Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, pritet të rinovojë shumë shpejt kontratën e tij me Napolin, që do të shtohet edhe për 2 vjet të tjera, duke i shtuar rrogës 700 mijë euroshe neto edhe 500 mijë të tjera në vit. Hysaj ka një kontratë që mbaron në vitin 2021 dhe një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh që vlen vetëm për jashtë Italisë.
Ndërkohë, trajneri Sarri i ka bërë të ditur klubit se, në rast rinovimi të tij, dëshironte që të mbante sa më shumë prej futbollistëve të besuar dhe të gjithë e dinë që Hysaj është një prej tyre. Ndaj te Napoli kanë menduar që të blindojnë për një kohë të gjatë futbollistin e krahut të djathtë, i cili ka luajtur po aq mirë edhe majtas. Kontrata e re pritet të zgjatët deri në vitin 2023 me një përmirësim të ndjeshëm të financave, duke kaluar tashmë shifrën e 1,2 milionë eurove në sezon që nga edicioni i ardhshëm.
Edhe klauzola e largimit pritet të pësojë ndryshim, pasi te Napoli janë të ndërgjegjshëm se tanimë shifra 50 milionë euro për klubet e mëdha angleze është lehtësisht e përballueshme. Ndaj edhe ajo pritet të ketë një modifikim. Lojtari pritet që të nënshkruajë marrëveshjen e re brenda muajit prill, për të ndjekur gjurmët e futbollistëve të tjerë që kanë rinovuar kontratat e tyre me Napolin gjatë muajve të fundit.