Lidhur me deklaratat e kryeministrit Sali Berisha se kandidatura e Presidentit do të dalë nga forumet e Partisë Demokratike, Nano gjykon se tani për tani është i prirur të jetë mirëbesues për qëllimet e tij (kryeministrit) në të mirë të Shqipërisë, përderisa nuk do të shpallen apo verifikohen të kundërtat. Por, thekson ai, "është në interesin më të mirë të Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe Partisë Demokratike (po iu drejtohem këtyre të dyve si drejtues kryesorë të kësaj maxhorance), që procesi i zgjedhjes së presidentit të Republikës të mos jetë as Akaparim politik i institucioneve, as qokë partiake, as larje hesapesh apo kombinim ekuilibrash brendapartiakë, as përmbushje interesash partiakë apo personalë".
INTERVISTA E PLOTE
Fatos Nano përgjatë kësaj interviste për MAPO-n vjen si kandidat, jo vetëm mbi palët, por edhe i qendrës. Jo vetëm i qendrës, por edhe i palëve. I të gjitha palëve. Ai ka një kujdes kirurgjik që të mos e kundërshtojë nëpër rreshta atë që nëpër rreshta filozofon. Ne mund ta paragjykojmë e të themi se nuk e ka seriozisht, (si mundet ai!), por nuk e shmangim dot faktin se, të paktën e ka një filozofi për atë që kërkon. Dhe e dini çfarë: ai është konkret si kandidat e si platformë. Veç kësaj, në rast triumfi, do të jetë një President negociatash të ballta e jo kulisash. Ndoshta vetëm për këtë të fundit, ai e meriton të jetë President.
Nuk duket në stilin tuaj ky vetëkandidim për postin e Presidentit të Republikës. Jemi mësuar me një Nano që e kërkojnë, me një Nano në rolin e ‘shpëtimtarit’, me një Nano, të cilit ‘prapa i vjen historia’. Çfarë ndodhi kësaj radhe: a mendoni se kreditet tuaja kanë rënë apo, se duke mos qenë prej 7 vitesh aktor i dorës së parë, si të thuash, ‘nuk ua kanë më nevojën’?
E dini ç’mendoj unë? Unë mendoj se ajo që është ushtruar krejt pa vëmendje, pa reflektim, pa konsultime të përbashkëta, e si rrjedhojë me eficiencën më të ulët në këto 22 vite postdiktatoriale në Shqipëri, ka qenë dhe mbetet pikërisht gjimnastika e ndryshimit. Ne kemi patur dëshirën dhe vullnetin e i kemi ndryshuar gjërat, por nuk kemi ndryshuar dot rëndesën e gjërave mbi ne. Ne i kemi ndryshuar kushtet, por nuk kemi ndryshuar dot peshën e tyre mbi ne. Ne i kemi ndryshuar rrethanat, por nuk kemi ndryshuar dot trysninë e tyre mbi ne. Ne kemi ndryshuar sistemin, por nuk kemi ndryshuar dot ndikimin e të shkuarës mbi ne. Nën këtë kontekst dhe paradigmë gjen ushqim edhe pyetja juaj. Ndaj duhet thënë në sinqeritet të plotë këtu se trajektoret politike të Fatos Nanos nuk e kanë patur luksin të anashkalojnë apo tejkalojnë limitet e kohës, rrethanave dhe kulturës mbizotëruese, ndonëse unë në dijeninë dhe përpjekjet e mia por edhe sipas shumë vlerësimeve tashmë të mbarëpranuara nga qytetarët shqiptarë por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kam qenë një transformator i zellshëm i Partisë Socialiste dhe besoj e shpresoj edhe i Shqipërisë. Sidoqoftë, unë vetë jam nën ushtrimin e përditshëm të gjimnastikës dhe sfidës për përsosjen e vetvetes që kësisoj të vazhdoj të jem një shërbëtor dhe kontribuues publik në pararendje të ndryshimeve pozitive që unë dhe besoj të gjithë ne kemi dëshirë të shohim të vijnë në Shqipëri. Kjo është një sfidë personale po aq sa edhe politike për mua e për çdo qytetar shqiptar, ashtu sikundër është një sfidë sociale po aq sa edhe kulturore. Le ta bëjmë publike dhe t’i japim zë si një nevojë, në fakt domosdoshmëri, që jo vetëm politikanët shqiptarë, por të gjithë qytetarët shqiptarë ta ushtrojnë këtë gjimnastikë të ndryshimit dhe transformimit të vetvetes, në kërkim të më së mirës nga vetja më së pari, paskëtaj nga njëri-tjetri, nga politika, nga shteti, për shoqërinë tonë, për vendin tonë të përbashkët. Përtej gjithçkaje të mirë apo të gabuar, që ka ndodhur në të shkuarën, pa harresë por me mirëkuptim e kthjellëpamësi, sytë dhe energjitë tona individuale, komunitare dhe kombëtare lipset të këqyrin nga e ardhmja. Një e ardhme më e mirë për qytetarin shqiptar, shoqërinë dhe kombin shqiptar nuk përputhet as me liderin politik që e kërkojnë, e as me ‘shpëtimtarin’. Them se gjimnastika dhe ‘muskujt kulturalë’ perëndimdashës, shqiptardashës dhe Shqipëridashës, që unë kam ndërtuar në sfidë për përsosjen e vetvetes, janë ato që kanë konfiguruar këtë vetëofrim që unë kam parashtruar edhe kësaj radhe për të tretën herë në 10 vjet, për të pasur mundësinë që të shërbej si President. Nuk ka asnjë bjerrje kreditesh, e aq më pak kërkesash apo nevoje për Fatos Nanon si aktor e protagonist politik. Përkundrazi, ngasja ime për t’u vetëofruar vjen nën kontekstin e një realiteti ku përplasja, konfliktualiteti, logjika e forcës, mesianizmi politik etj, e kanë lënë krejt bosh hapësirën e shërbimit publik që plot përunjësi modelon e nxit paqen, marrëveshjen, dialogun për të mirën e Shqipërisë si edhe për përparimin e axhendës së Integrimit Europian. Me këtë arsyetim besoj se është e vetëkuptueshme se Fatos Nano nuk mund të jetë thjesht një kandidat për President Republike. Fatos Nano është një politikan, një shërbëtor publik, një qytetar i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, i cili kërkon të marrë përgjegjësi të plota dhe ofrojë vetveten, përvojën, dijet dhe të gjitha kapacitetet e tij, për të përmbushur me dinjitet, përkushtim, ndershmëri, paanësi dhe drejtësi të gjitha detyrimet e simbolit të Unitetit Kombëtar e gjithçka tjetër që ngërthehet në detyrimet kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike të Presidentit të Republikës.
Konsensusi që ju duhet, nevojitet të kalojë përmes z.Rama, z.Metae z. Berisha, ndërkohë që disa herë në të kaluarën konsensusi për ta nevojitej të kalonte përmes jush…
Transformimi kultural që unë kërkoj të nxis, e shoh që të ndodhë në Shqipëri nëpërmjet modelimit dhe gjimnastikës për të cilën folëm më sipër, do ta zhvendoste pyetjen tuaj në një terren ku ju do të arsyetonit e shpresoj kuptonit, se ajo që po kërkoj unë, është që në Shqipëri të vijë ajo kulturë, të vijnë ato rregulla, të ndërtohen ato shprehi, ku dialogu, bashkërendimi, konsensusi dhe marrëveshjet nuk kalojnë nëpërmjet thjesht dikujt, qoftë ky edhe Fatos Nano, porse është një proces i natyrshëm nëpër të cilin duhet të kalojmë të gjithë, domosdoshmërisht, për të mirën e Shqipërisë. E pra edhe këtë herë, unë vetëofrohem që të shërbej si President Republike, që të bëhem inkurajues institucional dhe modelues e ndërtues i kulturës dhe ambientit politik që duhet ta ketë si normalitet dialogun, konsultimet, bashkërendimin, konsensusin dhe marrëveshjet mes Ramës, Metës, Berishës e kujtdo tjetër që është e do të vijë.
