Napoli mundi mbrëmjen e djeshme 1-0 Lazion duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Ndeshja ishte drithëruese, pasi rastet ishin të shumta mes dy ekipeve, ndërsa nuk mungoi edhe nervozizmi, pasi mbrojtësi shqiptar Hysaj doli me karton të kuq. Ndërkohë që sonte për Kupën e Italisë do të zbresin në fushë Juventusi përballë Romës për të përcaktuar gjysmëfinalisten e radhës.
Në Premier League, përballja Chelsea-Arsenal përfundoi pa fitues në barazim 2-2. Jorginho dhe Cesar Azpilicueta shënuan për Chelsea, ndërsa Arsenali barazoi me Gabriel Martinelli dhe Hector Bellerin. Një fitore të vështirë me një gol të Sergio Aguero mori Manchester City kundër Sheffield United.
Sot do të zhvillohen ndeshjet e radhës në Premier League, teksa në fushë do të zbresin Manchester United përballë Burnley dhe Tottenham Hotspur kundër Norwich City. Në Spanjë Reali dhe Barcelona do të luajnë për Kupën e Mbretit, respektivisht përballë Unionistas de Salamanca dhe UD Ibiza.