Nata e 24 marsit

Nata e 24 marsit

Më 24 mars 1999 tërë bota demokratike ishte me ne, me shqiptarët e Kosovës. Më 24 mars 2018 nuk është tërë bota demokratike me ne. Pas çlirimit, një klasë politike shkatërroi shumë shanse të Kosovës, plaçkiti vendin, vrau njerëz të pafajshëm, vrau rivalë politikë, vrau dëshmitarë krimesh, me një fjalë: vrau shumë shpresa. Tash këta njerëz të kësaj klase politike janë bërë milionerë dhe për të ruajtur milionat, janë të gatshëm që t’ia humbin kuptimin pavarësisë së Kosovës. Në krahun e tyre janë qelbësirat «publicistike», përherë të gatshëm që rrenën ta shesin si të vërtetë dhe të vërtetën si rrenë.

Më 24 mars 1999 u arrit diçka që askush ose pakkush e kishte imagjinuar që nga viti 1912, kur territoret shqiptare i ndanë sipas qejfit të tyre fuqitë e vogla ballkanike – kuptohet me miratimin e fuqive të mëdha botërore. Më 24 mars 1999 tërë bota demokratike ishte me ne, sot klasa politike e Kosovës shikohet me përbuzje, skepticizëm, përçmim. Të bësh politikë nuk është e njëjta si të bësh luftë. Në luftë gjuan edhe pa e parë cakun, në politikë duhet të shohësh cakun. Vetëm në muajt e fundit kemi parë se si koçobashët milionerë të Kosovës për interesat e tyre të ngushta, personale, janë të gatshëm të djegin interesat e Kosovës, duke gjuajtur pa e parë cakun.

24 marsi 1999 ishte ditë e martë. Pak pas orës 20:00 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, spanjolli Javier Solana, i cili si socialist zemërmirë dikur kishte demonstruar kundër anëtarësimit të Spanjës në NATO, dha urdhër që NATO të sulmonte Serbinë (dhe Malin e Zi). Këto dy republika përbënin atë që quhej Republika Federale e Jugosllavisë. Atë natë NATO njoftoi se ishte e vetëdijshme për rreziqet e intervenimit. Por, rreziku do të ishte edhe më i madh nëse nuk do të intervenohej. Edhe kjo një porosi e NATO-s. Mbi 400 avionë luftarakë ishin në dispozicion të NATO-s për të goditur Serbinë.

24 marsi ishte një natë pa gjumë. Rreth orës 02:00 të natës kryeredaktori i atëhershëm i televizionit të Zvicrës do të më ftonte në emisionin special që do fillonte në orën 06:00 të mëngjesit. Në studio – krahas vogëlsisë sime – një politikan liberal zviceran që konsiderohej njohës i Rusisë dhe një gazetar i ri që më vonë do të bëhej kryeredaktor i një gazete të rëndësishme të Zürichut. 78 ditët e ardhshme do të kalonin nëpër studio televizive dhe të radios, nëpër redaksi gazetash, në biseda telefonike me dhjetëra gazetarë e korrespondentë, kryesisht të hapësirës gjermanofolëse, qindra shkrime të shkruara e përkthyera nga mediat gjermane. Atëherë tërë bota ishte me ne – dhe asgjë s’na lodhte. Liria në horizont të tërhiqte si një magnet.

Solana, idhulli ynë i atëhershëm, socialdemokrati me avionë supersonikë, kishte thënë: «Jam krenar që gjendem në krye të një aleance, e cila nuk përdorë armët me mendjelehtësi. Por, jam po ashtu krenar që drejtoj një aleancë, e cila ka fuqinë morale për të marrë ato vendime, të cilat janë të domosdoshme për të shmangur një katastrofë humanitare dhe gjakderdhjen». Nuk veproi NATO arbitrarisht, siç pretendonin Rusia dhe Serbia. Në rastin e Kosovës Aleanca Veriatlantike mbështetej në rezolutat 1160, 1199 dhe 1203 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këto rezoluta indirekt legjitimonin përdorimin e forcës nëse Serbia nuk do të ndalte terrorin në Kosovë.

Njëri nga miqtë e mi më të mirë në gazetën «Tages Anzeiger» në numrin e datës 24 mars mbi komentin e tij do të vendoste këtë titull: «Luftë fashizmit». Një titull kumbues. I fuqishëm. Më i fuqishmi në mediat e shkruara në gjuhën gjermane. Ta lexosh këtë koment më 24 mars 2018 – kjo është një ndjenjë krenarie dhe zemërimi. Krenari për atë që u arrit më 1999, zemërim e përbuzje ndaj atyre që përdhosën lirinë e Kosovës dhe e shndërruan në biznes. Liria si biznes! Sakrifica e mijëra të rënëve për liri si biletë për kurdisje tenderësh, si mundësi për vjedhje, si rast për grabitje.

Nga një projekt ndërkombëtar për liri Kosova u shndërrua në projekt të plaçkitjes nga ana e barbarëve vendorë. Sot e sonte duhet të jemi krenar e mirënjohës për 24 marsin e vitit 1999. Dhe secili që dëshiron një shtet funksional, duhet të mendojë për çlirimin e dytë të Kosovës. Kjo republikë ka kuptim vetëm kur të hiqet nga dora e kriminelëve që e sundojnë. Tek atëherë intervenimi i NATO-s do të ketë kuptimin e plotë. Tek atëherë Kosova do të shpëtojë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Me te drejten e zotit: 25/03/2018 13:18

    Por bita rani e pa sa pas ju ka lene feja e ato zakonet si ne mesjete me nje fasade moderne falso e me zakone tejet te mykura e me turqizma .Kjo nuk mund te pranohet ne mes te europes.Akoma nuk keni nje gjuhe te unifikuar apo festivale te kenges se lehte por kendoni tallava e sllavisht e nuk keni ende sport teater balet.Per ju te dashur bashkombas duhet zhvillin dhe te largohemi menjehere nga feja ekstreme dhe nga nacionalizmi tepruar te tera keto peshojne vetem mbi supet tuaja

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja