Është për të ardhur keq që opozita shqiptare nuk arrin të kapitalizojë asgjë nga dështimet e kësaj qeverie.

Duket sikur sa më shumë probleme ka mazhoranca, sa më shumë çështje të hapura penale, sa më i madh numri i ministrave apo zyrtarëve që kanë probleme me drejtësinë, aq më e pakët bëhet mbështetja për opozitën dhe aq më e madhe për mazhorancës.

Paradoksale, por e vërtetë.

Për këtë gjë opozita dhe PD nuk duhet t’i kërkojë fajet te të tjerët, por të hedhë një sy nga vetja dhe të shohë se çfarë nuk shkon.

Përtej problemeve të mëdha dhe të parikuperueshme që ka me lidershipin, mjafton të shohësh qasjen e deputetëve të PD-së në seancën plenare të së enjtes, ku u votëbesua kabineti Rama 4 për të kuptuar se aty ka ‘vdekur’ politika dhe gëlon vetëm thashethemnaja, intriga, diversioni.

Nuk u lodh PD dhe deputetët e saj nga kjo qasje!

A nuk kanë rezultuar të gjitha të dështuara, jo produktive dhe, mbi të gjitha, jo elektorale.

Në vend që të diskutojnë politikisht, përhapin theshethemnajat e kafeneve të Tiranës se pse iku filanka dhe pse erdhi filani, kush ia futi filanit dhe kush ia bëri fistanit.

Asgjë politike, asnjë diskutim, argument, kritikë.

Vetëm thashetheme dhe diversione koti që nuk e çojnë asgjëkundi.

Nëse nuk ndryshohet kjo qasje dhe nëse nuk bëhen serioz për t’i thënë të vërtetat siç duhet dhe t’i trajtojnë problemet politikisht dhe me përgjegjësi, opozita është e destinuar të vijojë rropamën e saj të pakthim.