Kryeministri Berisha, edhe pas ‘zyrtarizimit’ të ofertës suaj në “Top Story”, nuk ka ndryshuar në qëndrimin e tij duke theksuar se Presidenti do të dalë nga forumet e Partisë Demokratike. A mendoni se Berisha do të luajë këtë kartë deri në fund me mendimin se lëshimi në pikën e fundit do t’i sigurojë pikë edhe më të mëdha si faktor stabiliteti apo ‘burrë shteti’?
Unë jam i prirur të verifikoj qëllimet e Sali Berishës, e jo të komentoj deklaratat e tij. Tani për tani jam i prirur të jem mirëbesues për qëllimet e tij për të mirën e Shqipërisë, përderisa nuk do të shpallen apo verifikohen të kundërtat. Por është me vend që të theksojmë këtu se është në interesin më të mirë të Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe Partisë Demokratike (po iu referohem këtyre të dyve si drejtuesit kryesorë të kësaj mazhorance) që procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës të mos jetë as Akaparim politik i institucioneve, as qokë partiake, as larje hesapesh apo kombinim ekuilibrash brendapartiakë, as përmbushje interesash partiake apo personale. Është në të mirën e Shqipërisë, ashtu sikundër edhe është në të mirën e Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe Partisë Demokratike, që zgjedhja e Presidentit të Republikës të jetë jo një sfidë e Partisë Demokratike për Partinë Demokratike. Por domosdoshmërisht duhet të jetë një sfidë e përpjekje për një proces sa më demokratik, sa më të hapur, sa më komunikativ, sa më gjithëpërfshirës, sa më të drejtë, sa më konkurrues, por mbi të gjitha duke vendosur mbi gjithçka Interesin Kombëtar. Çdo dalje nga ky aks do të rrezikojë Shqipërinë, por edhe vetë Sali Berishën, Jozefina Topallin dhe Partinë Demokratike. Ndërkohë që çdo zgjidhje gjithëpërfshirëse, konstruktive, duke vendosur interesin kombëtar përmbi atë partiak, në dialog e bashkërendim me të gjitha palët politike në vend, e patjetër edhe me partnerët ndërkombëtarë, sigurisht që do ta kualifikonte Sali Berishën si një shtetar të denjë dhe të përgjegjshëm.
Në fakt, a e keni çuar nëpër mend skenarin se, nëse merrni mbështetjen e Ramës dhe Metës, nëse siguroni votën e Oketës e ndonjë ‘rrjedhje’ tjetër të lehtë djathtas, nuk keni nevojë për Berishën? Apo i vetmi skenar sipas të cilit ju e pranoni Presidencën është si faktor konsensusi mes palëve?
