Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit
do të nxjerrë nga loja mafian serbe

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit<br />do të nxjerrë nga loja mafian serbe
PRISHTINE - Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri, do ta nxjerrë nga loja mafian serbe të energjetikës, që nga mbarimi i luftës në Kosovë e deri më tani, ka përfituar shuma marramendëse parash nga shitja e energjisë elektrike vendit tonë, por edhe Shqipërisë.
 
Nga viti 1999 e deri më tani, Kosova në emër të importit të energjisë elektrike ka shpenzuar qindra miliona euro, pasi që të vetmen rrugë për import të energjisë elektrike e ka pasur Serbinë. Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Fadil Ismajli thotë se aktualisht po bëhen punët përgatitore në zonat finale të gjitha pikave nga do të kalojë linja.
 
Ndërkaq sipas tij, punimet në terren do të nisin që nga dita e nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e linjës interkonjeksionit 400 kilovatësh Kosovë Shqipëri. Ismajli ka bërë të ditur se punimet fizike, do të fillojnë në Pranverë të vitit 2014.
 
“Projekti do të zgjatë 24 muaj dhe pastaj pas këtyre 24 muajve Kosova dhe Shqipëria do t’i gëzojnë benefitet e këtij bashkëpunimi”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”. Sipas tij, nga ndërtimi i linjës së interkonjeksionit, fituese do të ishin të dyja shtetet, pasi sipas tij Kosova e ka qymyrgurin dhee Shqipëria ka ujin.
 
Edhe Naim Bejtullahu, drejtor ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, transmisionit dhe Tregut, (KOSTT) kanë thënë se pas nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë Shqipëri punimet do të nisin shumë shpejt.
 
“Kontrata hyn në fuqi pas vitit të ri, diku në dhjetë ditët e para të muajit janar”, ka thënë ai. Sipas tij, kostoja e ndërtimit kah pjesa e Kosovës do të kushtoj diku rreth 30. 7 milion euro. “Ky projekt pritet të përfundojë brenda 24 muajve, por edhe do të funksionalizohet menjëherë, ngase janë bërë të gjitha përgatitjet e mjaftueshme që të procedohet. Kemi marrë masa përgatitore të mëhershme dhe sipas tij do të përfundojë me kohë”, ka thënë ai.
 
Po ashtu, në anën tjetër njohës të sektorit energjetik në vend thonë se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit është në interes të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas tyre, nga ndërtimi i linjës të dyja shtetet do të pavarësohen në aspektin energjetike, ndërkaq do të përfitojnë shumë në aspektin ekonomik. Naim Hoxha, ekspert i energjetikës ka thënë se si pasojë e zvarritjes të këtij projekti Kosova, ka humbur shumë.
 
“Kosova ka humbur shumë sa i përket sigurisë së punës, stabilitetit të punës të elasticitetit të rrjetës sepse, në lidhje 400 kilovotëshe Kosovë-Shqipëri, unifikohet sistemi mundësohet një rrjedhje normale më e natyrshme energjisë në të dy anët e Kufirit. Dhe mos ekzistenca e kësaj e ka zvogëluar kapacitetin e efikasitetit te të dy anëve. Verës, në mungesë të ujërave, energjia nga thëngjilli i Kosovës do të kishte me qenë një zëvendësim i shkëlqyeshëm për nevojat e Shqipërisë, sikurse për neve që dimrit që ata kanë sasi më të madhe të ujit dhe ne pikërisht atëherë kemi problem me thëngjill, problem me mjetet e përpunimit. 400 kilovotëshi, është dashur të shtrohet si objektivë dhe si një aktivitet menjëherë pas luftës”ka thënë ai, shkruan Zëri.
 
Sipas Hoxhës edhe pse me vonese projekti për ndërtimin e interkonjeksionit është një ndër të arriturat më të mëdha të efikasitetit dhe gatishmërisë të sistemeve energjetike si për Kosovën ashtu dhe për Shqipërinë. Hoxha thotë se lobet e fuqishme serbe janë mundur që për vite të tëra ta zvarrisin këtë projekt. “Kanë qenë ato grupe të cilat kanë bashkëpunuar me sistemet mafioze serbe në kuptim të shitblerjes së energjisë elektrike”, është shprehur Hoxha.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane