NATO vendos mbi kërkesën serbe
për hapësirën ajrore të Kosovës

NATO vendos mbi kërkesën serbe<br />për hapësirën ajrore të Kosovës
Aleanca Veri Atlantike, NATO, i ka bërë thirrje Serbisë “që të vazhdojë të përmbushë përkushtimin e saj në kuadër të procesit të normalizimit të Hapësirës Ajrore në Ballkan”, nga i cili, siç thuhet, “do të përfitonin praktikisht që të gjithë”.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se “normalizimi i hapësirës ajrore shënon edhe një hap drejt ndërtimit të bashkëpunimit rajonal”.

Deklarata e zyrtarit të NATO-s pasoi kërkesën zyrtare të Serbisë drejtuar NATO-s për marrjen nën kontroll të hapësirës ajrore të Kosovës.

Një kërkesë të ngjashme autoritetet serbe i kanë proceduar në fund të vitit të kaluar edhe Bashkimit Evropian, me synimin që të marrin kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës, pas përfundimit të mandatit prej pesë vjetësh të Hungarisë.

“Përkushtimi i Serbisë për normalizimin e hapësirës ajrore ishte një pjesë e rëndësishme e vendimit të Aleatëve të NATO-s që të relaksojë plotësisht zonën e sigurisë ajrore”, tha zyrtari i NATO-s.

Ndërkohë, Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, Dritan Gjonbalaj, ka thënë se mundësitë që Serbia ta marrë kontrollin mbi hapësirën ajrore të Kosovës, janë zero.

Mediat në Beograd kanë cituar kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka deklaruar se një delegacion i qeverisë së tij, më 14 dhjetor, do të bisedojë në Bruksel me Aleancën Veri Atlantike që Beogradi të marrë nën kontroll hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën.

Hapësira e ulët ajrore shtrihet në lartësinë deri në 6,500 metra, e cila kontrollohet nga autoritetet e Kosovës. Kjo hapësirë shërben për aterime dhe ngritje nga aeroporti, për kompanitë ajrore që e kanë destinacion Prishtinën apo që nisen nga Prishtina.

Pretendimeve të Serbisë që ta marrë nën kontroll këtë hapësirë, Gjonbalaj u përgjigjet negativisht.

Kjo pjesë e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës, deri në 6,500 metra, menaxhohet dhe kontrollohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës."

"Pra, ne kemi një Agjenci kompetente e cila është duke i dhënë të gjitha shërbimet e kontrollit të trafikut ajror dhe shërbimet tjera përcjellëse në hapësirën e ulët ajrore të Republikës së Kosovës, nën 6,500 metra. Pra, kjo është një pikë e padiskutueshme”,
 ka thënë Gjonbalaj.

Përveç hapësirës deri në 6,500 metra, ekziston edhe ajo mbi këtë zonë, e njohur si hapësira e lartë ajrore, e cila me vendim të NATO-s, i është deleguar Hungarisë, përkatësisht Hungaro Control-it.

“NATO ka një kontratë me Hungarinë që shërbimet për avionët me mbikalim, transit në hapësirën e lartë ajrore të Republikës së Kosovës, t'i marrë Hunagro Control nga Hungaria. Ne jemi duke u përgatitur në aspektin teknik dhe të burimeve njerëzore që nga viti 2019 të marrim përgjegjësinë e plotë edhe për hapësirën e lartë ajrore mbi 6,500 metra”, ka thënë Gjonbalaj.

Edhe për këtë hapësirë, Serbia ka shprehur pretendime që ta marrë nën kontroll pas vitit 2019, kur përfundon mandati i Hungaro Control-it. Por, Gjonbalaj sqaron se ky vend nuk i përmbushë dy nga kriteret kryesore që i ka përcaktuar NATO.

“Kur është zgjedhur Hungaria si ofrues i përkohshëm i shërbimeve, NATO-ja i ka pasur të përcaktuara qartë kriteret se çfarë shtetesh mund të konkurrojnë për këtë hapësirë ajrore. Nën një; është dashur që të jetë shtet anëtar i NATO-s dhe nën dy; të mos jetë shtet fqinj i parë i Republikës së Kosovës”.

Shikuar edhe nga ky këndvështrim, Serbia nuk e plotëson asnjërin prej këtyre kushteve, sepse nuk është anëtare e NATO-s dhe është shtet fqinj i parë i Kosovës”, ka thënë Gjonbalaj.

Por, edhe po t’i plotësonte kushtet, ka nënvizuar ai, askujt nuk mund t'i delegohet hapësira ajrore e Kosovës pa miratimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, zyrtari i Aleancës Veriatlantike i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “NATO do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Serbinë në çështjen që ndërlidhen me hapësirën ajrore”.

Hapësira ajrore e Kosovës ishte nën kontroll të Aleancës Veriatlantike, NATO, që prej përfundimit të luftës, më 1999 dhe vetëm në vitin 2014 hapësira e lartë ajrore iu dha nën kontroll Hungarisë, pas një procesi të vlerësimit. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Vuani nga diabeti? Ja 6 frutat që ju ndalohen kategorikisht dhe 4 të tjerat që duhet t’i konsumoni

Vuani nga diabeti? Ja 6 frutat që ju ndalohen kategorikisht dhe 4 të tjerat që duhet t’i konsumoni