Pavarësisht raportimit të Komisionit të Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili konstatoi se Kosova humb territor nga versioni aktual i Demarkacionit, përfaqësuesit e huaj diplomatikë në Kosovë kanë thënë se kjo marrëveshje është e saktë dhe si e tillë duhet ratifikuar.
Madje sipas tyre, komisionet e mëparshme (duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar) kanë bërë një ekzaminim të përgjithshëm rreth kësaj marrëveshjeje që tregon për saktësinë e kësaj marrëveshjeje.
Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se të dyja palët, edhe ajo e Kosovës, edhe ajo e Malit të Zi, ishin pajtuar që ta nënshkruanin Marrëveshjen e Demarkacionit para më shumë se dy vjetësh.
Ambasada e Norvegjisë në Kosovë ka deklaruar se marrëveshja në fjalë, e arritur në vitin 2015, është krejtësisht e saktë. Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë (BE), ka kërkuar që Kosova ta gjejë një zgjidhje sa i përket marrëveshjes së demarkacionit.
“Është thelbësore që Kosova ta gjejë zgjidhjen më të mirë për bllokimin aktual të demarkacionit përmes një debati të përfaqësuesve të zgjedhur dhe një vote e cila jep mbi bazën e pritjeve legjitime të popullit të Kosovës dhe të ardhmes së tyre evropiane”, ceket në përgjigjen e zyrës së BE-së.
Duke folur rreth vendimit të ekzekutivit që ta dërgojë këtë marrëveshje në parlament, BE-ja ka bërë të ditur se e ka mirëpritur një gjë të tillë. “BE-ja mirëpret që qeveria vendosi sot që i takon Kuvendit ta marrë vendimin përfundimtar lidhur me demarkacionin e kufirit”, nënvizohet tutje. Marrë nga Zëri.info
dy.b/shqiptarja.com