Detyra ime është që të ofroj modestisht vetveten. Rrugët e Zotit janë të pafundme – thuhet në Bibël, mjafton që të jesh i hapur dhe i gatshëm për rrugët e Tij. Sigurisht që, përveçse jam i gatshëm dhe i hapur për Marrëveshje të gjera gjithëpërfshirëse të të gjitha palëve politike relevante, jam i hapur dhe i gatshëm për mundësitë dhe alternativat e garës dhe konkurrencës së lirë dhe të ndershme. Në demokraci normale, funksionale dhe të maturuara, më së pari kërkohet gatishmëria e njerëzve që ofrojnë kontributet dhe shërbimet e tyre, të cilët njëkohësisht kanë aftësinë, përvojën, kapacitetin, dijenitë dhe vullnetin që të marrin përsipër të gjitha sfidat e përgjegjësitë e kërkuara si detyrim kushtetues, ligjor, institucional, politik, kombëtar, qytetar dhe moral. Paskëtaj, nën këtë frymë gjenden rrugët kushtetuese të përputhjes së vullnetit të Mëtonjësit të vetëofruar me Procedurën. Unë përfaqësoj një frymë, një vizion, të cilin e vendos në gatishmëri të institucioneve, politikës dhe shoqërisë shqiptare. Unë jam i hapur dhe i dëshiruar që të gjej përputhshmërinë dhe mbështetjen me dhe për këtë frymë e vizion, tek të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe civilë shqiptarë. Zgjedhja e Presidentit të Republikës me një marrëveshje dhe mbështetje sa më të gjerë politike nga të gjitha palët, do të dëshmonte pjekurinë e udhëheqësive dhe klasës politike shqiptare. Por edhe zgjedhja nëpërmjet një gare të lirë dhe të ndershme pa urdhra dhe vullnete politike shtrënguese për rreshtime në krah të qëllimeve e interesave të njërës prej palëve, do të dëshmonte pjekurinë e demokracisë në Shqipëri. Në të dyja rastet do të jepej një sinjal shumë i mirë për Brukselin për përparimin e procesit të Integrimit të Shqipërisë në BE, e nëse çdo gjë shkon mbarë, edhe për marrjen e Statusit Kandidat në vjeshtën e këtij 100-vjetori të Shtetit Shqiptar. Unë do të jem i hapur dhe në gatishmëri për të dyja versionet, sikurse do të jem i hapur dhe i gatshëm që të takohem, flas dhe kthjelloj me këdo çdo pengesë, vështirësi apo pozicion të së shkuarës apo së tashmes, me qëllim mbarëvajtjen e procesit për të mirën e Shqipërisë.
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Patozi e ka quajtur kandidimin tuaj për President si një film të vjetër. Filmat sequel janë kryesisht më të dobët se paraprirësit: a do të rezultojë kandidimi juaj i dytë një përballje e pasuksesshme në parlament, siç ndodhi herën e fundit kur mes jush e Topit u fut edhe kandidatura e Neritan Cekës?
Unë nuk mundem ta ftoj Patozin që të shohim së bashku filmin “Casablanca”, sepse do të shkaktonim pa dëshirën tonë konfuzion të madh e të pafrytshëm, por jam shpresëplotë se ndoshta mund të jemi në një mendje edhe me Patozin, se ai është një ndër filmat që shumëkush e sheh dhe risheh plot kënaqësi duke kuptuar se dashuria dhe vlerat nuk janë kurrë të vjetra. E ftoj Patozin që së bashku, të gjithë ne politikanët shqiptarë të të gjitha palëve e krahëve, të fillojmë të ndërtojmë një proces ku flitet më shumë për dashurinë për shqiptarët dhe Shqipërinë, për dialogun, mirëkuptimin dhe bashkërendimin me njëri-tjetrin, për përparimin e axhendës së Integrimit Europian, që reminishencat e filmave të vjetër të kohës së diktaturës apo të cilësive më të këqija të këtyre 22 viteve postdiktatoriale të mos ripërsëriten.
