Media në Shqipëri ka një hall të madh. Vuan nga një sëmundje e rëndë. Ka shenja të një krize të thellë. Është më tepër se një patologji e rëndomtë që vjen e shkon. Që ndoshta kalon, por për momentin është akute dhe e rrezikëshme. Goditje në zemër, gjendje e pashpresë, pacienti rrezikon të vdesë. Nuk është fjala për ndonjë sëmundje globale apo kontinentale nga ato që Evropi vuan dhe nuk gjen derman. Po flasim për mercenarinë. Posaçërisht për vrasësin me pagesë, atë që në botën e sotme, nga ndikimi i kiemasë hollivudiane, është gjërësisht i njohur si Sicario.

Media është shndërruar në ‘vrasës me pagesë’, pra në Sicario. Sigurisht jo e gjitha, por një pjesë e konsiderueshme e saj, ku profesionalizmi ia ka lënë vendin amatorizmit, e vërteta është zëvendësuar me gënjeshtrën, ku argumentit ia ka zënë vendin shpifja, shpifja ka nxirë krejt horizontin tejetej.

Dhe sikur të mjaftohej me kaq, shpifjen ku ta gjeje, ta puthje në ballë, ta mbaje në krah, se e tëra duket si një tjetër Mesjetë moderne, me cilësi dhe pasoja edhe më të zeza se ajo që na u duk se shkoi e vate.

Mercenarizmi i medias shfaqet jo vetëm kur sheh portale, gazeta dhe televizione që godasin pa mëshirë, që të qepen këmba-këmbës, që gdhihen dhe ngrysen me të njëjtët sicario, që më shumë se sa me fakte janë të mbushur me shpifje, më shumë se sa me të dhëna janë citas me aludime dhe hamendje, më shumë se sa me gazetari kundërmojnë erë pusetash, gjirizash.

Dhe sikur të mjaftoheshe vetëm me televizione të vogla, gazeta periferike, portale të panjohura, sërish nuk do ishte qameti, prapë nuk do ishte fundi i botës, do thoshe: Hë mo se kalimtare është, ka shpresë.

Kur sheh që të njëjtën gjë bëjnë edhe televizionet kombëtare, mediat me audiencë të madhe kombëtare që mbahen nga taksapaguesit, kjo pastaj është tepër serioze, këtu duhet të mendohesh, ke rënë si kovë në pus, kovës i është këputur litari, nuk ke nga t’ia mbash.

Nëse po sheh një televizion, një gazetë apo një portal që po merret me një politikan të caktuar, ka vënë në qendër një ministri të caktuar, ka në goditje një drejtori të aktuar, i është qepur një oligarku-biznesmeni (quaje si të duash) me bukë në trastë, sulmon vënçe dhe pa mëshirë një figurë të caktuar publike, dije se aty mund të ketë çdo gjë, por jo gazetari, jo vend që punon për interesin publik, por vetëm interesi vetjak, aty nuk synohet e vërteta, por vetëm gjobëvënia, manipulimi, gënjeshtra.

Nëse sheh një portal apo media që sulmon një ministër të qeverisë dhe një tjetër e mbron, dije se aty nuk ka pikë gazetarie, aty nuk synohet drejtësi, aty ka thjesht mercenarizëm, dhe autorët janë vrasësa me pagesë, Sicario.

Nëse lexon për një oligark, për një firmë të madhe, për një spital privat, për një firmë farmaceutike, apo për diçka të ngjashme, të njëjtën media që merret mëngjes e mbrëmje me të njëjtin person, për të njëjtën gjë – pa u marrë, fjala vjen – me të ngjashëm të tjerë, dije se aty nuk synohet e vërteta, por zarfi për të mbyllur gojën dhe për të vendosur gjobën.

Nëse sheh media që kanë të njëjtin fokus dhe sulmojnë njëra-tjetrën dhe kur sulmohen nga pushteti për arsye të ndryshme dhe ato heshtin për rastin e kolegut dhe çirren për veten e tyre, dije se aty gazetaria, interesi publik, e mira e përgjithshme, kanë vdekur, dhe jetohet vetëm për vete, vetëm për klanin, grupin, sektin, shefin, pronarin, dhe mjetin, veglën, sicarion e radhës.

Nëse sheh gazetarë, analistë, opinionistë apo njerëz publik, që sot flasin ndryshe, nesër i dëgjon në një pozicion të kundërt me këtë të sotmin dhe pasnesër me një akrobaci tjetër, dije se aty nuk po flitet për të mirën tënde, aty e ka ‘zgjidhur’ punën zarfi, e ka ndarë të ‘drejtën’ leku, e ka marrë të vërtetën ‘buka e kalamajve’, ka triumfuar dallaverja, ka zënë rrënjë rrena. Aty nuk ka gazetari, aty ka mercenari, zarfa, pare të thata, vrasës me pagesë, Sicario.