Ekspozita, si ndryshoi për
100 vjet paraja shqiptare

 Ekspozita, si ndryshoi për<br />100 vjet paraja shqiptare
 TIRANE - Njëqind vite më parë, në 4 tetor të 1913, Ismail Qemali nënshkroi një akt koncesioni duke vulosur përfundimisht aktin e krijimit të “Bankës Kombëtore e Shqypnisë”, sot Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Ndërkohë sot, 100 vite më pas, në Muzeun Historik Kombëtar, Banka e Shqipërisë çeli ekspozitën “Banka për Shqipërinë", për të treguar rrugëtimin 100-vjeçar të bankingut dhe parasë shqiptare. Ismail Qemali synoi mëkëmbjen e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila do ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare.

Me shpalljen e pavarësisë dy banka turke, Banka Perandorake Osmane dhe Banka Agrare e ndërprenë veprimtarinë e tyre. Në atë kohë Ismail Qemali është shprehur se “e themi me lavdërim se puna e Bankës për Shqipërinë është i dyti fitim pas lirisë, si nga pikëpamja ekonomike apo politike”. Dje në ekspozitën “Banka për Shqipërinë" ishin të ftuar nipi i Ismail Qemalit, Nedin Vlora me banin në Itali dhe pasardhësit Vlora që jetuan në Shqipëri.

Duke njoftuar hapjen e ekspozitës Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh se, “historia e bankingut qendror shqiptar ka një histori të ndryshme. Ismail Qemali ideoi krijimin e bankës qendrore, duke u bazuar në konceptin e lirisë, asaj që i kishte munguar kahera këtij populli. Ismail Qemali e konceptoi që në fillim si një institucion financiar, që do i jepte jetë zhvillimit ekonomik dhe pavarësisë së vendit”. Përveç ekspozimit të dokumenteve historike që përkujtojnë 4 tetori e 100 viteve më parë, ku në emër të Qeverisë së Vlorës, Ismail bej Vlora nënshkroi koncesionin e parë për krijimin e një banke kombëtare shqiptare, një koleksion i tërë me monedha e kartëmonedha është ekspozuar nga Banka e Shqipërisë.

Ngjarje, figura historike, data, përmasa dhe ngjyra të ndryshme kartëmonedhash janë prodhuar përgjatë një shekulli që nga krijimi i shtetit shqiptar. Monedha e parë është ajo e qeverisë së Ismail Qemalit. Çdo qytet asokohe kishte monedhën e tij, por Korça tregon koleksionisti Lorenc Gliozheni ishte i vetmi qytet që e prodhonte në bankën e tij. Pas më shumë se 10 vjetësh nga pavarësia, me krijimin e Bankës së Shqipërisë u hodh në qarkullim monedha e vetme shqiptare që në atë kohë ishte franga e arit. Kartëmonedha e parë e emetuar ishte ajo me prerje 5 lekë/i frang ar. Ajo rezultoi jetëshkurtër për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga qeveria shqiptare e kohës mbi shqiponjën e paraqitur në të, e cila në dallim nga shqiponja dykrenore, simbol i kombit tonë paraqiste shqiponjën me kokë sipas stilit romak. Ndërsa pas çlirimit monedha dhe kartëmonedha pëson ndryshime të shpeshta në simbolikë dhe përmasa.

Ekspozita e Bankës së Shqipërisë do të shëtisë në qytete të ndryshme të vendit për t’u vendosur me pas në qytetin e flamurit, në Vlorë.


(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)



 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024