Duket se palët e investuara në procesin e përzgjedhjes së presidentit, Berisha, Meta dhe Rama lëvizin të shtyrë më shumë nga frika sesa nga dëshira për konsensus dhe, ju në fakt jeni kandidati më ‘i frikshëm’. Asnjëri prej tyre nuk beson se një Nano në Presidencë është një person i komandueshëm. Madje kjo duket se ka qenë vazhdimisht ekuacioni që ka prodhuar përplasje mes institucioneve: mujshari për ta kontrolluar Presidencën dhe pamundësia, në shumicën e rasteve, për ta bërë këtë…
Ftesa ime për ju, publikun shqiptar dhe të gjithë kolegët e mi politikë, përfshirë këtu Ramën, Metën, Berishën e këdo tjetër të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, të cilitdo krahu qofshin, është shumë e thjeshtë dhe e sinqertë: Të korrektojmë të gjithë fokusin dhe të bëhemi së bashku autorë dhe përbrendësues të një kulture të vërtetë dhe të sinqertë demokratike e europiane. Zgjedhja e Presidentit të Republikës nuk duhet të jetë për asnjë arsye, e konceptuar si një betejë politike mes kampeve e as si produkt apo ushqyes frikërash të cilësdo origjine apo arsye qofshin. Procesi transparent, i hapur, komunikativ, gjithëpërfshirës duhet të jetë prerogativë e domosdoshme e përzgjedhjes së një Presidenti të shqiptarëve për Shqipërinë e për shqiptarët. Fatos Nano është vetëofruar që nëpërmjet një procesi të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës, në dialog e bashkërendim me të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë të majtë e të djathtë, të zgjidhet me vota nga Kuvendi i Shqipërisë, President i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Është në të mirë të demokracisë shqiptare, është në të mirë të Shqipërisë dhe të përparimit të axhendës së integrimit europian të saj, që të mendohet kështu, kuptohet kështu, veprohet kështu, dhe që të ndodhë kështu. Një nga gjërat prej të cilave vuan shumë shoqëria shqiptare është Polititoksikimi. Edhe kjo pyetje, sigurisht pa e kritikuar, e për më tepër pa e paragjykuar pyetjen, dëshmon simptomën e kësaj sëmundjeje për thellimin e së cilës unë nuk kam asnjë dëshirë që të kontribuoj. Shoqëria shqiptare prej vitesh po vuan nga një zhvendosje e aksit demokratik. Intoksikimi, pra helmatisja me tepri, politizimi i gjithçkaje dhe çdo fushe të jetës në shoqërinë shqiptare ka sjellë një përmbysje të rregullit të artë të demokracisë, pra në vend që Politika të rrotullohet rreth Shoqërisë, është Shoqëria që rrotullohet rreth Politikës. Në këtë klimë tejet agresive ku politika zapton, kontrollon dhe tërheq gjithçka, duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta ri-ekuilibruar mekanizmin e shthurur e të dalë jashtë kontrollit. Polititoksikimi prodhon veç kriza ciklike dhe shpesh herë qorrsokakë të rrezikshëm sikundër është edhe rasti të cilit i referoheni ju në pyetjen tuaj. Unë kam dëshmuar se di të prodhoj politikë pa politizim. Në 22 vite tranzicion jam Protagonisti që kam qëndruar më pak se kushdo tjetër në politikën aktive. Kjo është dëshmia më e mirë se unë jam ndofta i vetmi politikan shqiptar që kam mundur të jem Protagonist pa e kthyer Politikën si Politizim Gravitacional që deformon demokracinë dhe shoqërinë. Unë gjithmonë kam lëshuar për të rifituar, por kurrë nuk kam mbajtur për të fituar. Ndaj edhe për t’iu rikthyer frymës dhe vizionit tim, them se Presidenti i Republikës duhet të jetë përveçse një institucion i depolitizuar, edhe një detyrim kushtetues, moral dhe qytetar për të de-polititoksikuar shoqërinë shqiptare. Unë