Një raportim ekskluziv i gazetares së Report TV Eliza Gjediku, për bllokimin e fondeve të bujqësisë IPARD III nga Brukseli, i lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit, u vlerësua këtë fundvit nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me çmimin “Vangjush Gambeta” për raportimin më të mirë ekonomik në median audiovizive në Shqipëri për vitin 2025.

Nga shoqata ombrellë e gazetarëve shqiptarë kudo në Shqipëri e rajon u vlerësua objektiviteti, paanshmëria dhe thellimi gazetaresk në raportim.

“Ky çmim është më shumë se vlerësim personal. Është motivim për të punuar edhe më shumë. Unë vlerësoj që gazetaria ekonomike është një mjet shumë i mirë për të sjellë gjithmonë të vërtetën për të shkuar përtej disa informacioneve, si dhe për të kontribuar që të kemi një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe më transparente”, tha Eliza Gjediku, Gazetare e ekonomisë në Report Tv.

“Ka sjellë një material ku vazhdon të prek problemin e fondeve të IPARD. Në kohën kur ne aspirojmë për në Bashkimin Evropian, bllokimi i këtyre fondeve është një problematikë për qindra e mijëra fermerë që sigurisht presin mezi presin që të kemi një zhbllokim. Sa kohë është një problematikë që vazhdon Eliza e ka sjellë në dhe e ka trajtuar në mënyrën më të mirë duke ballafaquar lajmin dhe duke mbledhur informacione jo vetëm në Shqipëri por edhe përtej duke marrë edhe informacione nga Bashkimi Evropian për të dhënë një përgjigje përfundimtare dhe të saktë për të gjithë ata që interesohen”, tha në vlerësimin e Gjedikut, Oljana Maloku, kryetare e jurisë.

Ndarja e çmimeve nga UGSH u mbështet nga ambasada gjermane në Tiranë, me diplomatin Karl Bergner që theksoi rëndësinë e gazetarisë si një pushtet i pavarur në integrimin evropian të vendit.

“Si gazetar, puna dhe kontributi juaj janë vërtetë një pjesë e pandashme integrale e çdo sistemi demokratik. Ndaj mendoj që ju pikërisht në rolin tuaj si gazetar jeni shumë të rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Liria e shprehjes si dhe një pejzash i larmishëm mediatik, gjerësisht i pavarur nga interesa të ndryshme janë bazë, për rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Karl Bergner, Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e ambasadës së Gjermanisë, përfaqësues të politikës ishin kreu i parlamentit Peleshi dhe kryetarja e komisionit parlamentar të medias Jorida Tabaku

“Një nga fushat ku duhet të bëjmë më shumë është transparenca. Pra, duhet të jemi më të hapur ndaj jush dhe ta bëjmë informacionin më të aksesueshëm. Jo thjesht ta vëmë në dispozicion, por dhe të aksesueshëm”, tha Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit.

“Është shumë e vështirë që të bësh gazetari cilësore, por edhe në pozicionin e ri që unë kam si kryetar e komisionit të medias, ne kemi nisur një bashkëpunim për të bërë disa iniciativa ligjore të cilat shpresoj shumë të përmirësojnë jo vetëm mjedisin mediatik, por njëkohësisht dhe mbrojtjen e gazetarëve duke nisur që nga ndryshimi i kodit përsa i përket mbrojtjes së gazetare nga kërcënimi deri tek dekriminalizimi i shpifjes që janë të gjitha edhe obligimet e Shqipërisë në procesin e integrimit”, tha Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit të Medias.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i dha çmimin e gazetarit të vitit Eraldo Harlicajt, për raportimin e rastit të vrasjes së nxënësit Martin Cani. Mes emocioneve të veçanta u ndanë edhe çmimet për dy prej gazetarëve më të shquar në vend që nuk jetojnë më, ai për gazetarinë sportive për Sajmir  Demin që u nda nga jeta në mars të këtij viti, dhe ai për karrierën për Artur Zhejin u cili humbi jetën në gusht 2025.