Nata e ndërrimit të viteve ka kaluar pa shënuar incidente në vendin tonë. Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako gjatë urimit pas ndërrimit të viteve është shprehur se në shkallë vendi nuk është shënuar asnjë incident deri në orë 00:00.

Gjithashtu Çako ka shtuar se vijon puna për garantimin e rendit dhe sigurisë. Ndërkohë orët e fundit të vitit 2017 është regjistruar një aksident me vdekje në aksin rrugor Milot- Rrëshen, ku ka humbur jetën një këmbësor 50- vjeçar.

Gjithashtu edhe në Tiranë në orët e fundit të ndërrimit të viteve një makinë ka përplasur një grua rreth moshës 35- vjeçare në zonën e ish- Bllokut dhe është larguar nga vendngjarja. E lënduara ka marrë dëmtime në kokë dhe është në gjendje të rëndë.

Edhe viti 2018 ka shënuar viktimën e parë vetëm disa minuta pas hyrjes së tij. Në Kurbin një 16- vjeçar i cili kishte dal të plaste fishekzjarrë në tarracën e shtëpisë është gjetur i pajetë me dëmtime në kokë. Policia është duke hetuar për shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.