si Protagonist i këtyre 22 viteve por edhe si Lojtar Politik Parësor, e kam mundësinë dhe përvojën që ta shndërroj institucionin e Presidentit të Republikës, në një institucion ndikues, negociator, çlirues dhe modelues të një shoqërie më demokratike dhe më pak të politizuar. E për të ardhur tek thelbi i pyetjes suaj, më duhet t’ju them se fryma dhe vizioni politik i shtetarit që Fatos Nano synon të përfaqësojë dhe ushtrojë në detyrën e Presidentit të Republikës nuk ka të parashkruar asnjë akt apo qëndrim që mund ta përfshijë me apo ndër palët politike. Presidenti Fatos Nano synon të jetë mbi palët në vendime e qëndrime, si edhe në gatishmëri të palëve për zgjidhje e alternativa strategjike me interes kombëtar dhe qytetar. Simboli i Unitetit të Kombit ose është i tillë dhe i plotë ose përndryshe nuk mund të jetë i tillë. Simboli i Unitetit të Kombit nuk ushtrohet part-time, apo me axhenda të fshehura politike nën Tryezë. Simboli i Unitetit të Kombit ka vetëm një axhendë: Interesin Kombëtar, Kushtetutën dhe Ligjet e Shqipërisë. Fatos Nano President do të jetë bashkëpunues dhe ndërtues i urave të komunikimit dhe bashkëveprimit institucional e politik, inkurajues i dialogut, bashkërendimit dhe zgjidhjeve të buta e të mençura. Ndërkohë theksoj se Shqipërisë i duhet një President garant i Kushtetutës dhe ligjeve, e jo një President i Garantuar nga Kushtetuta dhe ligjet.
A do të pranoni të jeni një kandidat i pjesshëm, çka do të thotë, në këmbim të mbështetjes për postin e Presidentit t’i lejoni mazhorancës që të piketojë kryeprokurorin dhe kreun e SHISH?
Presidenti i ardhshëm e ka për detyrë kushtetuese që të jetë negociator, paqebërës, institucional, sipërmarrës politik, unifikues, zgjidhës konfliktesh si edhe garant i një zgjedhjeje të drejtë dhe me maturi demokratike në respekt të instrumentave demokratike brenda vendit dhe kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, për Kryetarin e SHISH, Prokurorin e Përgjithshëm dhe përfaqësuesit e Gjyqësorit.
Kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, dhe ju vazhdimisht e paraqisni veten si një politikan modern që nuk sheh nga e shkuara dhe nuk është hakmarrës, por ju keni qenë i burgosur në mesvitet ’90, kohë kur në pushtet ishte Sali Berisha. A është koha që, në njëfarë mënyre, dy kalorës të politikës shqiptare të këtyre 20 viteve të ‘lahen’ me njëri-tjetrin: Berisha t’u japë Presidencën si ‘shpërblim’ për vitet e burgut?
Vetëofrimi dhe gatishmëria nuk janë, nuk mundet, e nuk duhet të jenë rivendikim borxhesh. Vetëofrimi dhe gatishmëria për të shërbyer dhe kontribuar janë ftesë për t’u bashkuar, bashkëpunuar dhe bashkërenduar me njëri-tjetrin në një frymë dhe vizion që ka si prioritet dhe qëllim vetëm të mirën publike, të mirën e Shqipërisë.
Faktori tjetër i fortë që mund të përcaktojë zgjedhjen tuaj si President është kryetari i PS-së, Edi Rama. Ka një lloj déjà vu këtu: ju e morët Edi Ramën nga Parisi dhe e bëtë ministër, ndërsa sot ai mund ‘t’u marrë’ ju nga Vjena e t’ju bëjë President…(Sigurisht ka një ndryshim cilësor këtu: ai ishte emigrant i thjeshtë, ndërsa ju ish-kryeministër…).
Unë dhe Edi Rama, ka ardhur koha dhe kemi detyrimin, që ta marrim e zhvendosim njëri-tjetrin nga ‘gjendja e mosmarrëveshjes’ drejt ‘gjendjes së marrëveshjes dhe solidaritetit’, për të mirën e kulturës transformuese pozitive për të cilën kaq shumë kemi folur më sipër, për të mirën e Partisë Socialiste, por sidomos e mbi të gjitha për të mirën e Shqipërisë.
