Si çdo 7 Mars në vendin tonë përkujtohet Dita e Mësuesit, e cila mbart një simbol historik, që ka të bëjë me hapjen e shkollës së parë kombëtare në Korçë.
Jo vetëm në shoqërinë tonë, ku dija vijon të jetë një ndër rrugët e sigurta të të ecurit përpara, figura e mësuesit mbetet e respektuar.
Në këtë kontekst, vlen të kujtojmë një libër provokativ, i ardhur edhe në shqip nga shtëpia botuese ‘Pika pa sipërfaqe’, e që është “Shoqëria pa shkollë”, me autor Ivan Illich, një vepër që prej më shumë se pesë dekadash vazhdon të ngjallë debate në të gjithë botën.
Me këtë vepër, shkrimtari nuk sulmon rolin e mësuesit, por ai vë në pikëpyetje vetë idenë se arsimi duhet të identifikohet domosdoshmërisht me institucionin e shkollës. Sipas tij, shoqëritë moderne kanë krijuar një lloj miti, që ka të bëjë me atë se dija prodhohet vetëm brenda klasës, se të mësuarit vjen vetëm nga mësimdhënia dhe se vlera e një njeriu matet nga diploma që mban në dorë.
Illich argumenton se shkolla nuk është vetëm vend ku mësohen lëndët, por ajo është një institucion që prodhon edhe një “kurrikulë të fshehtë”, që ka të bëjë me bindjen se vetëm ekspertët kanë autoritet mbi dijen, se renditja institucionale është e natyrshme dhe se suksesi duhet të kalojë përmes certifikatave dhe titujve. Në këtë kuptim, shkolla, sipas tij, nuk është thjesht një vend edukimi, por një mekanizëm që riprodhon mënyrën si funksionon shoqëria.
Për hir të së vërtetës, tezat që Illich shtron janë disi radikale, sepse ai nuk dikuton thjesht idenë e mosfunksionimit mirë të shkollës, por për të problem është vetë ideja e shkollës si monopol i dijes, kështu që ai propozon një model krejtësisht tjetër, që ka të bëjë me një shoqëri ku të mësuarit zhvillohet përmes rrjeteve të hapura, bashkëpunimit, përvojës dhe shkëmbimit të lirë të njohurive mes njerëzve.
Shumë e kanë parë këtë si utopi, sepse për shoqërinnë moderne shkolla ngelet një institucion i rëndësishëm, mirëpo rëndësia e librit ngelet te pyetjet që ai ngre, e që janë mjaft konkrete dhe aktuale edhe për shoqërinë tonë: a e ngatërrojmë dijen me diplomën dhe arsimin me burokracinë e shkollimit.
Pavarësisht të gjithave, një pjesë e ideve të Illich-it, që kanë të bëjnë me mundësinë që njerëzit të mësojnë edhe jashtë mureve të shkollës, ngelen mjaft aktuale dhe të rëndësishme, një sfidë për të cilën sot flitet dhe diskutohet shumë dhe një mundësi për t’i dhënë një qasje tjetër bashkëvepruese dijes teorike me atë praktike.
Ndaj ky 7 Mars është një mundësi e mirë për të reflektuar jo vetëm për rolin që duhet të ketë mësuesi, por edhe për vetë kuptimin që duhet të ketë arsimi, sepse, siç edhe thuhet shpesh, mësuesi i mirë nuk është thjesht ai që përçon dijet në formë dogme arsimore, por ai që ndez te nxënësi dëshirën për të mësuar./TemA
Komente










