TIRANË- Pakujdesia gjatë ndërtimeve të rrugës pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë kanë lënë pa energji elektrike banorët e kësaj zone të Tiranës.

Avaria është regjistruar që në orën 07.24 të ditës së sotme, kur për shkak të pakujdesisë në punime të firmës private të ndërtimit, nga dëmet e shkaktuara në rrjetin e shpërndarjes kanë mbetur pa energji elektrike: Rr. “Mustafa Lleshi”, Rr. Pjetër Budi”, Rr. “Stavri Vinjau”, “Rruga e Elbasanit”, si dhe Rr. “Dervish Hima”. 

“CEZ-Shpërndarje”, njofton se, “firma e ndërtimit që po punon në ndërtimin e rrugës pranë fakultetit të Histori-Filologjisë, ka dëmtuar kabllot e Fiderit 312”.

Ndërsa, bën të ditur se specialistët e tyre “po punojnë për riparimin në një kohë sa më të shkurtër të këtij dëmi.”

“‘CEZ-Shpërndarje’, shpreh shqetësim dhe indinjatë për këto akte të përsëritura nga kompanitë private të ndërtimit, që në shumë raste me pakujdesinë dhe papërgjegjshmërinë e tyre, bëhen shkak për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të abonentëve, duke dëmtuar linjat e shpërndarjes.”, thuhet në komunikatën për media të kompanisë “CEZ-Shpërndarje”.
 
Redaksia online
 
(b.g/ shqiptarja.com)