Takimi juaj me ambasadorin Arvizu ka zgjuar kureshtje, siç do të zgjonte çdo takim i ambasadorit amerikan me lojtarë apo ish-lojtarë të politikës së rendit të parë në Tiranë. Megjithatë, duket se pak ka dalë nga ai takim jashtë photo-opit të zakonshëm. A mendoni se një investim i amerikanëve për emrin tuaj si President do t’i jepte fund aferës presidenciale?
Unë dhe Ambasadori Arvizu ndajmë frekuenca, konsiderata dhe shqetësime të njëjta për zhvillimet politike dhe institucionale në Shqipëri. Këtë e them bazuar në deklarimet e tij të vazhdueshme publike, por edhe nga ndjesitë dhe shkëmbimet e ideve dhe opinioneve të drejtpërdrejta. Ajo që dëshiroj të them është se unë e respektoj, nderoj dhe vlerësoj shumë Ambasadorin Alexandër Arvizu dhe punën e shkëlqyer që ai po bën këtu për të përfaqësuar sa më drejt e denjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe për të ndihmuar shqiptarët dhe institucionet e tyre që të bëjnë zgjidhje të drejta dhe të tejkalojnë krizat për të merituar përparimin e procesit të integrimit europian. Ambasadori Arvizu është dëshmuar si paqebërësi ‘par exellence’ menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit, por edhe si ndërmjetësuesi, mbështetësi, lehtësuesi dhe përçuesi më i mirë dhe më i zellshëm i mesazheve dhe veprave të paqes, mirëkuptimit, dhe perëndimorizimit të institucioneve dhe politikës shqiptare. Madje unë me shaka mes miqsh e konsideroj Diplomacinë e Ambasadorit Arvizu, si një arvizuterapi shumë pozitive dhe të domosdoshme për shëndetin dhe mbarëvajtjen e institucioneve dhe politikës shqiptare. Shqipëria ka shumë nevojë e duhet t’u jetë mirënjohëse partnerëve të tillë si Ambasadori Arvizu. Shqipëria ka shumë nevojë për partneritetin e çmuar, prioritar dhe strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Le ta mirëbesojmë arvizuterapinë në çdo rast sepse jam besimplotë që është qëllim-mirë për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Erion Braçe ju ka kujtuar se ju nuk vratë më 14 shtator, në përpjekje për të shprehur zemërimin e tij me qëndrimin tuaj ‘të butë’ për 21 janarin. Ju, në njëfarë mënyre, e keni kapërcyer sensin e tepruar të protagonizmit me nonchalance dhe, në të njëjtën kohë, të njëjtën nonchalance e keni artikuluar si protagonizëm. Shumë ju kritikojnë për këtë lehtësi të papërballueshme me të cilën ju i shihni gjërat…A është kjo një atu presidenciale?
Solidarizohem me Erion Braçen si një socialist i përkushtuar, i ndershëm dhe i sinqertë që është. Ndër vite Erion Braçe ka qenë për mua mik, koleg, kritik dhe bashkëpunëtor i vyer, por nuk mund të jem në një mendje me të, për të mirën e Shqipërisë, që e mbivlen patjetër të mirën, interesin dhe pikëpamjen si socialist.
Shpesh gjatë këtyre viteve mungesë jeni personifikuar si politikani që di të tërhiqet e ta respektojë institucionin e dorëheqjes; ndoshta i vetmi. Megjithatë, ky rikthim juaji sikur shkon përkundër parabolës së Nanos që tërhiqet, pasi ai e bën gjestin tuaj më 2005-ën të duket si i pjesshëm…
Unë u tërhoqa nga e pjesshmja për t’iu përkushtuar të përbashkëtës. Dorëheqja ime në vitin 2005, ashtu sikurse edhe herë të tjera ka qenë natyrshmëri e ndërgjegjësimit dhe kulturës sime politike, me vullnet të lirë dhe me sigurinë se i jep shëndet demokracisë brenda Partisë Socialiste, të cilën unë e kam themeluar e drejtuar për 15 vjet, ashtu sikurse edhe demokratizmit të vendit tonë. Dorëheqja dhe vetëofrimi për të shërbyer janë koncepte e parime shumë të përputhshme me njëri-tjetrin brenda kësaj kulture transformuese pozitive që synoj të modeloj, inkurajoj e ndërtoj unë për një Shqipëri sa më të europianizuar.
