Për të dytin vit me radhë Shijaku mirëpriti eventin e boksit ‘Shijak Boxing Fight Nigts’, ku ndryshe nga hera e parë pati morën pjesë shumë sportistë nga vende të ndryshme të botës, përveç Shqipërinë dhe Kosovën. Ndeshja më e veçantë ishte ajo e dy fëmijëve të cilët hapën eventin, ndërsa juria vendosi që rezultati të ishte barazim.

“Unë kam 4 vite që merrem me këto sport. Fillimi ka qenë e vështirë por tani duket e lehtë. Sot ishte ndeshje e bukur. Ishte ndeshje e fortë, kundërshtari dhe unë,”-u shpreh boksieri i vogel Hegel Kërtusha.

Mes sportistëve të spikatur të natës ishte edhe James “The Flames”, shqiptaro-britaniku nga Londra, fitues në njërën prej përballjeve kryesore.

“Quhem James The Flames, vij nga Londra dhe jam shqiptaro-britanik. Kam jetuar gjithë jetën në Angli, nëna ime është angleze dhe babai shqiptar. Ende nuk e flas mirë shqipen, por po e mësoj gradualisht. Ndeshja e sotme ishte e fortë. Kundërshtari im ishte i zoti dhe ndoshta në të ardhmen do të bëhet edhe më i fortë. Nuk ishte e lehtë të fitoja, sidomos kur më shtynte në cep të ringut,”-u shpreh boksieri shqiptaro-britanik James. 

Organizatorët e eventit vlerësuan faktin e rritjes së nivelit të boksierëve që morën pjesë.

“Kësaj here kishim ndeshje shumë të fortë, kemi sjellë boksier nga Anglia falë mikut tonë Kreshnik Qato,”-tha Enton Kikrri, trajner boksi.

Mbrëmja nuk solli vetëm përplasje grushtesh, por edhe një atmosferë festive me valle tradicionale shqiptare dhe një program artistik, ku të ftuar nuk mungon as këngëtarë të njohur.