Ditët e fundit në mediat shqiptare u rihap çështja e ekstremizmit të dhunshëm, duke e çuar atë deri në terrorizëm me ngjyrime të theksuara fetare, ku gazetar dhe opinionistë mbajtën gjallë një ‘rrëfim’ për ditë me radhë, për të mbushur hapësirat televizive.
Pavarësisht asaj që thuhet në studiot televizive, realiteti që pasqyrojnë raporte serioze është i një natyre tjetër. Në këtë shkrim do të përqëndrohem vetëm në një prej tyre, më konkretisht në raportin e fundit të “Global Initiative Against Transnational Organized Crime”, i cili sjell një ndarje të qartë të hartës së problematikës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke u kujdesur për të evidentuar ndryshimin real që është midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, kryesisht vendeve të ish-Jugosllavisë, të cilat nuk i ngjajnë aspak njëra-tjetrës në mënyrën se si ndërthuren ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar dhe individët me formim ushtarak apo me eksperiencë në konflikte të huaja.
Në Shqipëri, sipas raportit, lidhja mes krimit dhe personave me trajnim ushtarak apo luftëtarëve të huaj të kthyer është kryesisht transaksionale dhe e motivuar nga përfitime ekonomike. Ajo që dominon është trafiku i drogës, grabitjet e armatosura dhe vrasjet me pagesë. Pra, një kriminalitet që kërkon aftësi operative, por jo një projekt politik apo ideologjik. Shqipëria nuk prodhon milici, nuk ka celula ekstremiste të lidhura me shtete të huaja dhe nuk ka asnjë lloj paramilitarizimi që të aftësojë krimin e organizuar me ngjyrime politike apo etno-nacionaliste. Kjo e pozicionon vendin jashtë modelit të rrezikshëm të rajonit verior dhe e bën një përjashtim strategjik në Ballkan.
E kundërta ndodh në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovën veriore dhe pjesërisht Mal të Zi, ku raporti dokumenton një simbiozë të rrezikshme midis krimit, ideologjisë radikale dhe strukturave të jashtme gjeopolitike. Atje, individë me trajnim ushtarak shfaqen si pjesë e grupeve ekstremiste, forumeve nacionaliste dhe rrjeteve që rekrutojnë luftëtarë për konfliktin në Ukrainë.
Në Serbi, për shembull, rekrutimi i luftëtarëve për frontin rus bëhet përmes huliganëve të futbollit, grupeve ultra-nacionaliste dhe strukturave të mbështetura nga Moska, duke prodhuar një cikël të qëndrueshëm radikalizimi, rikthimi dhe riangazhimi në krime të dhunshme. Edhe në Bosnjë, kthimi i luftëtarëve nga Siria ose Irakut ushqen enklava të mbyllura ideologjike, ku radikalizimi fetar përplaset me tensionet etnike, duke krijuar rrezik permanent për sigurinë e vendit dhe rajonit.
Ndërkohë, në veri të Kosovës, raporti thekson ekzistencën e strukturave paralele serbe si Civilna Zastita dhe Severna Brigada, të cilat përbëhen nga ish-ushtarakë dhe funksionojnë si mekanizma të ndërthurur midis krimit të organizuar, influencës serbe dhe projektit politik rus në Ballkan. Këto struktura kontrollojnë territor, kanë aktivitet të dokumentuar kriminal dhe mbajnë një rol të qartë politik, duke u bërë shembulli më i qartë i asaj që raporti e quan lidhje organike mes krimit, ekstremizmit dhe destabilizimit gjeopolitik.
Shqipëria, e krahasuar me këtë realitet, shfaqet si një vend ku krimi i organizuar është i fuqishëm, por jo ideologjik. Nuk ka milici, nuk ka brigada paramilitare, nuk ka ndërhyrje të huaja që përdorin individët me formim ushtarak për projekte destabilizuese. Edhe rasti i luftëtarëve të huaj të kthyer është i kufizuar: raporti thekson se Shqipëria ka një numër të vogël luftëtarësh që kanë luftuar në vende të huaja, kryesisht me motive fetare, dhe se rreziku i tyre është menaxhuar më mirë sesa në vendet e ish-Jugosllavisë.
Ndryshe nga Bosnja dhe Serbia, ku të njëjtë lidhen me ideologji politike, në Shqipëri rreziku lidhet më shumë me familje të varfra dhe gra të rikthyera nga kampet siriane, por jo me struktura radikale të qëndrueshme që do të prodhonin destabilizim.
Edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut përmenden në raport si raste të ndërmjetme, si vende ku krimi dhe ekstremizmi ndërthuren sporadikisht, shpesh të lidhura me tensione etnike, varfëri dhe ndikime ruse, mirëpo asnjë prej tyre nuk paraqitet me qartësinë e ndarjes që ka Shqipëria, një vend ku rreziku kryesor vjen nga ekonomia kriminale, por jo nga ideologjitë e dhunshme.
Përfundimi i raportit është i qartë, duke e theksuar se Ballkani Perëndimor nuk është një kërcënim unik, por një mozaik rreziqesh të ndryshme. Shqipëria ka problemin e saj kronik me krimin ekonomik, korrupsionin dhe ngritjen e ekonomisë kriminale, por nuk ka projekt ekstremist, nuk ka dimension gjeopolitik dhe nuk ka rrezik të strukturuar paramilitar, ndërsa ish-Jugosllavia ka një problem të standardit tjetër, sepse aty krimi dhe ekstremizmi bashkëjetojnë, ushqehen nga njëri-tjetri dhe rrezikojnë të destabilizojnë jo vetëm vendet ku ndodhen, por edhe rajonin, përmes ndikimeve të jashtme që synojnë të frenojnë integrimin euroatlantik.
Ky dallim strategjik duhet lexuar me kujdes nga politika shqiptare, por edhe nga analistë dhe gazetarë, sepse është avantazh që nuk duhet humbur. Shqipëria nuk është e rrezikuar nga ekstremizmi i dhunshëm, por nga kapaciteti i krimit ekonomik për të shkatërruar institucionet. Ndërsa vendet e ish-Jugosllavisë rrezikohen nga ekstremizmi që synon të shkatërrojë vetë shtetin. Të dyja janë sfida të rrezikshme, por krejt të ndryshme.
Shqipëria mund të shmangë rrëshqitjen drejt modelit të dytë vetëm duke forcuar institucionet, duke larguar krimin nga politika dhe duke mos lejuar kurrë që vakuumet e dobësisë të kthehen në terren për ideologji destabilizuese, ashtu sikurse duhet të kudeset që të mos i fryjë ‘zjarreve’ të paqena kot, duke krijuar aludime false dhe duke e hequr vëmenden nga probelamtika reale./Tema
Komente










