Zoti Ndoka, vetëm dy ditë më parë Partia Demokristiane, dega e Korçës ka deklaruar vendimin e saj për të mbështetur kandidatin e majtë Sotiraq Filo për kreun e bashkisë në zgjedhjet e pjesshme të ditës së dielë. Është qëndrimi i PDK apo...?
Ne në zgjedhjet e pushtetit vendor të 8 majit të vitit 2011 kemi dalë në koalicionin opozitar, sëbashku me Partinë Socialiste dhe partitë e tjera aleate opozitare, duke marrë rezultatin që është tashmë në fuqi, si për zgjedhjen e krerëve të bashkive e komunave ashtu dhe për këshilltarët bashkiakë, komunalë dhe të qarqeve. Kështu që ideja jonë ka qënë e qartë për të gjithë drejtuesit vendorë të Partisë Demokristiane. Ky është një bashkëpunim vendor me ish-aleatët tanë që ka vijuar që nga viti 2011, në këshillat bashkiake dhe komunale. Bashkëpunimi mes tyre ka vijuar gjithnjë në funksion të komunitetit në të gjitha këto zona dhe të përfaqësimit të demokristianëve në nivel lokal.
Ju po thoni se e keni lënë në dorë të drejtuesve vendorë të PDK përcaktimi i koalicioneve në këto nivele....?
Partia Demokristiane i ka lënë të lira degët e saj nëpër rrethe e qarqe që të realizojnë bashkëpunime lokale në funksion të komunitetit dhe në bazë të përfaqësimit në qeverisjen vendore. Një bashkëpunim i tillë ka qënë i lirë që të realizohet në bazë të marrëveshjes që degët e PDK kanë pasur në zgjedhjet vendore të 8 majit të vitit 2011. Tashmë janë zgjedhjet e pjesshme për kreun e bashkisë së Korçës. Ky është një mandat i fituar bashkarisht dhe me kontributin e PDK në zgjedhjet vendore të 8 majit, ku kandidati socialist Niko Peleshi u zgjodh në krye të kësaj bashkie. Prandaj, ky është një mandat i lënë në mes nga ana e zv.kryeministrit aktual Niko Peleshi, i votuar dhe nga PDK më 2011.
Eshtë një detyrim moral e politik, në respekt të marrëveshjes së parë si dhe për faktin se PDK ka përfaqësim dhe në këshillin bashkiak të Korçës, por dhe në bashki. Kështu që bashkëpunimi i degës së demokristianëve të Korçës është pjesë e marrëveshjes për zgjedhjet vendore të 8 majit të vitit 2011 me socialistët dhe kreun e saj Edi Rama. Ne demokristianët kemi treguar qartë dhe ndër vite se jemi shumë korrektë dhe dimë të respektojmë marrëveshjet dhe aleatët tanë, me të cilët kemi nënshkruar, duke u qëndruar atyre marrëveshjeve, pavarësisht kondicioneve politike në zgjedhjet e tjera. Prandaj dhe PDK e Korçës në respekt të ksaj marrëveshjeje ka vendosur për të mbështetur kandidatin e së majtës në këto zgjedhje.
Ju po thoni se është respektuar marrëveshja e vitit 2011 në të gjitha këshillat e bashkive, komunave dhe të qarqeve...?
Ajo që mund të them është se vijojnë marrëveshjet në të gjitha njësitë vendore për këshilltarë bashkiake, komunalë apo në qarqe. Bashkëpunimi lokal PDK-PS edhe përpara se LSI të largohej nga koalicioni me PD ndërkohë që PDK kishte kaluar në koalicion me PD, ka funksionuar duke eliminuar prishjen e ballancave në shumë komuna e bashki të vendit. Partia Demokristiane është përpjekur dhe u ka qëndruar strikte marrëveshjeve lokale. Aty ku ka pasur bashkëpunim dhe respekt reciprok, aj do të vazhdojë edhe në të ardhmen deri në momentin e zgjedhjeve vendore pas dy vitesh pasi e tillë ka qënë marrëveshja në vitin 2011 me ish-aleatët e majtë, atëherë në opozitë.
Nëse Këshilltari i PDK në ndonjë bashki, i bashkonte votat me Këshilltarët e PD e mazhorancës së atëhershme, aty ndryshonin totalisht raportet dhe për pasojë dhe në atë të qarqeve kryesore të vendit. Por këto raporte nuk janë krijuar dhe as nuk mund të mbahen duke kushtëzuar njëri-tjetrin, por duke bashkëpunuar e duke lobuar mes paleve. Në këto kushte, PDK do t’u qëndrojë marrëveshjeve deri në fund për pushtetin vendor, pavarësisht se marrëdhëniet politike kanë ndryshuar dhe tashmë është në opozitë në pushtetin qëndror ku qeveris PS dhe në bashkëpunim me atë vendor me PS dhe aleatët.
Zgjedhjet për pushtetin vendor nuk duan shumë që të startojnë, e ka menduar PDK aleatin kryesor për këto zgjedhje. Pra mund të vijojë sërish koalicioni me PS dhe aleatët e saj...?
Për zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor më 2015 do të ketë një marrëveshje dhe marrëdhënie të re politike. Përsa i përket aleancave parazgjedhore, është ende herët për të folur që sot dhe kjo do t’i mbetet kohës për ta përcaktuar.
Shkrimi u publikua sot (30.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)