A ka pasur në dorëheqjen tuaj në vitin 2005 një prapamendim të llojit ‘do të iki, por do të më kërkoni e do të kthehem sërish’?
Jo.
Meqë jemi te dorëheqjet, a duhet të kish ikur Rama pasi humbi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe, a duhet ta bëjë këtë nëse dështon sërish në vitin 2013?
Unë nuk jam nga ata që përpiqen t’i ndryshoj gjërat me opinione, por me shembuj. Sidoqoftë, u bënë vite tashmë që unë jam i dedikuar ndaj të përbashkëtës, e kësisoj nuk vlen që të rikthehem me sytë tek e pjesshmja.
Zoti Rama u përpoq ta hapte PS-në duke kërkuar vota ‘përtej së majtës e të djathtës’, ndërkohë që z. Blushi, njëfarë ‘kryetari në hije’, i cili pret largimin e Ramës, në një traktat të fundit politik botuar në një të përditshme, ka kërkuar që e majta të kthehet tek ideologjizma e saj. Juve ju tërheq teoria e parë, apo e dytë?
Mua më tërheq liria dhe konkurrenca e lirë dhe e ndershme. Sa më e shëndetshme të jetë liria dhe konkurrenca e ideve dhe individëve, aq më të shëndetshme do të jenë frytet. E sigurt është që Partia Socialiste në këto 22 vite ka krijuar dhe ndërtuar një ansambël të shkëlqyer figurash dhe personalitetesh politike, të cilët janë të denjë për çdo debat ideor, e si rrjedhojë edhe për të marrë përgjegjësi për çdo detyrë të lartë shtetërore. Kjo shumësi personalitetesh është krijuar dhe ndërtuar me shumë mund e sfida nëpërmjet hapësirave të garantuara dhe fituara në Partinë Socialiste për garë, promovim dhe karrierë.
Të shkojmë me supozimin se ju do të zgjidheni President i Republikës. Çfarë shenje do të ishte kjo në 100-vjetorin e Pavarësisë, nëse 21 vitet e fundit të saj janë sunduar nga një dyshe politikanësh, përkatësisht ju dhe z. Berisha?
Në këto 100 vite, vetë shumësia dhe larmia e atyre që e kanë drejtuar Shqipërinë pas vitit 1944 dhe pas vitit 1990, dëshmojnë se e vetmja periudhë sundimi ka qenë ajo 46-vjeçare ndërmjet. Protagonizmi dhe sundimi nuk kanë asnjë përputhshmëri me njëri-tjetrin, pavarësisht ngjashmërive. Kultura, rrethanat, kushtet dhe konteksti mbi të cilin vendoset arsyetimi juaj, e bën lehtësisht të gabueshëm edhe përcaktimin tuaj. Nëse ne që kemi qenë e vazhdojmë të jemi shërbëtorë publikë, duke drejtuar politikën plurale dhe institucionet demokratike të shtetit shqiptar në këto 22 vite, do të jemi së bashku në festimet e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kjo do të jetë shenjë se tashmë nuk lëngojmë më në 100 vjet tranzicion, porse festojmë 100 vjet shtet. Gjithashtu, ky do të ishte edhe një sinjal maturie i demokracisë dhe klasës politike shqiptare, në mënyrë që në vjeshtën e këtij 100- vjetori të shtetit shqiptar ta meritojmë marrjen e Statusit të vendit kandidat për në BE.
Marre nga MAPO
(sg/shqiptarja.com)