Pas më shumë se dy orësh qëndrimi në zyrën e kryesocialistit Rama, kandidati për president Fato Nano ka deklaruar se mirëpret mbëshetjen e pasuesit e tij në PS për zgjidhjen e sfidës presidenciale.
“Takim për të folur nga afër jo vetëm për platformën dhe ofertën që unë kam paraqitur për zgjidhjen presidenciale në funksion të një dinamike më prodhuese të punës që bën klasa politike dhe institucionet e Shqipërisë për integrimin.
Vlerësoj mirëkuptimin në zhvillim edhe me PS edhe më zotin Meta si drejtues i LSI. Vlerësoj faktin që në një proces që do vazhdojë, të vlerësohet roli i PS në përballimin e detyrave të integrimit dhe përmirësimin e klimës politike në Shqipëri”, tha Nano.
ME SA RAUNDE MUND TË ARRIHET NË PRESIDENTIN E RI?
Ju ftoj të bëni durimin e nevojshëm për të kuptuar se ky product nuk do jetë ende në xhepin e askujt në rast se nuk i shërben një klime politike
A JU MBËSHTETI EDI RAMA?
Unë dhe kryetari i PS, kreu i LSi si dhe kryeministri Berisha shpresojmë të mbështesim me të njëjtën gjatësi vale objektivin e zgjidhjes presidenciale në funksion të integrimit të vendit.
PS DEKLARATË PËR TAKIMIN RAMA - NANO
Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist patën sot në selinë rozë një takim me zotin Fatos Nano.
Dy përfaqësuesit më të lartë socialistë kanë dëgjuar me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’u përcillte zoti Fatos Nano, lidhur me platformën e tij për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës mbi palët e jashtë palëve politike.
Nga ana e tyre ata i kanë thënë zotit Fatos Nano se Partia Socialiste synon krijimin e kushteve për një proces politik, ku publiku të mos ndjehet i përjashtuar dhe ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Socialistët do të jenë të angazhuar për t’i dhënë Republikës sonë një President me votat e më shumë se një pale, si edhe vetë Shqipërisë një argument bindës në mbështetje të kërkesës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.
Për Partinë Socialiste është shumë e qartë se nga një proces sa më gjithëpërfshirës duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës. Prandaj edhe Partia Socialiste do të kontribuojë për këtë proces të domosdoshëm duke vënë mbi gjithçka interesin e vendit.
Partia Socialiste do të aktivizohet së shpejti publikisht përmes kryetarit të saj Edi Rama dhe drejtuesve të tjerë të mandatuar nga forumi më i lartë i PS, për të komunikuar drejtëpërdrejt me palët e tjera parlamentare pa dallim.
Qëllimi i këtij komunikimi do të jetë eksplorimi i të gjitha mundësive për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës.
TAKIMI
Burimet pranë ish kryeministrit konfirmuan se Nano ka kërkuar ditën e djeshme takimin me njeriun që drejton Partinë Socialiste që prej largimit të tij në vitin 2005, Edi Rama.
Nano, i shoqëruar nga bashkëpunëtori i tij i vjetër, Ilir Kulla ka hyrë në selinë e PS në orën 11 e 5 minuta, pasi është pritur nga përfaqësues të kabinetit të kryesocialistit. Sikundër ka bërë të ditur vetë ish drejtuesi e socialistëve në takimin me Ramën sikundër edhe me drejtues të partive të tjera politike do të paraqesë platformën e tij, si kandidat për presidentin e ri të vendit.
AXHENDA E NANOS
Takimi vjen pak ditë pas takimit që zoti Nano zhvilloi me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu dhe kryetarin e LSI, Ilir Meta. Pas takimit, më 23 prill Nano u shpreh për gazetarët se ishte optimist dhe se gëzonte mbështjen e deputëve socialistë. “Kur të takoj zotin Rama do të riaktivizoj gjithë aktivitetin e shpallur dhe të fjetur të së majtës në mbështetje të liderit historik të saj” deklaronte Nano.
(aq/shqiptarja.com)