dhënë goditjen e duhur ndaj të gjithë atyre. Edhe pse një pjesë e nxënësve i janë bashkuar protestës, mësimi në shkollat e tjera ka vijuar normalisht.

Pyetje: Zjarrfikësit nuk ndërhynë, ndërsa sot i jeni përgjigjur shpejt situatës. A është vlerësuar nga ana juaj nëse masat e marra parandaluan përshkallëzimin apo nëse pati momente kur ndërhyrja nxiti përshkallëzimin?

Skënder Hita: Nuk ka pasur qasje të ndryshme. Ne jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat. Siç e thashë edhe më parë, asnjë akt dhune që zhvillohet aty nuk u jep të drejtë protestuesve me maska që të kryejnë akte vandale dhe dhune ndaj institucioneve dhe punonjësve. Ndërhyrja ka qenë proporcionale. Ju vetë e keni parë lumin e gurëve që ka rënë mbi punonjësit e policisë.

Pyetje: Për përdorimin e gazit lotsjellës në zona ku kishte qytetarë?

Skënder Hita: Policia vepron në bazë të planit operacional dhe të gjithë kanë qenë në lartësinë e detyrës. Sa i përket gazit që është hedhur, përdorimi i tij ka qenë i domosdoshëm, pasi sasia e gurëve që hidheshin ishte shumë e madhe.


Lajmi kryesor:

72 orë protesta, Hita: Jo nga studentë, por të rekrutuar të dhunshëm, 71 efektivë të lënduar! Ndalni aktet e dhunës, do përballeni me ligjin